Rritje e rrogës mesatare në Maqedoninë e Veriut për 17.3 përqind

Në Maqedoninë e Veriut në muajin tetor është regjistruar rritje e rrogës mesatare për 17.3 përqind në krahasim me tetorin e vitit të kaluar, transmeton Portalb.mk.

“Kjo rritje ka ardhur si rezultat i, para së gjithash, rritjes së pagës mesatare mujore neto për të punësuarit në sektorët: Administrim publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm (26.2%), Furnizimi me ujë; kanalizimi, veprimtaritë e menaxhimit dhe të trajtimit të mbeturinave (20.2%), Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (20.0%)”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Enti raportoi që në tetor rroga mesatare neto në vend është 38 843 denarë, ndërsa ajo bruto është 58 349 denarë.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 14 nëntor ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2024, ashtu që kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i financave, Fatmir Besimi, kanë paralajmëruar se janë siguruar mjete për rritje të pensioneve dhe rrogave.

“Janë siguruar pensionet dhe rrogat më të mëdha, si dhe 733 milionë euro për investime kapitale”, sqaruan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Ministri Fatmir Besimi sqaroi që vetëm për rritjen e pagave janë siguruar 160 milionë euro dhe 170 milionë euro për rritjen e pensioneve. Besimi, ka sqaruar që në buxhetin për vitin 2024 është planifikuar rritje të mjeteve për 10 përqind për rritjen e rrogave në sektorin publik. Për investime kapitale pritet të ketë 45.1 miliar denarë për investime në projektet tashmë t¡ filluara në infrastrukturën e arsimit, shëndetësisë, gjyqësorit dhe fusha tjera.

Buxheti i Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Më 7 dhjetor filloi debati në Komisionin e Kuvendit.