Plani i plotë për vitin 2022 nuk u realizua, Kasami arsyetohet se për parkingjet në kate nuk mund të gjejnë zgjidhje ligjore (Video)

Dështimin e realizimit në tërësi të planit me pesë pika për krijimin e parkingjeve të reja në Tetovë gjatë vitit 2022, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami e arsyeton me atë se për parkingjet në kate ende nuk mund të gjejnë zgjidhje ligjore. Nga ana tjetër, së fundmi në konferencë para gazetarëve tha se dinamika për parkingjet e hapura dhe të mbyllura vijon, shkruan Portalb.mk.

Sipas planit të shpalosur më 11 janar 2022, Komuna e Tetovës planifikonte që deri në fund të vitit të rriste numrin e vendeve të parkimit, përmes parkingjeve zonale, atyre të mbyllura si dhe garazheve në kate.

Ky plan ishte i ndarë në pesë faza, numri i planifikuar i vend-parkimeve zonale ishte 410, të mbyllura 790 dhe në garazhet në kate 1,890. Ndërsa deri në fund të vitit planifikoheshin 3,090 vende të reja parkimi në qytet.

Ky plan nuk u realizua ashtu siç u paralajmërua sipas fazave dhe afateve kohore. Gjatë kësaj periudhe u krijuan vetëm 284 vendparkime, apo vetëm 7 përqind e planit

Kjo nënkupton se garazhe në kate nuk ka ende, janë krijuar disa vende të reja parkimi për banorët rezident, ndërsa është bërë edhe zgjerimi i parkingut zonal në disa pjesë, i cili nuk nënkupton krijimin e vendeve të reja për parking, aty vetëm se në të kaluarën janë parkuar vetura, pra, nuk ka qenë zonal dhe me pagesë.

Portalb.mk e ka ndjekur këtë projekt dhe ka raportuar për të gjitha fazat.

I pyetur për këtë plan së fundmi, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se për garazhet në kate nuk kanë zgjidhje ligjore për parcelat e parapara, ndërkaq për parkingjet e hapura dhe të mbyllura thotë se dinamika vijon.

“Po, sigurisht që patëm një plan dhe në vazhdimësi kemi deklaruar se nuk është çështje që varet vetëm dhe drejtpërsëdrejti nga Komuna, pra bëhet fjalë për hapësira që duhet komuna t’i kenë në dispozicion që të bëjë edhe plan për zhvillimin e tyre. Në këtë rast ne ende nuk kemi ndonjë hapësirë të lirë të cilën ne mund ta ofrojmë edhe në partneritet publiko-privat apo të shohim mundësitë e Komunës për të ndërtuar parkingje në kate, pra ende jemi në kërkim të hapësirave të tilla apo me ndryshimin e planeve urbanistike krijimin e hapësirave të tilla që të mund pastaj me partneritet publiko privat të zhvillohen të njëjtat”, tha Kasami.

Ndërsa i pyetur për atë sesi e bënë këtë plan kur nuk ka hapësira dhe dolën me plan konkret, Kasami deklaroi:

“Sa i përket zhvillimit të parkingjeve ajo dinamikë vazhdon, të parkingjeve të hapura dhe të mbyllura, por këtë që e thash si përgjigje ka të bëjë me parkingjet në kate. Sa u përket parkingjeve në kate jemi në procedurë të gjetjes së lokacioneve apo lirimin e lokacioneve aktuale të cilat me plan detal urbanistik janë të parapara për garazhe në kate. Një e tillë është para Veros që kundër ligjit ka kërkesë për privatizim dhe është e bllokuar, ne nuk mund ta fusim në procedurë për ndërtimin e garazheve në kate, një tjetër është parcelë për ndërtim të garazheve në kate është te qendra sportive para sallës sportive që e njëjta ka ngarkesë në proces legalizimi, ende nuk gjejmë zgjidhje ligjore që nuk varen nga Komuna e Tetovës”.

Rikujtojme se kryetari i Komunës së Tetovës nuk e mbajti premtimin parazgjedhor se parkingu do të jetë falas derisa të krijojë parkingje të mjaftueshme për çdo veturë. Parkingu pa pagesë ishte vetëm dy javë dhe e pagesa u rikthye. Ndërkaq më pas u rrit çmimi i parkimit zonal, atyre të mbyllura dhe ajo e shërbimit merimangë. 

Sipas Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë, numri i përgjithshëm i masave lidhur me parkim të paligjshëm në Tetovë gjatë vitit 2022 ishte 6.373, ndërsa numri i automjeteve të marra nga merimanga ishte 4.432.

Numri i automjeteve të regjistruara me targa të Tetovës sipas MPB-së është mbi 32 mijë, me çka kaosi në trafik mbetet i madh.