Abazi do të jetë kryetare e Komisionit për Letrat me Vlerë në Maqedoninë e Veriut

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 59 vota “për” dhe 7 vota “kundër” e ka zgjedhur Bujare Abazin si anëtare dhe kryetare e Komisionit për Letrat me Vlerë, transmeton Portalb.mk.

“Sot me 59 vota Për u votova nga deputetët e parlamentit të Maqedonisë së Veriut për të drejtuar Komisionin për letrat me vlerë. I falemnderohem publikisht Kryeministrit z.Mickovski, Kryetarit të parlamentit z.Afrim Gashi, zavendës kryeministrit z.Arben Fetai, z.Azir Aliu dhe gjithë deputetëve për besimin e dhënë për angazhimin tim profesional”, deklaroi Abazi.

Konkursi për përzgjedhjen e kryetares së Komisionit ishte publikuar në tri gazetat e përditshme, ku Abazi ka aplikuar. Komisioni kuvendor konstatoi se Abazi i plotëson kushtet e parapara me konkurs.

Në kuadër të seancës së 49-të u miratuan edhe disa propozim-ndryshime tjera, si Ligji për Punë të Jashtme, Ligji për Gjahun dhe Gjuetinë, Ligji për Mjedisin Jetësor, Ligji për Fitofarmaci, Ligji për Arsimin Fillor, të Mesëm dhe të Lartë, duke miratuar edhe lejen që Universiteti i Shtipit dhe Tetovës të lidhin marrëveshje kolektive me sindikatat e tyre.