fbpx

Rama, ultimatum deputetëve rebelë: Nëse dilni edhe një herë kundër, jeni të përjashtuar

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Mbledhja e shumëpritur e grupit parlamentar socialist, një ditë para seancës plenare, është shndërruar në një “hetuesi” dhe proces llogaridhënës për pesë deputetët “rebelë”, të cilët braktisën seancën e fundit plenare. Një ditë pasi kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ka thirrur një nga një pesë deputetët që tronditën koalicionin, këtyre të fundit u ka ardhur radha të përballen drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama. Ndonëse kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i kishte zbutur gjakrat dhe klimën e tensionit mes qeverisë dhe deputetëve në fjalë, reagimi i Ramës në mbledhjen e grupit ka qenë befasues. Kryeministri Edi Rama u ka dhënë dje një sinjal të qartë pesë deputetëve rebelë, se nëse do të dalin edhe një herë kundër qeverisë, do të përjashtohen nga kjo forcë politike. Ultimatumi nga ana e kreut të qeverisë është dhënë në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, mbledhje e cila është shoqëruar përreth dy orë me debate, akuza dhe kundërakuza mes deputetëve, ministrave dhe vetë kryeministrit. Largimi i pesë deputetëve rebelë nga seanca e kaluar plenare, ka shkaktuar mjaft tension te kreu i qeverisë, i cili siç mësohet nga burimet brenda selisë rozë, u është drejtuar me një gjuhë tepër të ashpër 5 deputetëve, duke deklaruar se nuk e kanë kuptuar nocionin e Rilindjes. Po ashtu, shefi i ekzekutivit, duke iu drejtuar grupit të rebelëve, është shprehur se në sesionin e ardhshëm legjislativ, kush guxon të dalë kundër qeverisë, nuk do të jetë më pjesë e saj. “Unë nuk po ju them që të mos shfaqni mendimet tuaja për deputetët, ministrat por jo të dilni kundër tyre hapur në seanca plenare apo dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare. Kjo rregullore do të jetë taksative dhe kush nuk do e zbatojë këtë rregullore, në të cilat do të jenë të përcaktuara edhe kriteret për sjelljen e deputetëve dhe ministrave, do të largohet. Është faji im që nuk kam mundur të sqaroj si duhet se çfarë kuptimi ka Rilindja. Nuk do të thotë rilindje njerëzit tanë të afërm, apo mbështetësit tanë, por ata 1 milion shqiptarë që na besuan votën e tyre më 23 Qershor. Nëse dilni edhe një herë kundër, do të përjashtoheni”, mësohet të jetë shprehur kreu i qeverisë.  

Rregullorja e re për sjelljen e deputetëve  

Një rregullore e re për sjelljen e deputetëve dhe ministrave të majtë do të fillojë zbatimin e saj në muajin shtator. Ka qenë ky urdhri i dhënë dje nga kryeministrit Rama, i cili sipas burimeve mësohet se ka deklaruar se, gjatë muajit gusht do të fillojnë përgatitjet për kodin e ri, ku do të përcaktohen kriteret e sjelljes së deputetëve në grupin parlamentar dhe seancat plenare. “Gjatë verës do të përgatitet një rregullore për sjelljen e deputetëve në seancat plenare. Kjo rregullore do të vihet në zbatim në muajin shtator”, është shprehur Rama.    Ndarja administrative   Një ndër reformat më të rëndësishme të kësaj mazhorance ka qenë reforma territoriale, reformë e cila nuk është pritur mirë nga pala greke, pasi sipas tyre, nuk duhet të preket minoriteti etnik grek sa i përket Himarës. Nga burime brenda selisë rozë, kreu i qeverisë mësohet se është shprehur se hartën territoriale të Shqipërisë nuk mund ta bëjë Greqia. “Nuk e bën Greqia reformën administrativo-territoriale, por ne e bëjmë vetë. Himara nuk ka qenë kurrë minoritet. Ne kemi bërë një reformë që shkon në të mirë të gjithë shqiptarëve dhe Shqipërisë”, ka deklaruara Rama.  

Pesë deputetët rebelë  

Tom Doshi

Pjerin Ndreu

Armando Prenga

Parid Cara

Mark Frroku 

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close