OKB: Armëpushim humanitar pa kushte
Këshilli i Sigurisë së OKB-së ka bërë thirrje për një armëpushim humanitar të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar në Gaza.
Në një seancë emergjente, KS mbështeti deklaratën që bënte thirrje për paqe gjatë pushimeve muslimane të Fitër Bajramit, por edhe përtej tyre.
Të dy të dërguarit, ai palestinez dhe ai izraelit, në OKB kanë kritikuar deklaratën për arsye të ndryshme.
Gaza kaloi natën e saj më të qetë prej më se 3 javësh tashmë, pas një fundjave ku u shënuan disa iniciativa të shkurtra paqeje, të ofruara si nga Izraeli edhe nga Hamasi.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, të dielën e uli numrin e viktimave palestinezë me 30, pasi disa të afërm gjetën anëtarët e tjerë të familjes që kishin humbur.
Ushtria izraelite raportoi një sulm të ri me raketa mëngjesin e së hënës, duke thënë se ato kishin rënë në një fushë të hapur në Izraelin jugor. Vendi hebre nuk ka nguruar t’i kundërpërgjigjet, në atë që mund të cilësohet si veprimi i parë ushtarak që prej mbrëmjes së të dielës. / Top Channel