Shabani – Hysa: Të avancohet bashkëpunimi ndërkufitar

Ministri për vetëqeverisje lokale, Lirim Shabani realizoi sot takim me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoni Ylber Hysa. Me të bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet MVL-së dhe institucioneve simotra të Kosovës me theks të posaçëm për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet dy vendeve dhe Programin e IPA fondeve të cilat financohen nga Unioni Evropian.

Ministri Shabani e njoftoi ambasadorin Hysa për aktivitetet e deritashme që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkufitarë, me punën e strukturave operative si dhe planet dhe parashikimet për periudhën në të ardhshmen.

“Unë me seriozitetin më të madh u jam qasur punëve për të avancuar procesin e IPA Programeve për bashkëpunim ndërkufitarë me të gjithë fqinjët tanë e në këto suaza edhe me Republikën e Kosovës. Deri tani aktivitetet janë zhvilluar mirë dhe ka rezultate pozitive duke u realizuar më shumë projekte.

Në këtë drejtim për shkaqe objektive dhe subjektive, për keqardhje, BE ka refuzuar projektet për bashkëpunim ndërkufitarë me Kosovën. Por, unë jam optimist dhe pres nga Delegacioni Evropian në Maqedoni të ketë rivaluim të mjeteve të parapara me çka do të shfrytëzoheshin një pjesë e mjeteve të parapara financiare” theksoi ministri Shabani.

Ai shtoi se ka kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e Delegacionit Evropian dhe pret bashkëpunim më intensiv në të ardhshmen. Ambasadori i Kosovës Ylber Hysa çmoi lartë angazhimin konstruktiv të ministrit Lirim Shabani dhe shprehu gatishmërinë e tij për të bërë shumë më tepër për thellimin e bashkëpunimit e sidomos për avancimin e procesit për shfrytëzimin e IPA Fondeve nga Bashkimi Evropian.

Ambasadori Hysa shprehu bindjen se në të ardhshmen do të angazhohen shumë më tepër strukturat operative të dy vendeve me qëllim që Fondet evropiane të shfrytëzohen sa më tepër dhe për projekte të cilat do të përmirësonin jetën e qytetarëve nga të dy anët e kufirit.

Lajme të ngjashme

Back to top button