Tavolina e besimtarëve myslimanë pas një muaji sakrifice

Është dita e fundit e një muaji të gjatë sakrifice dhe besimi. Tradita e Ramazanit manifestohet në forma të ndryshme nga qyteti në qytet. Përjetimi i këtyre ndryshimeve kanë bërë që kultura e Ramazanit të ndikojë në shumë fusha të jetës. Kuzhina e këtij muaji është e veçantë. Bukët speciale që gatuhen gjatë këtij muaji, gjellët e iftare dhe zijafete është ndryshme, sofrat e stolisura të iftarit nga hurmat, ëmbëlsirat dhe sallatat e ndryshme. Kandilat gjatë gjithë këtij muaji kanë mundur të vezullojnë nëpër minaret e xhamive jo veëm në Shqipëri, po thuajse në të gjitha vendet ku ka myslimanë, edhe pse në disa vende të Lindjes së Mesme mund të mos jetë festuar kështu për shkak të gjendjes së vështirë në të cilën ato ndodhen. Elfa Kodra, është një nga besimtaret dhe ndjekëset e rregullta të këtyre riteve dhe festimeve. Sot, ajo vjen në një intervistë për gazetën “Shekulli” në mënyrë që të na rrëfejë se si po përgatitet për natën e madhe, për ditën kur njerëzit urojnë njëri-tjetrin: Gëzuar Fiter Bajramin.

Si po përgatiteni për Fiter Bajramin?

Shpeshherë më ndodh të mendoj dhe të llogaris ditë e afate kohore për të realizuar objektiva. Në të vërtetë për njerëzit e organizuar që duan të arrijnë në jetë kanë gjithnjë afate, kohë të kufizuar, punë intensive dhe finalizim të përpjekjeve. I tillë është muaji i Ramazanit që ngërthen në vetvete një maratonë të madhe me ftesë hyjnore. Në këto ditë të numëruara kryerja e adhurimeve dhe çelja e iftareve i gjen besimtarët rreth dimensionit të adhurimit dhe tryezave të përbashkëta. I gjen të bashkuar në mënyrë intensive në ndihmë ndaj kategorive dhe grupmoshave të ndryshme në nevojë. Lutja e natës në 10-ditëshin e fundit të ramazanit i mbledh individët besimtarë praktikantë apo dhe qytetarë të thjeshtë në një grup të madh social në të cilin ndjenja e paqes, dashurisë dhe solidaritetit ushqehet,rritet dhe filtrohet. Edhe mua kështu më gjen. Ky muaj i jashtëzakonshëm ushqen me energji, kohezion, vlera dhe unitet praktikuesit në veçanti dhe sistemin social në përgjithësi. Pra, duke u treguar realiste dhe modeste besoj fuqimisht se ky muaj i begatë përfshin,trajnon dhe trajton individin në çdo sferë të jetës.

Cila është atmosfera në familjen tuaj? A përgatiten ata bashkë me ty?

Ka një rregull gjithëpërfshirës për universin njerëzor, në të cilin çdo përpjekje dhe arritje finalizohet me atmosferë festive. Besimtarët myslimanë në mbarë botën dalin me familjet e tyre duke gëzuar me komunitetin besimtar dhe më gjerë dhe duke ndarë urime të përzemërta. Ditë përpara festës së Bajramit, përkrah agjërimit, adhurimeve dhe angazhimeve të tjera merrem edhe unë me përgatitjet për të krijuar një ambient të këndshëm dhe festiv në familje. Bashkë me bashkëshortin i nxisim djemtë që të zbukurojnë dhomën e tyre në mënyrë kreative,blejmë së bashku artikujt që kanë listuar dhe krijojmë zbukurime. Amri (djali i vogël) dëshiron të recitojë poezi, ndërsa Unejsi është i prirur që të tregojë shumë këndshëm një histori dhe të japë mesazhin e saj. Edhe djali i madh Abdurrahmani, tashmë është futur në fazën e adoleshencës performon disa ushtrime taikondoje, të cilat i ka shumë për zemër.

Çfarë do të gatuani? 

