Kush do të akuzohet nesër dhe për çfarë?

Shefi i Task-Forcës Speciale të BE’së për hetimin e pohimeve të Dick Martyt, Prokurori amerikan Clint Williamson, nesër në Bruksel do ta shpalos të gjeturat e hetimeve tre vjeçare të tij.

Në Prishtinë të gjithë presin se Williamson do të hedh poshtë përfundimisht pohimet për trafikim organesh, por ai do të akuzojë disa prej drejtuesve të njohur të luftës së UÇK’së, tash drejtues politikë, për vrasjen e disa civilëve serbë gjatë luftës.

Burime të Gazetës Express thonë se bazë e këtyre hetimeve dhe njëherësh bazë për akuzat e reja është fakti se sot e kësaj dite nuk dihet se ku janë rreth 500 serbë të vrarë gjatë luftës.

“Mbi dhjetë persona do të akuzohen për krime lufte, shumica nga ta drejtues të njohur të luftës dhe zyrtarë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës”, ka thënë një burim i Gazetës Express.

Ndryshe, Willamson në Kosovë ka qëndruar gjatë javës së kaluar ku është takuar me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, me ministrat Hajredin Kuqi, Bajram Rexhepi e Agim Çeku si dhe me udhëheqësit ndërkombëtar që veprojnë në Kosovë.

Task Forca Speciale për hetimin e pretendimeve të Dick Martyt se në Kosovë gjatë luftës ka pasur trafikim të organeve është themeluar në shtator të vitit 2011.

Konferenca do të fillojë nesër në orë 10:30 të mëngjesit.

Lajme të ngjashme

Back to top button