Çfarë e ul cilësinë e USHT-së?

Kohë më parë Universiteti Shtetëror i Tetovës bëri të ditur se nuk do të disperzojë pjesën dërmuese të programeve të saja studimore në Shkup, Strugë, Dibër, Kërçovë dhe Tetovë. Përjashtim bëjnë vetëm pak programe në Kërçovë, Shkup dhe Kumanovë, si dhe disa programe të fakulteteve amë në Tetovë, të cilat do të pushojnë pa qenë paraprakisht të disperzuara Për këtë çështje flet ish zëvendës drejtori në Byronë për zhvillimin e arsimit, Zeqir Kadriu , i cili për Portalb thotë se disperzimet duhet të mbyllen pasi që në tërë botën ekziston një qendër Universitare e cila ka cilësi të lartë.

“Sipas mendimit tim studimet e disperzuara nuk është një hap profesional i një Universiteti. Në tërë botën Universiteti është një qendër në një vend i cili u ofron kushte dhe cilësi studentëve. Disperzimi është një çështje politike e cila tashmë vërehet që ka dështuar dhe fillojnë t’i mbyllin ato në qytetet që u hapën”, tha Kadriu.

Ai shtoi se disperzimi ndikon negativisht në cilësinë e Universitetit dhe ul dukshëm atë.

“Me disperzimin Universiteti humb cilësinë sepse profesorët që udhëtojnë lodhen dhe nuk janë në gjendje të ligjërojnë mirë. Nga njëra anë disperzimi ishte pozitiv shkaku që u ofronte studime edhe atyre që nuk kishin kushte, mirëpo ne nuk kemi nevojë për kuadro dosido, kemi nevojë për kuadro cilësore në një qendër”, shtoi Kadriu.

Po ashtu edhe ish deputeti Izet Zeqiri është kundër studimeve të disperzuara, me ç’rast për Portalb thotë se ligjëratat nuk janë të dobishme nëse mbahen në kushte të mjerueshme.

“Dispezimi është një çështje e dështuar politike, e cila ul cilësinë e Universitetit pasi që studentët ndjekin mësimin në kafene, në shtëpi, punëtori etj, në kushte minimale si dhe me kuadër tejet joprofesional”, tha Zeqiri.

Ndryshe ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti vlerëson se nuk është disperzimi ai që ul kualitetin e USHT-së, por është punësimi i profesorëve në bazë partiake dhe familjare.

“Nuk mendoj se disperzimi i studimeve ndikon në uljen e cilësisë së Universitetit, ndryshe unë mendoj se disperzimi është pozitiv, sepse u krijon mundësi studentëve që kanë kapacitet por në mungesë të kushteve nuk vazhdojnë studimet. Kush mendon se studimet e disperzuara ulin cilësinë, kanë konstatim të gabuar sepse ulja e cilësisë vjen si pasojë e disa kritereve tjera, siç është përzgjedhja e stafit akademik që përmbushin kushtet partiake apo familjare”, tha Rushiti.

Ai shtoi se këtu bëhet fjalë edhe për harxhimet e Universitetit.

“ Universiteti gjithashtu nuk do të harxhojë dhe nuk do t’i mundojë profesorët sepse për mendimin tim mbyllja e studimeve të disperzuara nuk do të ngrit fare cilësinë, nëse po atëherë le të tregojnë se si?”, shtoi Rushiti.

Ndërkaq vitin që lamë pas dhjetë programe të disperzuara të Fakultetit Matematiko-natyrorë pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës në Shkup u mbyllen, pas një vendimi të rektoratit të universitetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button