I ha shuplakat, fajtor mbetesh

Kot thua: nuk do t’i prek me dorë ato gazeta, nuk dua as titujt t’i lexoj në reklamat televizive, se do ta ndërroj programin televiziv kur e japin pasqyrën e shtypit maqedonas. Ti e di se aty ka lajme të ndryshme nga vendi dhe nga bota dhe ato njeriut të sotëm i duhen, duhet ta dish se çfarë ndodh në këtë botë për të cilën me të drejtë thonë se është bërë e vogël, se është bërë sa një fshat. Mirëpo… Mirëpo diçka të pengon… Të pengon urrejtja ndaj shqiptarëve që tiret aty si fije e hollë… Mirëpo… Përsëri mirëpo… Kësaj radhe kjo “mirëpo” vjen nga ai krimbi që të bren përbrenda dhe të shtyn se çfarë thonë sot gazetarët e errësirës, se me çfarë të sharash na përshëndesin. Dhe, përsëri shkon dhe e blen gazetën, duke ia bërë qejfin vetes se je në përparësi nga vendasit e tu maqedonas të cilët nuk e dinë shqipen që t’i lexojnë gazetat tona, kurse ti e di maqedonishten. Je së paku trilinguist. Mirëpo…

Mirëpo shpejt dëshpërohesh se menjëherë i gjen  brenda fyerjet të cilat ti as që mund t’i marrësh me mend. Fjalë të rënda për shqiptarët dhe jo vetëm për shqiptarët. Të pushton një ndjenjë e papërshkrueshme kur i lexon. E hap një faqe, e sheh se si sillet ish ministri i punëve të jashtme i cili rri në koalicion me ata të cilët i shan e i stërshan. Dhe, kjo punë të duket krejtësisht në rregull. Nuk hidhërohesh fare. E pse të hidhërohesh. Ai e thotë të vërtetën e tij, ashtu si ia merr mendja. Janë një bylyk ministrash e deputetësh shqiptarë. Nëse atyre s’u djeg, çfarë ke ti të mërzitesh. Kur s’përgjigjen ata një herë të vetme, çfarë do ti? Hajde bre!… Po nuk është puna vetëm aty.

Pa shiko se çfarë shkruan një i përhumbur. Një fodull. Në Maqedoni, thotë ky fodull, jetojnë shqiptarë, në Shqipëri jetojnë maqedonas. Ti shqiptarit i jep arsim në gjuhën amtare, e punëson, i jep komuna, kryetarë komunash, ndërsa nga ana e kundërt ai do të të eliminojë, të të fshijë, të të zhdukë. Të tretesh nga faqja e dheut dëshiron. Ky nuk është as shekulli nëntëmbëdhjetë, por Mesjetë, thotë ky mjeran. Ti ndalesh e të vjen të qeshësh, natyrisht të vjen një e qeshur e hidhët. Jo rastësisht të vjen kështu, për shkak se këto broçkulla shkojnë si hallvë në këtë vend halleshumë. I ha pazari. Të vjen keq për turmat të cilave u servohet një mashtrim i ulët se kinse ky fodull ose dikush tjetër na paska dhënë neve arsim në gjuhën shqipe. Po të kishte mbetur për të ne sot e njëmijë vjet do të kishim mbetur pa shkolla shqipe. Po ai është për gjynah dhe nuk e di se shkollat shqipe në hapësirat e Jugosllavsië politike janë hapur para se të hapeshin në gjuhën maqedonase. Kur është instaluar pushteti jugosllav në këto anë shkollat shqipe kanë pasur disa vite përvojë e stazh. Pra nuk i kemi ne shkollat shqipe prej fodullit që “zbulon” edhe gjepura të tjera.

I lexon e thua: ruajna zot! I hap sytë dhe lexon. I fërkon sytë dhe lexon edhe një herë dhe e sheh se shkruan që atje ku njëzet vjetët e fundit autoritetet tona duan të na çojnë (kjo në mënyrë moderne quhet të na eurointegrojnë), sot janë ulur e rrinë fashistët dhe maniakët, të cilët prej nesh kërkojnë që vetë të bëjmë dhoma gazi identitare. Kjo nuk i mjafton fodullit po vazhdon ta fyejë në mënyrë të paparë BE-në. Thotë se Brukseli qenka bërë Aushvici shpirtëror ku duhet të digjet një popull i tërë. Fashistët, thotë shkresaxhiu, prezantohen si demokratë, atyre që me të vërtetë praktikojnë demokraci u vihet shenja si nacionalistë, pretendentë për territore të huaja. Demokrat duhet të jetë shkresaxhiu dhe një grusht shkresaxhinjsh të tjerë që i fyejnë shqiptarët, që i fyejnë vlerat e civilizimit perëndimor dhe që ia mbajnë anën Lindjes. E kur thotë fodulli: “Rrjepësit dhe terroristët, vrasësit dhe të çmendurit rrinë të amnistuar në kolltukët e rehatshëm”, lexuesi e ka fare të lehtë se ku mundohet të aludojë. Nuk je indiferent ndaj kësaj fyerjeje të paparë. Ndalesh një herë e të shkon ndërmend Musa dhe e pyet veten: vallë çfarë bën Musa me Marrëveshjen e Ohrit? A kështu na e paska sjellë pajtimin ndëretnik marrëveshja për të cilën kryetari i BDI-së bën be se është dokumenti i cili na i paska zgjidhur të gjitha problemet këtu në këtë shtet multietnik që funksionon si shtet monoetnik.  Ata të na japin shuplaka, ne të mbetemi fajtorë!

Pastaj të kujtohet  iftari të cilin e kishte shtruar kryeministri për funksionarët të cilët një zot e di a mbajnë ramazan apo nuk mbajnë, po kryesorja është se çelën iftar me ujë. Ndoshta kanë çelur edhe me hurma që t’ua bëjnë qejfin sheikëve. Iftar kanë çelur, por një fjalë nuk u doli prej goje për këto gjëra, që nuk janë cikërrima. Epo i kemi përfaqësuesit për merak! E di se kurrë nuk do të thonë gjë prej gjëje. Merr frymë thellë dhe e lëshon TV-në. Aty dëgjon si i shajnë përmendoret të cilat mundohen t’i ngrenë shqiptarët për njerëzit e vet që e kanë dhënë jetën për idealin e tyre. Natyrisht nuk je indiferent. Je njeri me krenari e me fytyrë. Nuk je askush. Pastaj, në një kanal tjetër e sheh si promovohet xhamia e re e ku marrin pjesë funksionarë të lartë të partisë në pushtet. Të shkon mendja: si nuk e përuruan në çerdhe për fëmijët shqiptarë një herë. Në një anë promovohen kisha ortodokse, kisha, kisha, kisha, kurse në anën tjetër xhamia, xhamia. Po besimtarë të mëdhenj janë promotorët që ecin me mercedesa, që jetojnë në pallate që shkojnë në pushime në vende të shtrenjta, por që shohin ëndrra nëpër shtëpitë fshatit të tyre ku janë rritur me bukë kollomoçi. Pastaj thua: çka u ha palla atyre pse na fyejnë neve gjithfarë fodullësh?  Ku mund të na shohin ata nga lartësitë e pushtetit neve që jemi në humnerën politike e ekonomike?

Pastaj përsëri i kërkon gazetat nëpër ngushticën ku jeton.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button