Ç’është Bajrami?

Muslimanët kanë dy festa, dy bajrame, Bajramin e Ramazanit dhe Bajramin e Kurbanit. Këtë qartë e ka theksuar Muhammedi a.s. në një hadith të tij. Kjo festë ka edhe përmbajtjen e saj, gëzimin, harenë, në çka tregon edhe shembulli i Ebu Bekrit r.a., i cili me një ditë bajrami e vizitoi të bijën e tij, Aishen r. anha, në shtëpinë e Muhammedit a. s.


Aty takoi dy shërbëtore që këndonin në shenjë feste. Ebu Bekri r. a., i prekur nga kjo gjendje, si baba, e qortoi Aishen r. anha, duke bërtitur: “Vallë, kënga në shtëpinë e Pejgamberit të Zotit?! Pejgamberi i Zotit, i kthyer me shpinë nga ana tjetër, u kthye dhe tha: “O Ebu Bekër, lëri! Çdo popull i ka festat e veta, kurse kjo është festa (bajrami) jonë.” (Buhariu dhe Muslimi, në: Muhammed Abdullah Draz, Agjërimi i Ramazanit, Prishtinë, 1987).


Në arabisht quhet ‘Id, që do të thotë kthim, sepse gjerat kthehen në gjendjen e mëhershme, normale, siç është ngrënia gjatë ditës etj.

Festën e Bajramit të Ramazanit do ta shënojnë të gjithë besimtarët, e sidomos ata të cilët kanë dhënë kontributin e tyre shpirtëror e fizik.
Baza sheriatike e faljes së namazit të bajramit është në suren El-Kevther, ajeti 2: “Prandaj falu për Zotin tënd dhe pre kurban!”, dhe në suren El-A’la ajeti 14-15: “Shpëtimin do të arrijë ai që pastrohet (nga të këqijat) dhe që e përmend emrin e Zotit të vet dhe falet!” Komentuesit e Kur’anit mendojnë se fjalët falu (fe sal-li –) dhe falet (fe sal-) janë në lidhje me faljen e namazit të bajramit.

Prej kur daton Bajrami?
Bajrami i parë i Muhammedit a. s. ka qenë në vitin e dytë hixhri, në çka tregon hadithi në të cilin Enesi transmeton se “Pejgamberi i Allahut erdhi në Medinë, kurse banorët e saj kishin dy festa nga koha e injorancës, gjatë së cilave ditë ata argëtoheshin. Pejgamberi a. s. i pyeti: “Cilat janë këto dy ditë?’, kurse ata u përgjigjen: ‘Dy ditë në të cilat ditë jemi argëtuar gjatë kohës së injorancës.” Në këtë Pejgamberi i Zotit tha: “Allahu ua ka zëvendësuar ato festa me dy festa më të mira: atë të Kurbanit dhe të Ramazanit.’” (Ebu Davudi, hadithi është sahih.)

Besimtarët musliman, përkatësisht shënojnë edhe disa data të tjera, si: Bedrin, Çlirimin e Mekës, Kadrin, Mi’raxhin, Mevludin etj. Në këto ditë agjërohet, lexohet Kur’an, bëhet namaz nafile e veprime tjera të pëlqyera. Disa grupe minore thonë se këto nuk janë festa dhe se janë haram (bid’ate) të festohen. Përgjigjja është se këto data nuk janë detyrime fetare, por data që muslimanët i kujtojnë për të mirë dhe në këtë emër këndojnë Kur’an, agjërojnë, bëjnë ibadete të ndryshme, ndajnë sadakë, jo si festa por si ditë që duhet ta mbajnë gjallë kujtesën e muslimanëve. Me këtë veprim ata nuk kryejnë asnjë shkelje të dispozitave, përkundrazi, shtojnë intensitetin e ibadeteve dhe zbusin zemrat para egoizmit.

