ANALIZË: Taksat e reja për honoraret, rroga më të ulta?

Lajm i mirë për administratën, profesorët, mjekët. Do të munden vullnetarisht ta shtyjnë kohën e pensionimit, gjegjësisht sipas ekonomistëve, mu këto profesione “parazite” më së shumti do të gëzohen me ndryshimet e ligjeve, me të cilat mundësohet vazhdimi i viteve të punës.  Biznesmenët do të ballafaqohen me harxhime të reja – do të duhet të paguajnë kontribute për sigurim shëndetësor, pensional dhe social për kontratat autoriale, kontratat në vepër dhe honoraret më të larta se sa rroga minimale. Kush dhe çka do të fitojë ose humbë me pakon e zgjidhjeve të reja ligjore?

Taksa për honorare, kontrata autoriale dhe kontrata në vepër….

Pagesa e taksave për sigurim pensional, social dhe shëndetësor për honorare në bazë të kontratave autoriale dhe kontratave në vepër me vlerë më të madhe se sa rroga minimale, është zgjidhje për mbushjen e arkës buxhetore. Të dy fondet, për sigurim shëndetësor dhe pensional në afat të shkurtër ndoshta do të kenë efekt pozitiv, por në afat të gjatë agonia me gjendjen e rëndë financiare të fondeve, nuk do të zgjidhet – vlerësojnë për Portalb ekonomistët.

“Ky hap ishte paralajmëruar që moti. Ndryshimet ligjore për pagesën e taksave për kontributet duhet të sigurojnë para për konsolidimin e zbrazëtirës buxhetore. Ajo që është shumë me rëndësi për t’u bërë, është të vlerësohet se si këto taksa të reja do të ndikojnë mbi klimën afariste. Këtë do ta shohim më vonë. Jemi dëshmitarë se investitorët, gjegjësisht kompanitë e huaja që punojnë në Maqedoni, një pjesë të madhe të njerëzve e angazhojnë nëpërmjet kontratave në vepër, ose kontratave autoriale, për të cilën gjë paguajnë tatim personal. Tani do të duhet të paguajnë taksa plotësuese.” – thotë për “Portalb”-in, profesori universitar, akademiku Abdylmenaf Bexheti.

Nga 1 janari, të gjithë ata që marrin honorar më të lartë se sa rroga minimale, do të duhet të ndajnë mjete edhe për kontribute në bazë të rrogës. Sipas propozuesit të ndryshimeve ligjore, qëllimi është të detyrohen punëdhënësit që të mos e keqpërdorin rrogën minimale të përcaktuar me ligj, gjegjësisht, të mos i ikin pagesës së taksave. Në këtë mënyrë, sipas qeverisë, punëtorët e angazhuar të punësuarit që kanë status të të papunësuarve do të fitojnë status të të punësuarve.

“Futet kategori e re e të obliguarve që duhet të paguajnë kontribute për sigurim të detyrueshëm social, edhe atë njerëz që realizojnë të ardhura nga kryerja e punës fizike dhe/ose intelektuale, në bazë të kontratës në vepër dhe/ose kontratës autoriale me të cilën është përcaktuar kompensim për punën e kryer në vlerë neto më e lartë se sa rroga minimale për vitin e kaluar, që është përcaktuar me ligj” – shkruan në Ligjin e ndryshuar për kontribute nga sigurimi i detyrueshëm social, si dhe në ligjet e tjera me të cilat rregullohen taksat ndaj shtetit.

Sipas akademikut Bexheti, mu këto masa do të kenë vetëm aspekt fiskal, e jo edhe zhvillimor.

“Sipas meje, kjo masë nuk ka logjikë ekonomike, dhe ajo është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, të cilat nuk lejojnë pagesë të dyfishtë të taksave të njëjta, gjendje kjo me të cilën mund të ballafaqohen të punësuarit aktualë, në raste kur, për shembull, janë të punësuar te një punëdhënës, ndërsa marrin honorar për të cilin do të duhet të paguajnë kontribute shtesë. Edhe një çështje e rëndësishme është ajo se çka fitojnë këta punëtorë të siguruar, si rezultat i pagesës së dyfishtë të kontributeve për sigurim shëndetësor. Në fund, e gjitha përfundon me mbushjen e arkës buxhetore, mirëpo këto masa nuk kanë aspak logjikë elementare ekonomike”, thotë për Portalb, profesori Bexheti dhe shton se në vend të ballafaqimit me ekonominë e zezë, kjo masë mund ta stimulojë atë.

“Në vend se në llogarinë transaksionale, një pjesë e honorareve do të paguhen në kesh që t’i iket pagesës së kontributeve. Nuk duhet të përjashtohet as mundësia e efektit të këtillë. Por, ka rrezik, që në vend të shtimit të të ardhurave si rezultat i këtyre taksave, qeveria të mbetet edhe pa ato mjete që tani i ka. Për shembull, një kompani e huaj angazhon konsultantë nëpërmjet kontratave në vepër ose kontratave autoriale, për të cilën gjë paguan tatim personal. Ajo kompani, që t’u ikë pagesave plotësuese të taksave, tani do të kërkojë mënyrë tjetër që t’i paguajë honoraret, me ç’rast arka buxhetore do të ketë më pak të ardhura si rezultat i tatimit personal” – sqaron profesori Bexheti.

