Shkas për publikimin e këtij shkrimi, është ngjarja incidentale që ndodhi më 27 gusht të vitit 1905 në Sllatinë, ndërmjet komitëve bullgarë dhe sllatinasve, ndodhi e cila, nga distanca kohore prej 120 motesh, ia vlen të kujtohet e rikujtohet, të paktën me shkrime e të dhëna, shumica sish – të përfshira edhe në librin tim monografik: “Sllatina – paradigmë shqiptare e Pollogut”, botuar në vitin 2005.
Ndër ngjarjet më të rëndësishme historike që lidhen me Sllatinën e Tetovës, është “Rrethimi i Manastirit të Leshkës” e, për të cilën, me elegancën dhe krenarinë më të madhe ruhen reminishencat e kujtesës kolektive të popullatës së këtij vendbanimi. Për këtë ndodhi do t’u referohemi jo vetëm dokumentacioneve të shkruara nga historianë të ndryshëm, por edhe copëzave e bulëzimeve folklorike, që lëshojnë shtat ndër breza.
Rrethimi i Manastirit: “Shën Thanasi” (Sv. Atanas) të Leshkës
Pretekst për ndezjen e fitilit të konfliktit ndërmjet banorëve të revoltuar sllatinasë dhe komitëve renegatë, që bashkëpunonin me parinë e fshatit fqinj dhe Manastirit “Shën Thanasi”, me Erotej Eremonakun në krye, ishte vrasja e vëllezërve sllatinasë: Jakup dhe Pajazit Pajaziti, nga ana e një grupi të armatosur komitësh bullgarë. Ngjarja incidentale, e cila më vonë gjeneroi në një përplasje të papandehur ndërfqinjësore e mori haraçin e vet…
Po e fillojmë rishtazi shënimin e kësaj ndodhie, duke u bazuar, përveç tjerash, edhe në rrëfimin e banorëve autoktonë, e, në këtë rast – deklaratën e Nebi Qazimit, lindur më 1912 (shënuar në vitin 2002):
“N’vakët t’Turkijës, disa kumit, xhi kishin nejs t’vejn n’manaster t’Leshkës – i bien nëpër fush tuan – ka Kalinuava përr’ieth bustënit t’Kupës ene t’Pajazitit. Ki kur ndejn putiere, del n’udh t’shuafe mus ësht dukush, e t’bue dëm n’bustëne.
Kur pa se kush ishin, ki u thuët xhi, t’presën pak t’u çiese karpuza t’han, ene t’shkuëjn. Shkuan i zgjiedhën nja tre karpuza t’mdhuëj për t’hëngër. K’shtau xhi unxhën atej te miexha, i priesën karpuzët, han mer, ene zën t’buëjn llaf ndërmjet viti – vllahisht, (xhi mus mare v’esht Pajziti). Merpo, ki kishte kën n’gurbiet n’Vllahi, ene e mur viesht muhabetin e shkieve. Atua thaun: “Ne kuët duhet ta vrasëm, se ki mund tu na ape te iqimati …”. Kur mur viesht Pajziti, i vikati vllait vet xhi ishte n’kulibe: “Ah, Jakup, mule, be se shkum!…”. Ki, pi n’kulibe çiet n’kiet taurën e njerzve, ene e pqaguan njënin pi atua; a ktua kejt menjiher ç’esën n’kulibe, ene e vrasën Jakupin, a Pajzitin e pqaguëjn.”
Pas vrasjes, komitët, duke ditur se pas tyre do të pasojë ndjekja dhe shpagimi, ata u larguan në drejtim të panjohur. Katundarët e Sllatinës, me të dëgjuar të krismave, u mblodhën tok dhe, ia mësyen fushës. Duke kërkuar nëpër fushë, gjetën vëllezërit, Jakupin – të vrarë, kurse Pajazitin – të plagosur rëndë. Atëherë ky u tregon bashkëfshatarëve se çka ka ndodhur, dhe, se, grupi i armatosur i komitëve është strehuar në Manastirin e Leshkës.
Sllatinasët, të revoltuar nga kjo që ndodhi, menjëherë vendosën të hakmirren ndaj vrasësve. Në mbrëmjen e po asaj nate (27.08.1905), rreth 200 vetë të armatosur, në krye me Zendel Idrizin (Zendelin e Drizës), rrethojnë Manastirin. Për këtë ngjarje, këngëtari popullor thuri edhe këndoi këngën: KUSH PO I BJEN BURIZËNIT
KUSH PO I BJEN BURIZËNIT
Kush po i bjen-o çati burizanit, o-he
Hej, hej, se komitët na kan dal pi rrafshit-o,he
Ani shkoni dilni, mor nja disa gjem-e
O, nja disa gjem-a o nja shtat’a tejet-e.
