Ish kryeministri britanik, Cameron, rikthehet në qeveri si shef i diplomacisë

Ish udhëheqësi britanik David Cameron mori të hënën postin e sekretarit të Jashtëm në një emërim të befasishëm të bërë nga kryeministri Rishi Sunak, i cili riorganizoi ekipin e tij, raporton VOA.

David Cameron, 57 vjeç, shërbeu si kryeministër nga viti 2010 deri në vitin 2016, duke dhënë dorëheqjen pas rezultatit të referendumit të qershorit të atij viti, kur Britania votoi për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Zoti Cameron kishte drejtuar fushatën për të qëndruar në bllokun evropian.

Kthimi i tij i papritur në vijën e parë të politikës pason shtatë vitet e fundit që ai i kaloi duke shkruar kujtimet dhe duke u përfshirë në biznes, përfshirë kompaninë financiare Greensill Capital, e cila më vonë u shemb.

Shembja e kompanisë nxiti pikëpyetje rreth shkallës në të cilën ish-udhëheqësit mund të përdorin statusin e tyre për të ndikuar në politikën e qeverisë, pasi zoti Cameron kontaktoi vazhdimisht ministra të lartë në vitin 2020 në interes të punës së tij.

Zyra e kryeministrit Sunak tha se mbreti Charles miratoi vendimin që t’i jepet zotit Cameron një vend në Dhomën e Lordëve, duke i mundësuar kthimin në qeveri, pavarësisht se nuk është më anëtar i zgjedhur i parlamentit.