Shkupi po përgatitet të kandidojë edhe për Kryeqytetin Evropian të Rinisë

Me iniciativën e Këshillit Rinor Kombëtar të Maqedonisë (KRKM) dhe organizatave të shumta rinore, Qyteti i Shkupit ka filluar përgatitjet për titullin prestigjioz Qyteti i Rinisë, i cili ndahet nga Forumi Rinor Evropian me qëllim të inkurajimit të të rinjve për rritjen e pjesëmarrjen e të rinjve në qytetet të cilat konkurrojnë për këtë titull, transmeton Portalb.mk.

“Pas suksesit të madh me përzgjedhjen e Qytetit të Shkupit si Kryeqytet i Kulturës Evropiane për vitin 2028, kjo kandidaturë do të përfaqësojë një afirmim në nivel ndërkombëtar për qytetin dhe përkushtimin dhe projektet dhe aktivitetet inovative që realizohen për të rinjtë“, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, sot ka zhvilluar takim me përfaqësues të sektorit të të rinjve, të cilët kanë ndarë idetë e tyre.

Duke marrë pjesë në procesin e Kryeqytetit Rinor Evropian, çdo vit, një qytet evropian ka mundësinë të prezantojë dhe shfaqë ide dhe projekte novatore të bëra nga dhe për të rinjtë, duke përmirësuar përfshirjen e të rinjve në botë. Qytetet konfirmojnë angazhimin e tyre që të rinjtë të kenë mundësi të barabarta për të marrë pjesë në krijimin e politikave në sferën sociale dhe ekonomike.

Si organi më i madh përfaqësues i të rinjve, KRKM shprehu kënaqësinë që do të kontribuojë në kandidaturën e Shkupit për Kryeqytet Rinor Evropian.

“Qyteti i Shkupit përpiqet të ofrojë një mundësi unike për të rinjtë që të veprojnë aktivisht në fusha të ndryshme të jetës shoqërore dhe të shohin të ardhmen e tyre në Shkup dhe Maqedoni. Nëpërmjet promovimit të aktivizmit rinor, është e rëndësishme të krijohen mundësi për të rinjtë dhe nëpërmjet lidhjes së tyre me institucionet kulturore dhe arsimore, si partnerë kryesorë të qytetit, që ata të jenë bartës aktivë dhe krijues të një numri të madh aktivitetesh dhe projektesh të qytetit“, thonë nga Qyteti i Shkupit në njoftimin në të cilin bëjnë të ditur përgatitjen e kandidaturës.

Në shtator 2023, kryeqyteti i Maqedonisë u shpall Kryeqyteti i Kulturës Evropiane për vitin 2028. Titulli i fituar është i një rëndësie të madhe, sepse do të sjellë afirmim të kulturës vendase në të gjitha segmentet e saj, nga trashëgimia kulturore deri te arkitektura bashkëkohore dhe artet skenike.