Për këtë festë përzgjedhim veshjet,aromat më të mira. Në çdo drekë bajrami tryeza i mbledh anëtarët e familjes pranë njëri-tjetrit duke shijuar gatimet e ndryshme. Hera-herës kemi preferuar që me të afërmit tanë të drekojmë jashtë. Por secila zgjedhje ka diçka të veçantë, prandaj të dyja alternativat qëndrojnë në pritje në vigjilje të dy bajrameve. Këtë Bajram kemi vendosur të festojmë në ambientin tonë familjar. Personalisht parapëlqej larminë, traditën por dhe recetat e reja. Këtë bajram do të servir një supë të lehtë, sallatë me rukola dhe parmixhan, ndërsa si pjatë kryesore do të gatuaj përsheshin me nana dhe pulë që është traditë e vjehrrës sime, eskallop me kërpudha dhe perime sote

Po ëmbëlsira? Sa e rëndësishme është në një ditë të tillë? 

Si ëmbëlsirë do të servir ëmbëlsirën tradicionale, bakllavanë. Mendoj se kjo ëmbëlsirë do të vazhdojë të mbajë mbi supe peshën dhe bukurinë e traditës shqiptare në tryezat festive të shqiptarëve.

Si e mbani mend festën që bëhej në shtëpinë tuaj kur keni qenë e vogël? A ndryshonin mënyrat e festimit? 

Më kujtohet atmosfera në familjen time kur isha e vogël. Edhe pse kam kaluar fëmijërinë në periudhën e monizimit kujtoj gjyshen time fisnike e cila tëhollte petët e bakllavasë së Bajramit me mamanë dhe hallën dhe i shtronin për t’i tharë mbi çarçafë të bardhë. Kur e çonin tepsinë e madhe për ta pjekur i hidhnin sipër një petë byreku që të mos kuptohej se ishte bakllava. Nëpërmjet një komunikimi joverbal shumë të hollë furxhiu e kuptonte situatën dhe e piqte me shumë kujdes “byrekun” të cilit nëse i zbulohej identiteti i vërtetë mund të shkaktonte burg dhe internime mbi familjen. Asokohe festohej vetëm Viti i Ri, ndërsa kjo ëmbëlsirë në familjen time bëhej për ftesën e bajramit. Më kujtohet se kjo traditë mblidhte familjarët e mi(farefisin) të cilën vinin për të na uruar dhe për të shijuar bakllavanë e mrekullueshme të gjyshes më fisnike në botë.

Dobitë shëndetësore të agjërimit

– Agjërimi mbron nga sëmundjet mendore dhe psikike. Është vërtetuar ndikimi i tij në sëmundjen e skizofrenisë. Dr. Bedaëi Nikolajev i Institutit Psikik të Moskës thotë se sëmundjet mendore mund të kontrollohen dhe të përmirësohen me anë të agjërimit dhe dietave. Kjo metodë është aplikuar në 1000 të sëmurë psikikë dhe pasi agjëruan rezultoi se 65 % e tyre ishin përmirësuar.

– Agjërimi mbron nga dhjamosja dhe rreziqet që vijnë prej saj, si sëmundjet e brendshme dhe të zemrës, arterioskleroza e përgjithshme, dhimbjet e kyçeve, asimilimi i vertebrave etj.

– Agjërimi forcon sistemin imunitar. Ai e mbron trupin nga një numër i madh sëmundjesh, duke e përmirësuar dhjetëfish treguesin fiziologjik të qelizave limfatike (lymphatic cells) dhe duke e shtuar sasinë e qelizave përgjegjëse për imunitetin specifik (qelizat limfatike T).

– Agjërimi aktivizon palcën kockore, detyra e së cilës është formimi i rruazave të kuqe në trup. Gjithashtu aktivizon lëvizjen e zorrëve, duke i forcuar ato dhe duke shtuar në aftësinë e tyre të nxjerrjes së lëngjeve tretëse, gjë e cila e rendit agjërimin si ilaçin më të mirë kundër shqetësimeve të zorrëve, madje edhe sëmundjeve kronike të tyre të shoqëruara me probleme në tretjen e lëndëve ushqimore.

– Agjërimi e mbron trupin nga formimi i gurëve në veshka. Duke e shtuar mesataren e natriumit në gjak, ai ndalon formimin e kristaleve të kripërave të kalciumit.

– Agjërimi aktivizon gjëndrat “e shurdhëta” (endocrine glands) që gjenden në trup, si gjëndrat e pankreasit, etj.

– Agjërimi e mbron trupin nga rreziqet e helmeve të grumbulluar në qelizat dhe indet e tij si rrjedhojë e ngrënies së ushqimeve dhe e përdorimit të barnave që përmbajnë helme, ose e thithjes së ajrit të ndotur me helme dhe gazra të dëmshëm. / Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button