O nja shtat a tet-o gjem si shtat asllëjëna
Ani kur bërtasën kejt-o ka di zëjëna
Ani kur bërtasën e kur ma l’shojn’ zënin-o,he
(Ani shkojn me zënun-o Kole kapitënin –o he)
Ani shkojn me zënun – o Kole jezitin-o he
O, xhi na i kan vra-o Kupën e Pajazitin-o he.
Ani more Kol-o, o i biri shkinës-o he
Ani a si njofte gjemt e k’saj Sllatinës-o he
Ani t’dalin n’ball-o e nuk dalin tinës.
Ani Eroteja lira don me dhëjën -e
Ani po m’jep lira, Popi jep alltëjëne
Ani manastajrit mos m’i bëjn “zandëjën-e”.
Ani s’dujna lira Pop s’dujna alltëjëne
Ani me komita do ta bëjm nji nëjëme
Ani Eroteja xhith po buën medejete
Njer kuku për mue ,kuku xhi m’ka xhejet-e
Ani xhi m’ka xhete, bre xhi m’kan maruju-e,
Ani Koles krejën-o n’sheher-o ja kajn çuju-e
Hakin e vllaznive o ja kajn pagjuju-e.
Të shohim si e paraqet këtë ngjarje autori i monografisë për Leshkën, Ilija Petrushevski:
“Paria e manastirit të Leshkës, e sidomos Eremonaku Erotej, bashkëpunonte me komitët, duke i ndihmuar ata me para dhe jatak. Në saje të këtij bashkëpunimi, ata në natën e 27 gushtit 1905 u nisën, për në manastir për festën: “Sveta Bogorodica” (“Shën Mëria, S.E.), duke kaluar nëpër fushë të Sllatinës…ku vrasin dy banorë të këtij fshati.
Pas këtij akti (qyqar , S.E.), komitët, të vetëdijshëm se pas tyre do të pasojë ndjekja, me të shpejtë ikin në drejtim të “panjohur”. Banorët e fshatit Sllatinë, (sllatinasët, por, edhe banorë shqiptarë edhe të fshatrave tjerë përreth, S.E.), të revoltuar nga kjo që ndodhi, menjëherë vendosën të hakmirren kundër komitëve. Të nesërmen, rreth 7000 bashibozukë, të udhëhequr nga pashallarë të ndryshëm, agallarë dhe beglerë, si: Mehmet Pasha, Halim Derralla, Agë Tresi, Abdylmexhit Kuçi, të armatosur me pushkë; sëpata e cfurkë, u drejtuan drejt manastirit, duke menduar se komitët ishin aty. E rrethojnë manastirin, dhe lejuan hyrjen e çdokujt që donte të hyjë në të, por askujt nuk iu lejua të dalin prej aty. Atëherë u ndërpre edhe uji me të cilin furnizohej manastiri.
Kur leshkasët, bashkëpunëtorë të komitëve, panë se ç’po ndodh, atë ditë e dërguan korrierin Sane në Shkup, ta njoftojnë Organizatën, kurse ajo intervenon deri te konsulli rus, bullgar dhe austriak, që këta të ndikojnë në autoritetet turke. Pas pesë ditësh, në Leshkë e Sllatinë, vijnë përfaqësues nga pushteti turk me 300 kalorës dhe 2000 këmbësorë, të udhëhequr nga Gali Allaj Beu. Autoritetet turke kontrolluan manastirin, dhe, mbasi nuk gjetën njerëz të dyshimtë, urdhëruan të lirohen të gjithë pengjët, kurse në paraburgim futën 14 persona nga Leshka e rrethina.”
Për këtë ngjarje ekziston edhe një këngë e sajuar nga leshkasit (në gjuhën maqedonase). “Sardisale lesheçkiot manastir”, ose ARNAUTI SLLATINÇANI.
ËSHTË RRETHU MANASTIRI
Rujna zot, rujna zot: Arnautët sllatinas
Kanë rrethu, kanë rrethu manastirin e Leshkës.
I pari ishte, i pari ishte Halim Beg Derralla
I dyti ishte, i dyti ishte Adem Agë Tresi
I treti ishte, i treti ishte Abdylmexhit Kuçi:
-Trego, pope jegumene, ku m’i ke komitat?
-Hajr, efendi, bre sulltan, se k’tu s’ka komita
Komitë janë katundet, katundet si Sllatina.