Pensionimi vullnetar – zgjidhje për administratën, por edhe për punëtorët e ndërtimit?

Sindikati dhe komuniteti afarist me reagim pozitiv e pritën ndryshimin ligjor për shtyrjen vullnetare të moshës së pensionimit.

“Propozohet, që punëtori të mund të kërkojë me anë të kërkesës me shkrim vazhdim të kontratës së punës edhe pas përfundimit të moshës 64 vjeçare, edhe atë më së shumti deri në moshën 67 vjeçare për burrat, gjegjësisht deri në moshën 65 vjeçare për gratë. Në atë rast, punëdhënësi është i obliguar ta vazhdojë kontratën deri në moshën për të cilën punëtori kërkon vazhdim të saj, shkruan në Ligjin për marrëdhënie të punës.

Еkonomistët thonë se në tërësi, zgjidhja është e mirë, por pyesin se për kë?

“Bëhet fjalë për masë populiste, e cila parasheh pensionim vullnetar me plus tre vjet edhe për burrat edhe për gratë. Në ato industri dhe degë ekonomike që janë më të rënda, punëtorët mezi se do të presin që t’i plotësojnë kushtet minimale për të dalë në pension. Por, nuk do të jetë kështu edhe me profesionet “parazite”, gjegjësisht profesionet pasive – arsimin, sektorin publik, shëndetësinë, institucionet shtetërore. Të gjithë të punësuarit në këto sektorë, besoj se do ta shfrytëzojnë mundësinë për vazhdimin e moshës së pensionimit” – sqaron profesori Bexheti.

Sipas tij, edhe kjo masë është e paqartë dhe është në kundërshtim me qëllimin që të ndryshohet struktura e tregut të punës, gjegjësisht të moshuarit t’u japin përparësi të rinjve që janë të arsimuar dhe të trajnuar.

“Nuk mund ta kuptoj se cili është qëllimi i kësaj mase dhe a do të japër ajo efekt pozitiv kur flasim për atë se duhet të zbatohen politika për stimulimin e punësimit të kategorisë së të rinjve. Vazhdimi i moshës së pensionimit, veçanërisht në administratë, do të rezultojë me atë që personat më dinamikë dhe më aktivë do të duhet të presin që dikush të pensionohet në moshën 67 vjeçare, që ata të vijnë në vend të tij, që është në kundërshtim me zotimet aktuale për zvogëlimin e papunësisë te të rinjtë” – përfundon akademik Bexheti.

Rregullat e reja për pensionim vullnetar dhe për pagesën e kontributeve për honoraret, do të hyjnë në fuqi nga 1 janari. Pas takimit të Këshillit ekonomik-social gjatë javës së kaluar, ku janë shqyrtuar paqartësitë ligjore, tani për tani është përjashtuar mundësia për ndryshim të ligjeve të propozuara.

“Fillimisht do të presin t’i shohim efektet nga zbatimi i ligjeve, e pataj do të reagojmë. Qëllimi është të zvogëlohen keqpërdorimet me pagesën e rrogës minimale të garantuar me ligj, por gjithsesi se pagesa e kontributeve në raste të caktuara do të paraqesë edhe harxhime të reja për biznesmenët. Nuk është fshehtësi se si është gjendja me likuiditetin e fondit pensional dhe atij shëndetësor dhe ne këtu duhet të ndihmojmë” – thotë Mile Boshkovi nga Konfederata e punëdhënësve.

Sipas propozuesit të ndryshimeve ligjore, bëhet fjalë për praktikë të njohur botërore.

“Gjatë periudhës së kaluar vërejtëm dhe kishim ankesa nga shumë njerëz se ata nuk u jepet punësim me afat të caktuar, vetëm me qëllim që pronarët e kompanive t’i ikin pagesës së kontributeve. Nga ana tjetër, e analizuam se si është gjendja në vendet e tjera të Evropës dhe konstatuam se në rreth 95 për qind të vendeve kemi situatë ku paguhen kontribute për ata që punojnë me honorar” –deklaroi kryeministri Nikolla Gruevski.

Ndryshimet ligjore do të hyjnë në fuqi më 1 janar. Punëtorët dhe punëdhënësit që nuk do t’i respektojnë ato, do të ballafaqohen me dënime, gjegjësisht gjoba. Prej 500 deri në 1.000 euro do të duhet të paguajë ai që është i obliguar të paguajë kontribute për veten e tij në qoftë se nuk e dorëzon kontratën në vepër ose kontratën autoriale deri te Fondi për sigurim pensional dhe invalidor. Dënim në vlerë prej 300 deri në 600 euro do t’i shqiptohet atij që nuk do të paraqitet për të paguar kontribute për sigurim pensional, e po aq do të paguajë edhe personi përgjegjës i subjektit që është i obliguar të llogarisë dhe të paguajë kontribut për sigurimin pensional. Dyqind euro do të duhet të paguajë personi i papunësuar që merr honorar ose punon me kontratë në vepër nëse inspektorët e gjejnë duke punuar te ndonjë punëdhënës, e me shumën e njëjtë do të dënohet edhe punëdhënësi.

Pakoja me ndryshimet ligjore u miratua me shpejtësi gjatë javës së kaluar.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button