20 kadetë dhe dy oficerë të Akademisë Ushtarake të RMV-së janë ankuar për të përziera dhe të vjella

Dje në orët e para të mëngjesit, njëzet kadetë dhe dy oficerë të qendrës së trajnimit të kadetëve “Gjeneral Mihailo Apostolski” të Akademisë Ushtarake janë ankuar për të përziera të përcjella me të vjella, njofton Ministria e Mbrojtjes. Fillimisht, tre kadetë janë ankuar për nauze dhe të vjella, më pas janë transferuar me urgjencë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ku janë ekzaminuar nga mjeku kujdestar dhe dy janë kthyer në repart pa diagnozë konkrete, ndërsa një kadet është hospitalizuar dhe i cili pritet të kthehet sot në repart, transmeton Portalb.mk.

Më vonë, shtatëmbëdhjetë kadetë të tjerë dhe dy oficerë u ankuan me simptoma të njëjta, pas së cilës të gjithë u dërguan në klinikën infektive, ku u trajtuan nga stafi mjekësor dhe pasi u deklaruan të stabilizuar, u liruan përsëri në repart.

Pas marrjes së informacionit, Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar menjëherë Qendrën Mjekësore Ushtarake së bashku me inspektorët e Qendrës për Shëndet Publik dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që të hetojnë shkakun e këtij rasti.

“Gjatë ditës së djeshme, në kazermën “Goce Dellçev”, ku ndodhet Akademia Ushtarake, është kryer një mbikëqyrje e jashtëzakonshme higjieno-epidemiologjike nga ekipet e Qendrës për Shëndet Publik, Institutit për Shëndet Publik, Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor dhe Agjencisë së Ushqimit, dhe nga ana e Qendrës Mjekësore Ushtarake në kazermën “Boro Menkov” në Kumanovë, ku edhe 4 persona janë ankuar për sëmundje të stomakut, me ç’rast janë marrë mostrat e kontrollit për ekzaminim. Qëllimi i këtyre inspektimeve të jashtëzakonshme është zvogëlimi ose eliminimi i plotë i të gjitha rreziqeve që mund të ndikojnë në shëndetin e njeriut”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.

Pas rezultateve të marra nga ekzaminimit, të cilat priten gjatë ditës së sotme, do të ndërmerren hapa të mëtejshëm sipas rekomandimeve të institucioneve kompetente.

Armata e Maqedonisë së Veriut (ARM)HelmimMinistria e Mbrojtjes (MM)