Përtej neverisë – kush i rekruton prerësit e kokave?

Video-lajmi i fundit nga Siria, ku shihet një person për të cilin pohohet se është shqiptar nga Kosova duke ia prerë kokën një kundërshtari në këtë luftë të huaj, e shkaktoi efektin e pritur ndër qenie njerëzore – neverinë dhe gjykimin e një akti të këtillë mesjetar.

Ky lajm dhe veçanërisht reagimet e mëvonshme tregojnë shumë për problemin që e kemi mes nesh.

E kuptueshme, çdo person i civilizuar tërbohet nga incizimet kur një njeri ia pret kokën një kundërshtari, një imazh assesi i pranueshëm për civilizimin dhe kohën në të cilën jetojmë. Aq më tepër, kur krejt kjo bëhet duke manipuluar me fenë, që përdhoset deri në fund nga aktet si ky.

Por, në fakt, këto lajme nuk befasojnë shumë, meqë është pikërisht mesjeta aty ku soji i bashkëluftëtarëve të ISIS-it dëshirojnë t’i shpiejnë njerëzit në territoret e kapluara në Irak dhe Siri. “Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit” (ISIS) që me marrjen e hovit u riemërua në “Shtet Islamik” e tregon qartë fytyrën e vet. Duke manipuluar me fenë islame, një grup i organizuar kokëboshësh dhe dhunuesish tentojnë të zgjerohen deri në hapësirën ku lexohet ky artikull.

Tash kur të gjithë e dënuan dhe shprehën mllefin kundër prerjes së kokave nga një qenie që deri para tre vitesh thuhet të ketë banuar në Kosovë, është koha të parashtrohen ca pyetje, që na ballafaqojnë me realitetin që nuk kemi guxim ose vullnet ta shohim. ‘

Ku u radikalizuan shqiptarët e rinj që bredhin luftërave të huaja në Afganistan, Irak e Siri? Kush mban përgjegjësi për indoktrinimin me ide ekstreme fetare, që e shndërrojnë një besim fisnik të bazuar në paqe dhe tolerancë, në vegël manipulimi nga luftëtarë e predikues të humbur?

Këta dhe fatkeqësisht edhe shumë tjerë në qytetet dhe fshatrat tona, fjalët e para të urrejtjes fetare që përfundojnë me prerje kokash i marrin hiq më larg se në mëhallat e tyre. Ndërsa ne i mbyllim sytë, grupe me pantollona të gjata ose kravata të mëndafshta po e rrisin kontrollin mbi shtresat e varfëruara, gazetarët e politikanët e të gjitha niveleve.

Aspak nuk duhet të habitemi që predikuesit më radikalë – mjaft të pranishëm në forume dhe video-incizime – ishin ndër të parët që e gjykuan prerjen e kokave. Vepruan kështu sepse tani u shfaq publikisht efekti i fjalëve të tyre. Fjalë që nuk vrasin, ama marrin në qafë të rinjë që marrin rrugën për një luftë të huaj. E tash, kur në një lajm pasqyrohet jeta në të cilën dëshirojnë të na shpiejnë, e gjykojnë vrasjen mizore duke i shpërlarë duart nga pjesëmarrja në frymëzim të krimit.

Vendet evropiane kanë problem real me radikalizmin dhe këtu nuk përjashtohet Maqedonia, një vend ku ndjenjat fetare janë manipuluar vazhdimisht nga pushteti, qoftë në anën ortodokse ose atë islame. Ky problem është jo vetëm një çështje sigurie – si që tentojnë ta shesin pushtetarët në kërkim për ta amnistuar para perëndimorëve qeverisjen autokrate – por ka të bëjë fillimisht me arsimin, mbështetjen sociale, deri tek cilësia e jetës në getot në rritje dhe mediat ku radikalët i kanë futur gishtat thellë.

Për shembull, predikuesi më radikal i njohur në Kosovë, ai që është shumë i zëshëm tash kur nxënësit e tij ia nxijnë fytyrën kombit, e ka kollaj ta mbushë për ligjeratë stadiumin e Çairit në Shkup, meqë është ngjarja e vetme kulturore që ofrohet në treg. Kur në shkolla futen demek-arsimtarë që i ndajnë vajzat dhe djemtë sepse përzierja qenka haram, kur qytetarët s’kanë as një park ose ngjarje në të cilën mund të dëfrehen pas punës (nëse punojnë diçka), kur punësimi bëhet përmes partisë ku strukturat e dyshimta janë futur deri në fyt – është e pritshme pjesëmarrja në aktivitetin e vetëm publik, qoftë edhe nëse duhet të dëgjohet dikushi që na i shanë krejt personazhet historike.

Krejt kjo është e pamundur të realizohet, pa orkestrimin dhe kontrollin direkt nga strukturat brenda aparatit shtetëror. Të hollat për financim nuk mund të futen në vend, njëjtë si që edhe personat e njohur si eksponentë të rrymave ekstreme nuk mund të veprojnë lirshëm rrugëve e xhamive, nëse kjo nuk lejohet dhe komandohet nga shteti, me pjesëmarrje aktive edhe nga funksionarët shqiptarë. Struktura këto që më pas i shfrytëzojnë imazhet e këtilla ose ato me flamuj të Arabisë Saudite në protesta, për ta dëshmuar orientimin perëndimor të vetin, që kinse qenka i sulmuar nga shqiptarët islamistë. E meqë qenka kështu, ndaj këtij gogoli duheshka të mbështetet pushteti si mburrojë, ani pse ai është pjesëmarrës shumë aktiv dhe vetë thelbi i rritjes së grupeve radikale.

Përrallë kjo që shitet kollaj – qoftë edhe nëse harrohet vrasja e emigrantëve pakistanezë në Vreshtat e Rashtakut në vitin 2002 dhe tentimi për ngjyrosje radikale nga vetë policia – deri në momentin kur të parashtrohet pyetja kyçe: pse Maqedonia deri sot nuk arrin ta miratojë ligjin për dënimin e pjesëmarrësve në luftërat e huaja, si vendet fqinje?

Temat e këtilla ngjallin emocione, që fatkeqësisht, përfundojnë me ofendime personale nga kujdestarët që i licencojnë tjerët nëse janë fetarë të devotshëm ose jo. Edhe më shpesh, ato keqpërdoren për përfitime politike, si që ndodh për momentin në dy kampet etnike. Por, problemi i vërtetë do të trokasë në derë kur të nisurit në Siri e Irak do të kthehen mbrapsht në shtëpitë e tyre. Heshtja kolektive, manipulimi etnik dhe institucional vetëm se e lehtëson këtë. Pastaj do të jetë vonë, për të gjithë ne. Prerja e kokave larg, duhet të merret si paralajmërim i fuqishëm në shtëpi.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Një tekst të cilin duhet ta lexojë me kujdes pari e BFI-së dhe të ndërmarrë diçka që të të jemi fetarë të shekullit njëzet e mos të na ndodhin raste të këtilla të therjes së njerëzve, të cilat na barazojnë me çetnikët ose me njerëzit e kohës së gurit.

Back to top button