Në draft tekstin e raportuesit për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc, janë dorëzuar 313 amendamente. Shumica vijnë nga eurodeputetë bullgarë dhe grekë. Sipas tekstit të Vajc, procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut po përjeton bllokime për arsye të ndryshme të pajustifikuara dhe BE-ja duhet të gjejë garanci se nuk do të ketë çështje bilaterale pas ndryshimit të Kushtetutës, transmeton Portalb.mk.
“Maqedonia e Veriut duhet të miratojë amendamentet kushtetuese në pritje, në përputhje me angazhimet e saj, në mënyrë që negociatat e pranimit të mund të fillojnë menjëherë,” thotë Vajc.
Por eurodeputeti bullgar Ivajlo Valçev, i cili vjen nga partia në pushtet në Bullgari, po kërkon një amendament për të theksuar se procesi i pranimit është i bllokuar për shkak të “retorikës armiqësore të udhëheqjes politike” në Maqedoni. Në disa prej amendamenteve të paraqitura, ai përdor si argument edhe votën në Kombet e Bashkuara.
“Abstenimi i fundit i Maqedonisë së Veriut nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së BE-11/7 për Ukrainën dhe bashkë-sponsorizimi i saj për një rezolutë alternative të udhëhequr nga SHBA-ja tregon një ndryshim të papritur dhe për keqardhje në shtrirjen e saj të politikës së jashtme…” thotë Ivajlo Valçev.
Nga ana tjetër, të djathtët grekë kërkuan që emri i vendit “Republika e Maqedonisë së Veriut” të zëvendësohet me “Shkup”, dhe të vendosur në qëndrimet e tyre ishin edhe eurodeputetët francezë nga partia e djathtë e Marine Le Pen. Sipas tyre, Parlamenti Evropian duhet ta ndalë zgjerimin.
“Refuzon me forcë dëshirën e Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në BE, si dhe çdo zgjerim të mëtejshëm të BE-së, pasi vendet kandidate, veçanërisht nga Ballkani Perëndimor, janë ende larg përmbushjes së kritereve për stabilitet politik, ekonomik dhe social”, thonë eurodeputetët francezë.
Krahas pjesës politike, raportuesi Tomas Vajc thekson në draft raportin se është e nevojshme edhe lufta kundër korrupsionit dhe pavarësia e gjyqësorit. Parlamenti Evropian do të debatojë për raportin dhe amendamentet më 13 maj.
Kujtojmë se me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet është betonuar qëndrimi i tyre se pa garanca se ndryshimet kushtetuese do jenë pengesa e fundit drejt BE-së, Maqedonia e Veriut nuk do e ndërmerrë asnjë hap në rrugën drejt BE-së. Së fundmi argument shtesë në këtë drejtim qeverisë aktuale të Maqedonisë së Veriut i ka dhënë vet shefi i ri i Diplomacisë bullgare, Georg Georgiev, i cili tha se “regjistrimi i bullgarëve si popull shtetformues nuk është kushti i vetëm”.
BE mbetet decide se, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së dhe se shtimi i bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë është për të mirën e vendit. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
- LEXO: Ministria e Jashtme e Bullgarisë: Ndryshimet kushtetuese nuk janë kushti i vetëm ndaj RMV-së
- LEXO: Kos: Askush nuk mund të garantojë se edhe pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë pengesa për RMV-në drejt BE-së
- LEXO: Edhe pse Maqedonia e Veriut ka disa kushte në rrugën drejt BE-së, zyrtarët thonë se nuk po e kushtëzon BE-në