Paratë e dyshimta për Haxh, BFI hesht!

Përderisa Bashkësia Fetare Islame nuk pranon të komentojë Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me politizimin dhe keqpërdorimin e religjioneve në Maqedoni, opinioni dhe haxhilerët mbeten me shumë pyetje të paqarta në kokë në lidhje me atë se ku saktë shkojnë paratë e tyre. Sipas raportit të DASH, “BFI merr taksë disproporcionale në vlerë përafërsisht 400 euro ($551) që të lejon aplikimet për vizat të cilat ndryshe janë pa pagesë nga Arabia Saudite, për pjesëmarrje në haxhillëk”. Edhe pse kjo që nuk është e re dhe ndodh me vite thonë komentuesit për Portalb nuk , raporti i DASH ka nxjerrë në pah atë që mund të quhet “sekret publik”.

Një agjenci turistike që ofron paketa për haxhilerët bëri të ditur për Portalb se kur shkojnë për të marrë vizat për udhëtarët e tyre, i japin BFI-së nga 300 deri në 350 euro për vizë, mirëpo nuk marrin asnjë dokument që kjo pagesë është e kryer.

“Disa herë kemi kërkuar vërtetim që kemi bë pagesën e vizës po nuk na kanë dhënë. Kaq mund të ju them”, tha një pronar i një agjencioni i cili dëshironte të ngelet anonim.

Nag ana tjetër Portalb kontaktoi edhe me personat që kanë qenë në haxh dhe ata që dëshirojnë të shkojnë. Ata mbeten të rezervuar dhe nuk dëshirojnë të flasin në publik, por konfirmojnë se paratë për këtë vizë i kanë dhënë si pjesë e rregullt e aplikimit të tyre.

“Nëse kjo është e vërtetë që kanë marrë të holla për viza të cilat është dashtë që të jenë falas, haram iu qoftë. Duhet shumë gjëra të sqarohen dhe BFI duhet të mbajë përgjegjësi”, tha një pretendues për Haxh.

“I kam dhënë paratë edhe për gruan madje. Kam qenë në haxh para dy viteve. Më dhan disa letra por realisht nuk di gjë më shumë. Zoti ua din atyre që bëjnë punë pa punë” tha 55 vjeçari Z.Idrizi nga fshati Pirok i Tetovës.

Ndërkaq, edhe pse të kontaktuar ditë me radhë nga Portalb , BFI mbetet ende e pakapshme për të dhënë sqarime.

Opinionisti Ramadan Ramadani thotë se veprimi i tillë i BFI-së është haraç që u merret besimtarëve mysliman.

“Mendoj se evidentimi i kësaj paraqet denoncim në nivel të lartë, siç është raporti i State Department-it, për një haraç që u merret besimtarëve mysliman në vend me vite me radhë për një rit fetar e të cilin mu BFI do duheshe t’ua bën atyre më të lehtë dhe jo t’ua vështirëson. Po ashtu mendoj se edhe cilësimi “disproporcional” i cekur aty është i saktë pasi kjo është një shumë e konsiderueshme parash krahasuar me praktika të ngjashme në rajon, Bosnjë dhe Shqipëri, ku taksa të ngjashme janë ku e ku më të lira. Por, momenti më i madh është se megjithatë në këtë raport shpaloset një lidhje e çuditshme mes shtetit dhe këtij institucioni fetar e për të cilin moment dhe lidhje duhet të japin shpjegim edhe organet shtetërore, që në një farë mënyre, kështu duke lejuar që edhe dikush përveç tyre të aktrojë shtet, mundësojnë zhvatjen e qytetarëve të vet.”, tha për Portalb  Ramadani.

Në raportin ndërkombëtar për liritë fetare i State Department i SHBA-ve për Maqedoninë thuhet kështu “Disa brenda qeverisë dhe komunitetit mysliman kanë deklaruar se BFI njashtu ka përfituar nga lidhjet e ngushta me qeverinë. Si një shembull, ata cekën dhënien e përgjegjësisë direkte BFI-së për ndërlidhje me zyrtarët konzularë të Arabisë Saudite për lëshimin e vizave për haxhillëk. Këta individë më tej deklaruan se kjo e drejtë i ka mundësuar BFI-së që të marrë taksë disproporcionale në vlerë përafërsisht 400 euro ($551) që të lejon aplikimet për vizat të cilat ndryshe janë pa pagesë nga Arabia Saudite, për pjesëmarrje në haxhillëk”. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button