Treshja e rrezikshme: Mediat – Inteligjenca Artificiale – Dezinformatat

“Njerëzit në mënyrë të ndërvetëdijshme u besojnë fotografive, se ajo që shohin është absolutisht e vërtetë, por tani praktikisht me përdorimin e promteve dhe pa përdorur aspak fotokamerat ose kamerat dhe pa qenë aspak të pranishëm në një vend, ne fitojmë një produkt që duket si fotografi, por që nuk është fotografi, kështu që hapësira ​​për manipulim me publikun është shumë e madhe”, tha Mançiq.

Mjetet gjeneruese të inteligjencës artificiale (IA) po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe me këtë po rritet edhe frika se shumë profesione mund të jenë në rrezik, por edhe po shtohen diskutimet në lidhje me mbrojtjen e informacioneve të rëndësishme përkundër dezinformatave dhe manipulimit që mund të gjenerohet nga inteligjenca artificiale.

Sa dhe nëse puna mediatike rrezikohet nga zhvillimi i IA dhe sa është mundësia e përhapjes së manipulimeve dhe dezinformatave në media si rezultat i kësaj, ishte vetëm një nga temat që gazetarët, fotoreporterët, organizatat joqeveritare dhe ekspertët e diskutuan pak kohë më parë në konferencën rajonale që u mbajt në Beograd, Serbi.

Të pranishëm ishin përfaqësues pothuajse nga të gjitha vendet e rajonit, të cilët njëzëri u shprehën se duhet t’i mbrojnë veprat e tyre me të drejta autori, aq më tepër që tani po publikohen foto që nuk janë realizuar nga fotografët, por edhe tekste gjenerike që nuk janë shkruar nga gazetarët.

Të pranishmit erdhën në përfundimin se e gjithë kjo mund të çojë në lajthimin e publikut dhe ta bëjë atë pre të manipulimeve dhe dezinformatave.

jelena petkoviq
Jelena Petkoviq. Foto: Meta.mk

Gazetarja serbe Jelena Petkoviq për Meta.mk thotë se inteligjenca artificiale në cilëndo redaksi mund të jetë vetëm mjet, diçka që e ndihmon gazetarin të krijojë përmbajtje, por në asnjë mënyrë nuk mund të jetë produkt final.

“ChatGPT dhe aplikacionet e tjera funksionojnë në atë mënyrë që marrin përmbajtje nga dikush. Ato e marrin atë që është në dispozicion në internet dhe bëjnë një lajm të ri, një raport të ri. Atë tashmë e ka bërë dikush. Përveç cënimit të të drejtës së autorit të atij personi që tashmë ka dalë në terren dhe ka shkruar një raport, ky është edhe një lloj mashtrimi i lexuesve“, tha Petkoviq.

Në vitin 2022, Këshilli serb i shtypit miratoi një dispozitë të veçantë me të cilën çdo përmbajtje e krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale duhet të shënohet qartë, në mënyrë që lexuesit të dinë se pas saj nuk qëndron një gazetar që ka qenë në një ngjarje, që e ka regjistruar atë, që ka mbledhur deklarata të ndryshme dhe mbi bazë të kësaj e ka shkruar tekstin.

“Nuk mendoj se raporte të tilla nuk duhet të përgatiten me përdorimin e inteligjencës artificiale, sepse raporte të tilla shkruhen edhe në bazë të përshtypjeve të gazetarit që del në terren. IA nuk mund të dalë në terren dhe të intervistojë njerëz. Ajo mund të jetë mjet i dobishëm, por duhet të vendoset një kufi se deri në çfarë mase është mjet dhe prej ku e bëjmë ne punën tonë”, tha Petkoviq për Meta.mk.

Diçka e ngjashme ndodh edhe me publikimin e fotove që janë realizuar me inteligjencë artificiale, me çka nga njëra anë rrezikohet puna e fotoreporterëve që dalin në terren, ndërsa nga ana tjetër ekziston mundësi që të manipulohet publiku.

Zvezdan Mançiq
Zvezdan Mançiq. Foto: Meta.mk

Zvezdan Mançiq nga Qendra për zhvillimin e fotografive dhe festivali i fotografive “Vizualizator” thotë se manipulimet dhe dezinformatat në këtë fushë mund të jenë tejet të mëdha. Ai thotë se kjo është veçanërisht e dukshme me luftën në Rripin e Gazës, ku janë publikuar një sërë fotografish që nuk janë reale, por që janë produkt i IA.