E bekoftë zoti,e bekoftë zoti, Allaj Beg Prizrenin
Ai i çoi suharijtë dhe e shpëtoi Manastirin.
Pakëz komente…
Sido që të jetë, kështu siç shkruan ky autor, gjërat duken aq të ekzagjeruara e të stërmadhuara, sa që nuk mund t’i durojë as historiografia, as logjika, sepse, sikur të bëjmë një matematikë të thjeshtë, duke llogaritur numrin e forcave shqiptare të Sllatinës: 200 vetë, dhe, ato “qeveritare”, d.m.th. 7000 këmbësorë, do të na dilte një numër maramendës forcash në njerëz, prej 9500 vetash, dhe 300 kuaj lufte. Me një fuqi aq të madhe të armatosur (për atë kohë), do të pushtohej një qytet i tërë me armatim të konsiderueshëm luftarak. Por, pa marë parasysh këto subjektivizma stereotipe, dihet botërisht se ngjarja në fjalë rezultoi me një epilog sa dramatik aq edhe revoltues, me primesa hakmarrjeje nga ana e bashkëfshatarëve të vëllezërve Pajaziti, të vrarë mizorisht nga ana e komitëve dhe bashkëpunëtorëve të Rusisë.
Nami morri dhenë
Ngjarja që ndodhi, nuk la indiferente as diplomacitë e huaja, as shtypin e kohës. Këtë e “rafinuan”, veç kuzhinave sllave: Bullgaria, Serbia, Rusia, por “era” i shkoi deri te parlamenti Anglez. Po i shpalosim dokumentet me radhë:
Revista “Ilostracije Ilinden”, që botohej në Sofje, në prill të vitit 1939, në numrin 4 (104) boton një reportazh për Tetovën. Në këtë reportazh thuhet mes tjerash se kryesori në këtë qytet është Mehmed Pashë Derralla. Autori shkruan se, Tetova ka shumë shqiptarë të turqizuar, duke vazhduar se, tetovarët janë zejtarë të mirë të pushkëve “Martina” që janë blerë shumë edhe nga bullgarët.
Më pas shkruan edhe për Manastirin e Leshkës dhe për Kiril Pejçinoviqin, duke cituar thënie nga librat e tij, ku, prifti thotë se është bullgar. Me këtë rast përmendet edhe rrethimi i Manastirit nga fshatrat përreth, pas vrasjes së “arnautëve”, pra rastin e njohur tashmë – kur u vranë vëllezërit Pajaziti nga Sllatina.
Sipas shkrimit në fjalë, Manastiri ishte rrethuar nga shqiptarët e rrethinës, të udhëhequr nga Mehmed Pashë Derralla, në vjeshtën e vitit 1906 (?)*, në prag të festës së Shën Mërisë (Bogorodica, ose Bogorojca, siç e quajnë në Sllatinë, S.E.). Ata kishin kërkuar ose dorëzimin e vrasësve, ose do ta pësonin të gjithë. Në revistë thuhet se “frika ishte e madhe dhe të qarat arrinin deri në qiell”. Sipas revistës, vetëm me ndërhyrjen e valiut (?)* dhe të konsujve në Shkup u evitua e keqja.
Vrasja e dy sllatinasve nga komitët bullgarë, pra vëllezërve Pajazitit, që u pasua me revoltën e sllatinasve për të ndëshkuar vrasësit, duke e rrethuar Manastirin e Leshkës, u manifestua shumë në shtyp, madje edhe në dokumentet e Parlamentit Britanik.
Aty thuhet se bandat bullgare, të komanduar nga Nikolla, kishin vrarë dy shqiptarë nga Sllatina, që kishte nxitur revoltën tek popullata vendase. Njoftimi për këtë ngjarje gjendet në: Great Britain. Parliament. House of Commons, H.M. Stationery Office, 1906.
E përfundoj këtë shkrim duke kujtuar filozofin antik Helen, Aristotelin ku thotë: “Aty ku çmohet guximi, ka njerëz trima. Aty ku çmohet urtësia, ka njerëz të mençur. Në atë vend ku nuk çmohet asgjë, aty nuk ka asgjë.”
Ndaj, përmes këtij publikimi, pretendoj edhe të përçoj mesazh, sidomos tek brezi i ri për të njohur me të bëmat e gjyshërve dhe të stërgjyshëve të tyre, në mënyrë që të marrin mësim nga e kaluara, për të ndërtuar të ardhmen.
Shkruan:
Syrja ETEMI