PARTIA MAQEDONASE

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

Dy momente i kanë përcaktuar nismëtarët e kësaj lëvizjeje. Njëri është personal, kurse tjetri del nga situata e përgjithshme në jugun tonë. Natyrisht se themeluesit e partisë nuk flasin për atë të parin, por kapen për shumësinë e argumenteve në pjesën e dytë.

Mirëpo dëshira për karriget ministrore nuk mund të fshihet as këtu si edhe në klubin e partisë në pushtet. Dëshira për pushtet, për automobila, për heqjen e sekuestrimeve, për dhënien e koncesioneve dhe për bixhoz në autoklub. Vështirë është të arrihen këto ideale të pasluftës në partitë e mëdha. Atje ku një numër njerëzish e mbante monopolin e kandidaturave në të gjitha krizat dhe kolltukët në të gjitha kabinetet. Atje ku njerëzit duke mbajtur gjatë kohë pushtetin janë familjarizuar, janë bërë fis mes vetes ose kanë krijuar lidhje të ngushta midis familjeve të tyre. Përvoja ka treguar se më së lehti depërtohet nga grupet më të vogla.  Këtu z. Voshnjaku brenda natës bëhet diplomat, kurse z. Spahoja për një ditë fiton 300 milionë dinarë për vete dhe për simpatizuesit e tij. Ndërkaq z. Puzderlijeviçi, kur për herë të fundit shkoi në oborrin mbretëror ishte i detyruar t’i kërkojë një parë tesha prej z. Kërsto Miletiçit sa për të shkuar në vizitë e pastaj t’i kthejë.

Beogradi dëshmoi se jep vetëm atëherë kur i bëjnë shantazh. Të gjithë i bëjnë shantazh, e pse mos t’i bëjnë edhe maqedonasit.

Partia demokratike luan një rol të rëndësishëm po ashtu për përcaktimin e kësaj lëvizjeje në jug. Asaj Serbia jugore i ka dhënë 24 deputetë, të cilët ishin të nderuar me të drejtën të votojnë për të gjitha propozimet e qeverisë, e mos të fitojnë asnjë kilometër udhë e as një kilometër hekurudhë. Këto ishin të rezervuara për kroatët e për sllovenët. Deputetët nga jugu mundën të fitojnë me çelës 9:7 nga ndonjë nëpunës të policisë. Për kolltukët ministrorë nuk mund të ëndërrohej madje, për realizimin e ndonjë programi s’guxonte as mendja t’i shkojë kujt. Ata madje as që i ka pyetur kush për shumë çështje për të cilat kishin të drejtë sovrane për kompetencat që kishin. Këto nervat e pleqërisë së z. Shushkaloviçit nuk mundën t’i durojnë dhe ai doli nga klubi derisa ai klub ishte statist në timonin e shtetit. Mezi z. Jankuloviçi arriti ta shpëtojë atë që mund të shpëtohej dhe ta rezervojë një vend në Këshillin Shtetëror.

Fryma praktike e themeluesve të partisë maqedonase nuk humb nga shikimi as shansin e dobët të ardhjes së shpejtë të demokratëve në pushtet. Radikalët të cilët për vete gjithmonë kanë 50% të pushtetit të garantuar me kushtetutë, kurse për atë pjesën tjetër luftojnë me metodat e njohura, i konsiderojnë demokratët për kundërshtarë të tyre kryesorë. Kundër tyre mobilizohet e tërë fuqia nëpunësore dhe e tërë ushtria policore. Dhe atëherë kur deklaratat e zgjedhësve radikalë u dërgohen për korrekturë zhupanëve të mëdhenj, kurse vetëm nxjerrja e listave për zgjedhje komunale konsiderohet e arsyeshme për rrezikun e madh në fshatrat maqedonase – nuk ka shpresë të madhe për sukses nën atë flamur. Më mirë është të jesh në ndonjë grup a la xhemijet dhe në momentin e përshtatshëm t’ua kthesh vëmendjen e njerëzve kah vetja. Kurse ndjekjet e anëtarëve të një partie regjionale do të kishin qenë jologjike, kur ndjekje të tilla nuk ka kundër partive të tilla të njëjta në mbretëri. Përkundrazi të gjitha gjasat janë se pikërisht radikalët do ta favorizojnë lëvizjen vetëm për arsye se ajo do të thotë dobësim i demokratëve.

Ajo që shkon në dobi të z. Gligor Anastijeviçit, i cili me guxim e ka marrë përsipër rolin e ideologut të partisë së re, është: xhemijeti, siguria publike, kaosi agrar dhe korrupsioni në Serbinë e jugut. Se me të vërtetë nuk ka koalicion më të pamoralshëm se ai me xhemijetin. T’i kthesh viset e çliruara në gjendjen e paraluftës, t’u japësh bejlerëve ndikim politik, t’i bësh agallarët sajbinj, t’i përzësh bujqit e krishterë nga toka, të hapësh xhami, të cilat edhe në kohë të turkut kanë qenë depo, kjo më së paku është politikë antisllave në çastin kur nacionalizmi zyrtar turk e ka mbjellë (e ka humbur) Maricën. (Ja qëndrimet politike të shteteve sllave ende nuk kanë ndryshuar fare nga vitet njëzet të shekullit të kaluar. Shën. i përkth.).  Kështu kjo punë duket shikuar nga këndvështrimi i të krishterëve në Serbinë e jugut. Nga këndvështrimi i krijuesve të protokollit zagrebas nuk duket kësisoj.

