Ekipet e shpëtimit gjetën tetë trupa në një garazh ndërsa numri i të vdekurve nga përmbytjet shkatërruese të Spanjës u rrit nga 95 në të paktën 158. Autoritetet lokale nuk pranuan të thonë se sa njerëz të tjerë ishin të zhdukur, por ministrja e Mbrojtjes Margarita Robles tha se bilanci tragjik padyshim se do të rritet, raporton AlJazeera.
Politikanët e opozitës akuzuan qeverinë qendrore se ishte shumë e ngadaltë për të paralajmëruar banorët për përmbytjet, me ministrinë e brendshme që tha se autoritetet rajonale ishin përgjegjëse për masat e mbrojtjes civile.
Kryebashkiaku i Valencias, María José Catala, tha se një oficer i policisë lokale ishte në mesin e tetë personave të gjetur të mbytur në një garazh në periferi të La Torre.
“Ata njerëz nuk do të kishin vdekur nëse do të ishin paralajmëruar me kohë”, tha një banor i zonës.
Maribel Albalat, kryetarja e qytetit fqinj të Paiporta, tha se kurrë nuk morën një paralajmërim se një përmbytje po vinte.
“Në qytetin tonë kanë vdekur 62 persona. Disa vdiqën në shtëpitë e tyre, të tjerët në makina, sikur në kurth,” tha ajo.
Meteorologët thanë se në pjesë të rajonit të Valencias ra shi sa për një vit në vetëm tetë orë, të cilat goditën rëndë infrastrukturën e rajonit, duke shkatërruar ura, rrugë, hekurudha dhe ndërtesa. Rreth 80 kilometra rrugë në Valencia janë dëmtuar rëndë ose të pakalueshme, tha ministri i Transportit Oscar Puente.