100 ditë qeveri e re në RMV: Pushteti lavdërohet me të arriturat, opozita numëron dështimet

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, sot doli para shtypit për të dhënë raport për rezultatet e 100 ditëve të punës së qeverisë së re që drejton, ai u lavdërua me të arriturat. Kurse opozita nga ana tjetër i numëroi dështimet dhe skandalet, raporton Portalb.mk.

Mickoski tha se do të ketë investime të reja, projekte të reja, shlyerje të borxheve dhe pagesa të borxheve, rritje të mëtutjeshme të prodhimit industrial.

“Ne negociojmë investime, përgatitim qindra projekte. Kemi siguruar tekste falas, kemi rritur pensionet, po punojmë për lehtësimin e politikës tatimore, kemi realizuar 100 projekte, masa dhe vendime. 15 miliardë denarë janë për investime kapitale për komunat. Ne kemi shtuar barna të reja në listën pozitive të barnave, pas një dekade. Ne morëm vendim për të punësuar 600 mjekë të rinj, nga radhët e kursantëve. Nënshkruam marrëveshjen për 4 investime të reja, njëra prej të cilave është gjysmë miliardë denarë. Ndërtimi i tij do të nisë në qershor 2025 dhe janë planifikuar 1600 vende të reja pune. Synimi i Qeverisë është që deri në vitin 2026 të çojë në zero importin e energjisë elektrik”, tha ai.

Mickoski u lavdërua se pas shumë vitesh është siguruar K-15 për 84 mijë punëtorë në administratë, nga 11.000 denarë për secilin.

Por Mickoski nuk prezantoi strategji të qartë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën drejt Evropës. Izolimi i Maqedonisë në rrugën e integrimeve evropiane, pasi Shqipëria u thirr për të nisur negociatat me BE-në, nuk është problem për Mickoskin dhe as rrezik për izolimin e vendit.

“Qytetarët duhet të besojnë se kjo qeveri nuk do të bëjë asgjë në kundërshtim me interesat e qytetarëve, me interesat strategjike të shtetit. Si qeveri, ne kurrë nuk do të devijojmë nga qëllimi ynë strategjik – anëtarësimi në BE. Do të bisedojmë dhe do të negociojmë derisa të arrihet një kompromis. Ne nuk do të gjunjëzohemi, qytetarët janë pas nesh”, tha Mickoski.

Lidhur me 100 ditëshin e Qeverisë së re kanë reaguar nga LSDM-ja opozitare, ata thonë se 100 ditët e qeverisjes së Hristijan Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së janë periudhë arsyetimesh, skandalesh, zhgënjimesh, premtimesh të thyera dhe ngecjesh.

“Deri më tani, nuk ka pasur një qeveri me një fillim kaq të keq të mbretërimit. Kjo është qeveria më e paaftë që nga pavarësia e vendit e deri më sot. Qeveria tradhtoi dhe zhgënjeu qytetarët, më së shumti duke i zëvendësuar të gjitha premtimet para zgjedhjeve me justifikimet se pse nuk mund t’i përmbushë ato. Skandal pas skandali shënuan këto 100 ditë të Mickoskit dhe DPMNE-së. Pothuajse nuk kishte javë që të mos ndodhte një skandal i madh”, thanë nga LSDM.

Nga atje shtuan se Qeveria ndërpreu negociatat me BE-në.

“Vendimi i Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së për t’i dhënë fund negociatave me BE-në dhe për ta sjellë vendin në ngërç politik është suksesi më i madh i kësaj qeverie në 100 ditët e para. Nga një vend me një perspektivë të qartë përpara, një plan të qartë për zhvillim dhe rritje në çdo fushë brenda BE-së, Mickoski vendosi ta mbyllë dhe izolojë atë, duke shkatërruar shpresën se këtu do të jetë më mirë. Me Mickoskin dhe DPMNE-në mund të presim më shumë emigracion, stagnim ekonomik dhe ndalim të plotë të zhvillimit të përgjithshëm të vendit”, theksuan nga LSDM.

Në ndërkohë, koalicioni opozitar Fronti Evropian nesër me fillim në ora 12:00 do të mblidhet në Shkup për të shënuar siç thonë “100 ditë dështime, skandale, nënçmime“.

Deputeti Elmi Aziri nga ky koalicion në një deklaratë ka thënë se do t’i përmendin të gjitha dështimet e Qeverisë në 100 ditë qeverisje dhe do të vendoset për veprimet e mëtutjeshme.

Lidhur me 100 ditëshin e qeverisë më 29 shtator 2024 edhe koalicioni VLEN u lavdërua me të arriturat e tyre.

Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 8 maj, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Mirëpo, pas rivotimit me 22 maj në shtatë vendvotime për shkak të parregullsive gjatë votimit të 8 majit, koalicioni VLEN fitoi një deputet më tepër, duke i bërë 14 deputetë, ndërsa Fronti Evropian humbi një deputet, i cili shkoi për VLENIN.

Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut u votua nga deputetët më 23 qershor të këtij viti në krye me kryeministrin Hristijan Mickoski. Kjo Qeveri përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja me partnerët koalicionues – koalicionin VLEN dhe partinë ZNAM.

Hristijan Mickoski HristianLidhja Social Demokrate (LSDM)Qeveria e Maqedonisë së VeriutVLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)