LSDM-ja, kërkon nga qeveria të tregojë se sa serioze është gjendja me borxhet

LSDM-ja opozitare kërkon nga qeveria të tregojë se sa serioze është gjendja me borxhet e marra nga shteti, pas publikimit të FMN-së se borxhi publik është në nivelin 44.8% të Prodhimit të Përgjithshëm Vendor, pa përfshirë këtu euro-obligacionin prej gjysmë miliardë euro të marrë pak javë më parë. Sipas LSDM-së, gjendja është kritike, dhe qeveria kërkon mënyra se si ta mbushë buxhetin e zbrazur, përmes detyrimeve për pagesa kontributesh për punëtorët me honorar, TVSH për firmat e vogla, si dhe duke shtrenjtuar taksat rrugore dhe regjistrimin e automjeteve, transmeton Alsat.

“Kësaj here paralajmërimi nuk vjen vetëm nga LSDM-ja. Për herë të parë pas disa vitesh, me vlerësim për lartësinë e borxhit të Maqedonisë, reagon edhe FMN-ja. Në të njëjtën kohë, tre shtete të mëdha, SHBA-të, Britania e Madhe dhe Gjermania dolën gjithashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të sinkronizuar, me kritika për politikën fiskale të Maqedonisë, duke shprehur shqetësimin për borxhin dhe heshtjen e pushtetit për të shpallur publikisht të dhënat e vërteta”, tha Kire Naumov, LSDM.

Nga ministria e Ekonomisë thonë se janë duke e ndjekur me kujdes situatën ekonomike dhe borxhin publik.

“Pikërisht për këtë kishte ndryshime kushtetuese në pjesën ku rregullohet borxhi publik. Dhe ju e dini, se tani borxhi publik nuk mund të jetë më shumë se 60% nga Prodhimit i Përgjithshëm Vendor i shtetit. Vlerësoj se me këtë do të kontribuojmë që borxhi publik mos të jetë më i madh se sa duhet”, deklaroi Bekim Neziri, ministër i Ekonomisë.

Për një pjesë ekspertësh, kufizimi kushtetues i borxhit publik në 60% të prodhimit të Përgjithshëm Vendor është kufi tejet i lartë për ekonominë e Maqedonisë, sidomos në një situatë kur paratë nuk përdoren për projekte që gjenerojnë rritje ekonomike. Ekspertët paralajmërojnë se Maqedonia ka hyrë në zonën e rrezikshme të huamarrjes, dhe se borxhi tani është 51% nga prodhimi i përgjithshëm vendor, ose 4 miliardë euro.

Lajme të ngjashme

Back to top button