300 milionë euro për të gjykuar 10 shqiptarë?

Publikimi i raportit të kryeprokurorit Clint Williamson, nga Task-Forca Speciale për Hetime, që nuk ka arritur pas tri vitesh hetime të gjejë dëshmi dhe prova për trafikim organesh, ka nxitur reagime të diplomatëve brenda Bashkimit Evropian.

Së paku në dy ambasada të vendeve të BE-së në Prishtinë, që janë kujdesur për krijimin e Gjykatës Speciale, të mërkurën është diskutuar për nevojën e ridizenjimit të saj.

Burime të Top Channel në institucionet e Kosovës, kanë bërë të ditur se zyrtarë të lartë të qeverisë së Holandës, vendi ku është planifikuar vendosja e Gjykatës Speciale, kanë thënë se nuk ka kuptim që të shpenzohen 300 milionë euro për një gjykatë, e cila do të gjykonte 10 persona vetëm për krime lufte.

Të njëjtat burime kanë treguar se diplomatët e BE-së janë të zhgënjyer, që e gjithë lëvizja e nisur nga senatori zviceran, Dick Marty, po rezulton me vetëm një aktakuzë, të cilën mund ta menaxhojnë prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX-it në Prishtinë, pa pasur nevojë për formimin e Gjykatës Speciale.

Edhe ekspertë të jurisprudencës vlerësojnë se gjetjet e raportit të kryeprokurorit Williamson nuk kanë nevojë për një Gjykatë Speciale.

Juristi dhe profesori Vigan Qorolli, i cili në kohën e miratimit të Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës ka punuar si këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë, ka treguar për Top Channel se që nga fillimi Gjykata Speciale është shoqëruar me kontradikta, që kanë çuar deri te një “ekstra ligjshmëri” të saj.

“Meqenëse nuk ka, dhe po shihet sipas gjitha gjasave, gjetje të hetimeve për trafikim organesh, atëherë do të presim, dhe me gjasë do të ndodhë kjo, që të ridizenjohet Gjykata Speciale, e cila, pavarësisht formës, do të quhet siç duhet juridiksioni në botë i gjykatave speciale. Ky ridizenjim duhet të çojë në krijimin e një dhome të posaçme, ndoshta, brenda juridiksionit kombëtar dhe mos ta ketë në formën aktuale të atij legaliteti, i cili Gjykatën Speciale e bën edhe kontradiktore, por edhe trup ekstra legal”, tha Vigan Qorolli, jurist.

Edhe Qeveria e Kosovës, në deklaratën e saj për raportin e prokurorit Williamson, nuk e ka përmendur askund Gjykatën Speciale, por nevojën për krijimin e një Dhome të Veçantë, në kuadër të juridiksionit kosovar.

Lajme të ngjashme

Back to top button