Z. Anastijeviçi mundet me fat të veçantë të operojë kundër të gjitha regjimeve të deritashme me sigurinë e pafat publike, me marrëdhëniet e pazgjidhura agrare dhe me korrupsionin, me dukuritë të cilat i ka popullarizuar mjaft shtypi i ditës. (Si sot. Shën. i përkth.)E këtu nuk do të gjendet dot njeri i cili do ta demantonte.

Mirëpo me të gjitha këto, krijimi i Partisë maqedonase nuk mund ta përballojë kritikën. Kjo punë është thjeshtë një krim kombëtar.

Dhe nëse gospodin gospodin pop Trajko H. Arsiçi dhe Çiçeviçi, përcjellësit e z. Anastasijeviçit në këtë ekskursion politik, janë njerëz të formuar kësisoj kombëtarisht që të mos i durojnë kritikat, atyre mund t’iu ndodhë ndonjë fatkeqësi mjaft e madhe. Duke dashur ta ndihmojnë vetëm anën e tyre të lindjes ata do të gjenden ballë për ballë me një lëvizje ilegale, të cilën e ndihmon moralisht dhe materialisht Bullgaria fqinje. Ata do të jenë të detyruar të marrin qëndrim ndaj saj. Nëse e shikojnë me simpati do të dalë sikur serbët kanë arritur te anomalia që t’i shërbejnë legalizimit të luftës së Todor Aleksandrovit. Nëse i dalin përballë, kjo do të jetë guerilë politike. Ndërkaq më mirë do të kishte qenë gjithsesi të merret pjesë në luftërat  rregullare ku për vete e ke numrin, organizimin, prapavijën e drejtuar për së mbari, e prandaj edhe më shumë gjasa për sukses. Nuk duhet të ndahesh nga fronti kombëtar.

            Krijimi i Partisë maqedonase do ta demantonte historinë tonë, do ta rrëzonte ideologjinë shtetërore, do ta errësonte ardhmërinë e synimeve për të dalë në Selanik e Varnë. Atje nuk mund të arrihet përmes lëvizjeve separatiste, po përmes jugosllavizmit. Separatistët maqedonas do të gjendeshin midis dy fronteve të sllavëve të jugut, midis atij serb dhe atij bullgar ose thënë më mirë para frontit të forcuar të sllavëve të jugut.

Mirëpo sot vetëdijet janë errësuar e bien edhe fjalë më të forta se sa partitë maqedonase, malazeze e ku ta di se çfarë partie tjetër. Flitet për amputimin e pjesëve të sëmura, kështu që njerëzit e humbin drejtpeshimin. Thuajse këtu duhet ndonjë mendje e veçantë që ne të mbetemi sërish në hekurudhën Beligrad-Ristovc. Dhe pikërisht këtë amputim ta zbatojmë në kuptim të Serbisë së madhe, po çfarë politike do të zhvillojmë pastaj. Prapë politikë jugosllave. Për ne s’ka politikë tjetër. Dhe nëse kjo politikë nuk ka sukses dhe detyrohemi të luftojmë me kroatët, atëherë më mirë është që këtë punë ta bëjmë tash derisa jemi në një shtëpi në mënyrë që fqinji mos të na përzihet.

Deputetët tonë atdhetarë nga jugu janë të detyruar të kërkojnë ilaç për gjendjen e vështirë të Serbisë së jugut. Nëse mendojnë se për këtë u duhet pushtet le t’u drejtohen shokëve të tyre në klubin e radikalëve, të cilët edhe krahas pranisë së kobshme të xhemijetit janë të detyruar që një ditë ta ngrenë zërin për mbrojtjen e interesave kombëtare. Nëse mendojnë se duhet të bëjnë një opozitë të ashpër, atëherë le ta bëjnë këtë si anëtarë të partive opozitare parimore. Separatizmi asnjëherë nuk ka qenë ilaç. Ai i ka bërë dëm idesë shtetërore, prandaj Gjorgjeja i Zi e eliminonte me revole, personalisht, Miloshi i urdhëronte ta bëjnë këtë Pashtërmaci ose Shtitaraci, kurse Vuku dhe Tankosiçi krejt punën e kryenin me kama.

            Fat i mirë se megjithatë komunikata e paradokohshme e klubit të deputetëve demokratë e demanton lajmin për Partinë maqedonase. Më e ndershme do të kishte qenë që në komunikatë ky rast të cilësohej si një rrëshqitje nga rruga e vendosur për të mirën e masave të gjëra popullore.

1. – VIII – 23              


 

1Ideologji e cila përtypet edhe sot nga serbët dhe maqedonasit


LEXO PJESËN PARAPRAKE: SHKUARJA E KAÇAK ZYBERIT

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button