Ajdari: Riaktivizohen protestat kundër rastit “Monstra”

Këshilli Koordinues Organizativ i protestave kundër vendimit të gjykatës për të akuzuarit për rastin Monstra bën të ditur për Portalb se sërish do të mbahen protesta gjatë ditës së premte.

Kryetari i këtij Këshilli, Bedri Ajdari i cili njëherësh është edhe vëllai i Fejzi Azirit, bën të ditur se protestat do të mbahen, vetëm se ende nuk është vendosur se ku do të protestohet.

“Protesta do të ketë gjatë kësaj jave dhe gjatë javëve në vijim. Ajo që ende nuk e kemi vendosur është vendi se ku do të protestojmë kësaj radhe. E kemi menduar sheshin Maqedonia, por nuk e di se a do të na japin leje që të protestojmë atje”, tha për Portalb, Ajdari.

Ajdari: Asnjë nga ata që kërkuam përgjegjësi nuk na është përgjigjur

“Edhe pse shpalosëm disa kërkesa tona, ende askush nuk na është përgjigjur, si gjithnjë fjalët dhe kërkesat tona hasin në veshtë shurdhër. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, kërkojmë drejtësi”, tha Ajdari.

Ai shtoi se mjaft janë dëmtuar shqiptarët që kanë dyqane rreth rrugëve ku janë zhvilluar protestat, por sërish kanë frikë se po të protestojnë në qendër, ata që do të dëmtohen janë protestuesit.

“Këto ditë do ta paraqesim protestën në polici dhe do të vendosim vendin se në cilën pjesë të Shkupit do të protestohet. Nuk duam që protestuesit të nxihet apo të dëmtohen prandaj duhet të mendojmë mirë se ku do të protestojmë”, tha  për Portalb, Ajdari.

Raufi: Procedura e “Monstrës” do të zgjatë

Nga ana tjetër avokati mbrojtës Naser Raufi për Portalb, bën të ditur se ende nuk ka marrë vendim me shkrim në mënyrë që të mund ta paraqesë ankesën në Gjykatën e Apelit, ai sqaron se kjo është procedurë që zgjatë.

“Rasti është shumë i ndjeshëm dhe kjo procedurë do të zgjatë. Shpresojmë që ankesa të bëhet diku në muajin shtator dhe deri në fillimin e vitit të ardhshëm të shqyrtohet ky rast dhe të binden të gjithë që të dënuarit nuk janë fajtorë”, tha  për Portalb, Raufi.

Ndërkaq Ajdari apelon për pjesëmarrje në këtë protestë si dhe apelon për qetësi dhe protesta paqësore.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button