Pastrimi i ambientit brenda dhe jashtë shtëpisë, oborrit dhe rrugës
Islami i kushton rëndësi të madhe pastërtisë individuale, kolektive por edhe pastërtisë shpirtërore, ekologjike etj. nisur nga kjo, dikur por edhe sot është detyrë parësore e familjeve muslimane pastrimi i shtëpisë, i dekorit shtëpiak etj. Pastrohet edhe oborri i shtëpisë, stërpiket me ujë rruga dhe hiqen mbeturinat si kurrë më parë. Ditët e fundit para Bajramit tërë familja janë në shërbim të pastrimit të shtëpisë, brenda dhe jashtë, që ditët e bajramit të duken sa më të këndshme.

Pastrimi i besimtarëve para namazit të Bajramit
Para se të nisen në xhami për namaz të Bajramit, besimtarët pastrohen. Këtë e kanë praktikuar as’habët më të mëdhenj: Ibn Umeri r.a., Aliu r.a., Hasan Basriu e të tjerë nga dy brezat e parë. Koha e pastrimit duhet të jetë sa më afër Bajramit, por për shkak të rrethanave të ndryshuara, largësisë së xhamive e tjera, pastrimi mund të bëhet kurdo qoftë para Bajramit.

Veshmbathja e mirë
Gjatë bajramit muslimanët duhet të vishen mirë, me rrobat më të mira që kanë. Edhe Muhammedi a.s., edhe Omeri r.a. edhe as’habë të tjerë janë veshur bukur. Veshmbathja nuk vlen vetëm për ata që shkojnë në xhami por për të gjithë. Edhe ambienti në shtëpi, oborr e rrugë duhet të dallohet nga ditët tjera, si shenjë e Bajramit dhe edukatës muslimane. Zbukurimi nuk nënkupton veshjen ekstravagante, parfumosjet e pavend, zbulimin e trupit etj.

Ngrënia diçka para Bajramit të Ramazanit
Dijetarët muslimanë pajtohen se muslimanët para se të shkojnë në namaz të Bajramit duhet të hanë diçka. Ishte praktikë e Muhammedit a.s. t’i hajë disa kokrra hurme, zakonisht tek, para namazit. Kjo është shenjë që po përfundon agjërimi. E kundërta veprohet gjatë bajramit të Kurbanit. Në atë rast, nuk hamë asgjë derisa kthehemi prej namazit të Bajramit.

Shpërndarja e sadakat’ul-fitrit (dhe zekatit) për Fitër Bajram
Koha e fundit për ta dhënë sadakt’ul-fitritn në institucionet e Bashkësisë Islame është namazi i Bajramit. Në rrethanat e atëhershme, Muhammedi a.s. ka urdhëruar që sadaka të ndahet para namazit. Për shkak të rrethanave të tjera të banimit, të urbanizimit të qyteteve etj., kohëve të fundit sadakat’ul-fitri organizohet ndryshe, tubohet më herët nga institucioni i Bashkësisë Islame, me triska, sipas kategorive të ndryshme, që i përgjigjet standardit të besimtarëve. Këto mjete duhet të shpërndahen institucionalisht në pajtim me ajetin kur’anor Et-Tewbe, 60, ose disa prej pikave të ajetit:

Zeqati u takon vetëm të varfërve dhe të mjerëve, edhe atyre që e tubojnë, edhe atyre zemrat e të cilëve duhet përfituar, edhe për lirimin e robërve, dhe të ngarkuarve me borxhe, edhe për hir të rrugës së Allahu, edhe udhëtarëve – musafirë, si obligim nga All-llahu. Kurse All-llahu i di të tëra dhe është i urtë.” (Et-Tewbe, 60).

Kurban Bajrami

Me Kurban Bajramin mbaron dhe Haxhi, që është kushti i pestë i Islamit, me të cilin dëshmohet solidariteti dhe mirëqenia. Në këtë ditë të shënuar të kalendarit mysliman theren kurbanë, që simbolizon sakrificën për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Kur’ani, Haxhi dhe Kurbani janë përmbajtjet themelore të Kurban Bajramit, të cilët paraqesin tri ideale të larta Islame.
Kur’ani paraqet arsimimin dhe devotshmërinë, Haxhi solidaritetin reciprok dhe Kurbani – sakrificën për të tjerët. Sakrifikimi në këto ditë të shenjta të Kurban Bajramit shprehet përmes therjes së kafshëve të caktuara, të cilat emërohen “kurban” ose sakrificë. Edhe ky akt fetar bie në ibadetet pronësore që çdo mysliman të therë kurban.

