36 ditë protesta të pandalshme në Shqipëri, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Protesta qytetare kundër qeverisë së Shqipërisë ka hyrë këtë të shtunë në ditën e saj të 36, transmeton Portalb.mk.

Protestës i janë bashkuar qytetarët shqiptarë që jetojnë anembanë botës, shumë prej të cilëve janë kthyer në vendlindje për pushime.

Protestuesit kanë përsëritur kërkesat e tyre për dorëheqje të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, si dhe thirrjet se “Shqipëria nuk është për shitje”.

Protesta fillimisht nisi kundër punimeve për një resort në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për mjedisin dhe hetimeve për pronësinë e tokës.

Projekti në Zvërnec është lidhur publikisht me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se vëmendja ndërkombëtare për Zvërnecin nuk lidhet me mbrojtjen e natyrës, por me përfshirjen në projekt të Jared Kushner dhe lidhjen e tij familjare me presidentin amerikan, Donald Trump.

Sipas të dhënave zyrtare, siç raproton Radio Evropa e Lirë, zona në Zvërnec figuron në pronësi të kompanisë Albania Land Development, e regjistruar më 27 maj 2025 në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Ndërkaq, të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

Edi RamaProtestaShqipëriaZvernec Protesta