I tillë është rasti për të cilët verifikuesit e fakteve vërtetuan se bëhet fjalë për një produkt të inteligjencës artificiale. Bëhej fjalë për një burrë që mbante pesë fëmijë nëpër rrënojat në Gaza dhe që u shpërnda me dhjetëra mijëra herë në rrjetet sociale. Ekspertët vërtetuan se fotografia përmban shenja dhe karakteristika të inteligjencës artificiale dhe se ajo nuk është publikuar fare nga agjencitë e lajmeve me fotografë në terren të cilët raportojnë dhe e mbulojnë luftën që u provokua nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit në muajin tetor.

“Njerëzit në mënyrë të ndërvetëdijshme u besojnë fotografive, se ajo që shohin është absolutisht e vërtetë, por tani praktikisht me përdorimin e promteve dhe pa përdorur aspak fotokamerat ose kamerat dhe pa qenë aspak të pranishëm në një vend, ne fitojmë një produkt që duket si fotografi, por që nuk është fotografi, kështu që hapësira ​​për manipulim me publikun është shumë e madhe”, tha Mançiq.

Ai shton se terminologjikisht këtë produkt që krijohet me ndihmën e inteligjencës artificiale nuk duhet as ta quajmë fotografi, sepse ajo në vetvete është një lloj manipulimi i njerëzve dhe publikut, të cilët edhe terminologjikisht vështirë se mund të bëjnë dallimin se çfarë është e çfarë nuk është e vërtetë.

Grackat potenciale të përmbajtjevee të këtilla u demonstruan pak kohë më parë kur artisti gjerman Boris Eldagsen fitoi në konkursin për çmimin e sivjtëm të Sony World Photography me një fotografi të krijuar nga inteligjenca artificiale.

Eldagsen e refuzoi çmimin dhe tha se ai ishte thjesht “një majmun i pafytyrë” që donte të shihte nëse ndonjë nga gjyqtarët “e ka vënë re ose ka dyshuar se fotografia ishte krijuar nga inteligjenca artificiale”.

“Fotografitë e bëra me inteligjencë artificiale dhe fotot reale nuk duhet të konkurrojnë bashkë për një çmim si ky”, shtoi ai.

Për BBC-në Eldagsen deklaroi se ai ua kishte bërë të qartë organizatorëve se donte të angazhohej publikisht në një “diskutim të hapur” mbi këtë temë, ndërsa nëse ai do ta kishte bërë këtë gjë shumë më herët në procesin e ndarjes së çmimeve, nuk do të kishte pasur asnjë efekt.

“Ai nxiti një debat të madh në lidhje me diçka që nuk është fotografi, por që ngjason  jashtëzakonisht shumë me një fotografi, kështu që mundësia e manipulimit është tejet e madhe. Në thelb, fotografia mbase ishte i vetmi produkt mediatik tek i cili besohej pa kurrëfarë hezitimi dhe kjo tani na dëshmon diçka ndryshe”, tha Mançiq për Meta.mk.

Ai shton se në rrafsh botëror mbrojtja e të drejtave të autorit për atë që është rezultat i punës së inteligjencës artificiale, në kuptimin e detyrimeve të personave që merren me një gjë të tillë, ende nuk është rregulluar.

“Mendoj se në mediat e vërteta informative nuk ka vend për diçka që quhet promptografi, por duhet të ketë fotografi të pastra dhe të dihet qartë se është element dokumentar dhe publiku ta dijë se nuk është mashtrim, ndërsa nëse diçka është rezultat i fabrikimit në kompjuter, duhet quajtur ndryshe dhe të mos gjejë vend në mediat informative”, tha Mançiq.

Festivali i fotografisë “Vizualizator” tashmë ka zhvilluar një debat ndërkombëtar me përfaqësues nga 8 vende, me qëllim të inicimit të një procesi për një lloj të rregullimit në këtë fushë, në mënyrë që publiku të dijë saktësisht se çfarë sheh – një fotografi të vërtetë apo një produkt të inteligjencës artificiale.