Falja e namazit të Bajramit
Pejgamberi a. s. e kishte bërë zakon që namazin e Bajramit mos ta falë në xhaminë e tij, por në hapësirë të hapur, atë që e quajmë namaz-xhah apo musal-lë. Kjo praktikë ishte sunnet. Namazin e Bajramit e falin të gjithë ata që duhet ta falin namazin e xhumasë, kurse argumenti për këtë është sepse Pejgamberi s.a.v.s. e ka falur rregullisht.

Ecja këmbë deri në xhami është e pëlqyer
Është e pëlqyeshme që në namaz të bajramit të shkojmë këmbë, siç ka vepruar edhe Muhamedi a. s. (Ibn Maxhe, hadithi është sahih).
Kjo është më e mirë, por kushtet e reja urbane, largësia e xhamisë e probleme të tjera i kanë ndryshuar kushtet, kështu që nuk ka të keqe nëse deri në xhami ecim edhe me veturë, tren apo ndonjë mjet tjetër trafiku. Është mirë që deri në xhami të shkojmë me një rrugë kurse të kthehemi me një rrugë tjetër. (Buhari)

Marrja e tekbireve
Marrja e tekbireve është e bazuar në Kur’an:
“… Por ditët e caktuara t’i plotësoni dhe Allahun ta madhëroni, për shkak se u ka udhëzuar në rrugë të drejtë, mbase do të jeni mirënjohës!” (El-Bekara, 185)
Ibn Omeri herët shkonte në xhami, dhe gjatë rrugës merrte tekbire, por edhe në xhami dhe pushonte vetëm kur imami ulej në minber. (Hakim dhe Bejhekiu, kurse hadithi është sahih).
Imam Begaviu mendon se është “prej suneteve marrja e tekbireve natën e dy bajrameve, në vendqëndrim, në rrugë, në shtëpi, mesxhid, treg, gjatë sabahut, në vendin ku bëhet namaz, derisa nuk vjen imami.”
Pejgamberi s.a.v.s. në ditët e dy bajrameve ka dal (nga shtëpia drejt xhamisë), duke lexuar tehlil (la ilahe il-lall-llah) dhe tekbir (Allahu ekber) me zë të rritur” (Bejhekiu, kurse hadithi është hasen.).

Namazi i Bajramit
Namazi i bajramit është vaxhib, detyrim individual fetar. Bajrami fillon kur te ngrihet dielli në gjatësi të një apo dy shtizave e deri në zeval (kur dielli është në mes të qiellit). Në bajram nuk ka as ezan as ikamet. Falen dy reqate. Dijetarët hanefijë pohojnë se në reqatin e parë, para El-Fatihasë dhe sures, lexohen tre tekbire, ndërsa në reqatin e dytë, pas leximit të El-Fatihasë dhe sures, lexohen tre tekbire, duke i ngritur duart deri te laprat e veshit.

Hutbja e Bajramit
Ibn Abbasi transmeton se hutbja e namazit të Bajramit bëhet pas namazit të Bajramit. Ai thotë: “Kam marrë pjesë në namaze të bajramit me Pejgamberin, Ebu Bekrin, Omerin dhe Osmanin dhe të gjithë e falnin namazin para hutbes.” (Buhariu). Hutbja duhet të jetë e shkurtër, përmbajtësore, udhëzuese dhe mbi të gjitha aktuale. Thjesht, hutbja duhet të jetë program javor për besimtarin në aspektin besimor dhe praktik.

Urimet e Bajramit
Nuk kemi ndonjë mënyrë të saktësuar se si bëhet urimi nga vetë Muhammedi a.s., por sahanët kanë transmetuar se njëri tjetrit ia uronin me fjalët “Tekabbelall-llahu mina ve minkum!”, që domethënë: “Allah e pranoftë nga ne dhe nga ju!” (Hadithi është hasen, si e ka cek Ibn Haxheri në Fet’hul-Bari). Te ne praktikohen disa mënyra urimi: Me fat Bajramin, Për hajr Bajramin, Urime Bajramin, Bajram mubarek olsun etj.

