FUNDI I FESTËS

Edhe atë natë kur u ktheva në këmbë, qyteti gulçonte, mbushur me njerëz dhe energji. Rruga e gjatë disa kilometra deri në shtëpi sërisht m’u duk e shkurtër.

Bioritmi festiv një muaj rresht i besimtarëve është një nga hijeshitë e kushtit të tretë të islamit.

Ramazani, po ta shqipërojmë, del “shumë i nxehtë”, në përkthim të lirë: “përcëllues”, por ka edhe kuptimin e fjalës “durim” – po të kombinohen në interpretim të lirë kjo i bie “të bësh sabër edhe po të jetë vështirë”.

Vetë etimologjia e fjalës arabe Ramadan na përkujton një vlerë bazike të jetës.

Shikuar më gjerë, durimi i tepërt më shumë të ngulfat se sa që të “nxjerr në selamet”, por a nuk i përcaktojmë vetë nuancat e ligjeve, a nuk u japim vetë ngjyrë!? Ose më qartë, mund të krahasohet me lutjen e besimtarit drejtuar Zotit “…më jep guxim të ndryshoj atë çka varet prej meje, më jep durim të pajtohem me atë çka s’varet prej meje dhe më jep urtësi të bëj dallimin ndërmjet këtyre të dyjave”.

Të privuarit mujor nga nevojat themelore si një lloj trajnimi psiko-fizik dëshmon se gjithçka nis nga koka, Bindja është kryemotor. Kur beson – e bën. Kur beson – bëhet më kollaj.

Forca e të menduarit pozitiv është ide boshte e bestselerëve botërorë në temat “Si të jetohet më mirë”. Muslimanët ditë për ditë përmes namazit, si dhe gjatë muajit të agjërimit empirikisht dëshmojnë për Përkushtimin dhe Disciplinën. Jomuslimanët kanë problem të kuptojnë se si njerëz me orar pune dhe karrierë falen pesë herë në ditë, ose të kuptojnë se si fëmijët gjatë Ramazanit mësojnë, luajnë në diell, nuk cfiliten – siq mund të supozohet nga anash. Mendoj se këto Vlera si motiv plotësues për fushat tjera të jetës nuk ngërthehen sa duhet në diskursin fetar, në derset tona, në paraqitjet e kryefetarëve.

Ditët e agjërimit janë ditë hiperproduktive. Me metabolizëm pak a shumë të stabilizuar, pa dalur në kafe, pa pauza duhani…fokusi është më i mprehtë, përqëndrimi i patrazuar. Shumë ditë Ramazani m’kaluan duke lexuar deri në muzg. As tekstet më interesante on-line nuk mund t’i konkurrojnë ndjenjës së dobësuar ndër kohë, por ama të papërsëritshme: vetë me librin, bota pushon së ekzistuari, larg lajmeve, pa celular…Si dikur moti kur mendoj se të gjithë lexonim më shumë.

Kushëriri im matematikan këtë muaj kishte përgatitur tre punime shkencore, superrezultat. Koha deri në iftar i ka kaluar fluturimthi.

I vëllai, poashtu shkencëtar, kërkimet më të ndërlikuara i planifikon për kohën e agjërimit. E kam parë në atë vrull pune, lexon dhe shkruan pandërprerë, çohet vetëm për namazet. Fytyra i shkëlqen pasi nuk ka kozmetikë më të mirë se sa kur bën diçka që të pëlqen, kur punon atë që do, apo përgjithësisht kur e jeton jetën si në refrenin e Mimoza Ahmetit “…unë kam qejfin tim dhe s’pyes asnjeri” nga “Këngë për Luis Ljakun”.

…rrugës për në shtëpi në mbrëmjen e ngrohtë me shi të rrallë u ndala tek muri i Xhamisë së Jaja-pashës: nga dritaret poshtë shiheshin burrat si falen, vitrazhi i dritareve të sipërme rrezatonte një dritë si të mekur, drunjtë e vjetër në oborr u lëkundën nga era, larg shihej profili i harkut të lartë të ndriçuar, shtyllat tjera të kredhura në gjysëmerrësirë…

Gjyshja përherë qante natën e fundit të Ramazanit.

Pushova një copë herë afër xhamisë në nga mbrëmjet e fundit të Muajit dhe ndjeva se si në vorbullën e gëzimit fshihej, thellë diku, një pikëllim i vogël…

Lajme të ngjashme

Back to top button