Si votuan turqit në RMV: Prin Kiliçdaroglu para Erdoganit

Në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Shkup dolën gjithsej 4,107 persona për të votuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që u zhvilluan dje në Turqi. Sipas rezultateve të publikuara, nga votat e numëruara deri më tani, shihet se lideri i opozitës, Kemal Kiliçdaroglu po prin në zgjedhjet në RMV, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, nga të dhënat e përpunuara 80 përqind, tregojnë se Kemal Kiliçdaroglu e votuan 757 persona ose 51,81 përqind, ndërsa për rizgjedhjen e presidentit aktual Rexhep Taip Erdogan votuan 569 ose 38,95 përqind e votuesve. Kandidati nacionalist Sinan Ogan fitoi 90 vota ose 6.16 përqind të votave dhe Muharrem Inçe 45 vota ose 3.08 përqind të votave.

Në zgjedhjet parlamentare, nga 60 përqind e të dhënave të përpunuara, Partia Popullore Republikane (CHP) e drejtuar nga Kilicdaroglu është në krye me 365 vota ose 31,71 përqind të votave, kundrejt Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdoganit që fitoi 349 vota ose 30 .31 përqind të votave.

Si votuan turqit në RMV. Foto: Sabah
Si votuan turqit në RMV. Foto: Sabah

Turqia do të shkojë në raundin e dytë të zgjedhjeve pasi presidenti Recep Taip Erdogan fitoi avantazh të konsiderueshëm ndaj rivalit të tij në zgjedhjet e djeshme, por jo mjaftueshëm për shumicën e kërkuar.

As Erdogan dhe as kandidati i opozitës Kemal Kiliçdaroglu nuk morën 50 përqind dhe do të përballen sërish më 28 maj.

Pas numërimit të 97 përqind të votave, Erdogan kryeson me 49,39 përqind dhe Kiliçdaroglu ka 44,92 përqind, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se 49,49 përqind e votuesve votuan për Erdoganin pas numërimit të 91,93 përqind të votave.

I treti, kandidati nacionalist Sinan Ogan, fitoi 5.3 përqind të votave dhe mund të vendosë fituesin, në varësi kë do e mbështet në raundin e dytë.

Në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara paralelisht me zgjedhjet presidenciale, Aleanca Popullore, e përbërë nga partia islamike e Erdoganit, AKP, nacionalistja MHP dhe të tjerë, arritën rezultat më të mirë se sa pritej dhe është në rrugën e duhur për të fituar shumicën. Pas numërimit të 93 përqind të votave, ai pritet të ketë 324 nga gjithsej 600 mandate.

Aleanca Kombëtare e Kiliçdaroglu e përbërë nga gjashtë parti opozitare, duke përfshirë Partinë Laike Republikane Popullore (CHP), e themeluar nga Ataturku, fitoi 211 vende.

Aleanca për Punën dhe Lirinë, e udhëhequr nga Partia e Majtë e Gjelbër pro-kurde, do të ketë 65 vende në parlament, sipas të dhënave aktuale.