Urimi i Bajramit lejohet edhe nga dijetarë të tjerë, por nuk ekziston ndonjë formë. Ajo mund të bëhet në mënyra të ndryshme, duke pasur kujdes që formulimet mos të përmbajnë fjalë apo fjali që dëmtojnë besimin islam.

Mënyra e festimit të Bajramit
Bajrami është ditë e veçantë për muslimanët, sidomos për agjëruesit. Ata gëzohen për bajramin, njëkohësisht e kalojnë në bindje ndaj urdhrave të tij. Kemi shumë raste të rasteve gazmore, të cilat Muhammedi a.s. nuk i ka penguar. Me një rast rrëfen Aisha r. anha se si Pejgamberi i Zotit e ka ulur në një vend e ajo shikonte habeshinjtë të cilët luanin me shtiza në mesxhid. Kur i pa Omeri r.a. i qortoi ata, kurse Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Lëri! Nëna jonë është nga Benu Erfide”. (Buhariu).

Hadithet e shumta tregojnë se gjatë ditëve të Bajramit është e lejuar të relaksohemi, të argëtohemi, pasi një angazhimi të madh shpirtëror dhe fizik, të agjërimit dhe ibadeteve tona. (Fet’hu’l-Bari).

Ushqimet e përgatitura
Pas kthimit nga xhamia, Bajrami festohet me më të afërmit. Sofra e bajramit, përkatësisht dreka e bajramit është pjesë përbërëse e shënimit të kësaj feste. Çdo gjë përgatitet në mënyrë të veçantë: mbulesa e sofrës (tavolinës), enët, gjellëra me bollëk. Më së shpeshti përgatitet paça ose supa, pastaj tava, sarma, dollma, qoftet e pashës, mish i pjekur, myseku e musaka, elbasan tava, sallata, kos, dhallë dhe zakonisht bakllavë, sheqerpare e ndonjë ëmbëlsirë vendi apo rajoni. Kjo varet edhe nga fuqia ekonomike e familjes.

Edhe diçka. Gjatë ditëve të bajramit është i ndaluar agjërimi, sepse këto janë ditë të ushqimit dhe pijeve. (Ahmedi dhe Muslimi).

Vizitat gjatë Bajramit
Ditën e parë të Bajramit zakonisht vizitohet familja e ngushtë dhe e gjerë, e më vonë edhe fqinjët, miqësia, kolegët etj. Vizitohen edhe varrezat, duke kënduar një El-Fatiha apo edhe ndonjë Ja Sin për më të dashurit tonë.

Me rritjen e fëmijëve meshkuj, edhe ata merren me vete gjatë vizitave, që të njoftohen me farefisin apo miqësinë. Diku-diku është ruajtur edhe puthja në ballë e fëmijëve kurse ata puthin dorës e më të vjetrit.

Gjatë Bajramit duhet pasur kujdes të veçantë ndaj të afërmve, qoftë edhe me ndonjë dhuratë.

Pajtimi mes të hidhëruarve
Jeta na çon në situata të paparashikuara dhe ndodh të hidhërohemi mes veti. Bajrami është rasti më i mirë që këto mospajtime t’i braktisim, në frymën e Kur’anit dhe Hadithit, se besimtarët nuk mund të mbajnë hidhërim përtej tri ditëve. Bajrami është rasti më i mirë për pajtim dhe dashuri mes veti.

Përfundim
Disa nga tradita e Bajramit po zhduken. Vala e pamëshirshme e shekullit të elektronikës po i ndryshon gjerat, kurse ne jemi treguar të dobët në ruajtjen e traditave dhe identitetit tonë. Shumica e traditave ose janë zhdukur ose kanë mbetur aty-këtu, më tepër formale e më pak si nevojë e kohës.

Muhammedi alejhisselam për bajramin e ramazanit ka thënë: “Kur të vij Bajrami, Allahu liron nga Xhehenemi (zjarri) aq njerëz sa ka liruar gjatë të gjitha netëve të atij Ramazani, tridhjetë herë nga gjashtëdhjetë mirë.” (Hadithin e shënon Bejhekiu).

Lajme të ngjashme

Back to top button