Përfaqësuesi i Vatikanit në Maqedoni, Anselmo Gvido, viziton BFI-në

Këto ditë, Reisul Ulema i BFI, H. Sulejman ef. Rexhepi, priti për vizitë përfaqësuesin e Vatikanit në Maqedoni (apostol noncin për Maqedoni), Monsinjor Anselmo Gvido Pekorarin, i cili, që në fillim të takimit nënvizoi arsyen e kësaj vizite: “Jam i lutur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, që t’i përcjell përshëndetjet e tij deri te Ekselenca e Juaj, ndërsa, unë, personalisht ju lus që ta shpiejmë në vend amanetin e Papës i cili na porosit që përjetë, ndër njerëzit tanë dhe ndër ata me të cilët bashkëjetojmë të përhapim vetëm dashuri, mirësi dhe ta përforcojmë bashkëjetesën anekënd botës”!

Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, i shprehi falënderimet e veta të thella për mesazhet paqësore dhe të ngrohta të Atit të Shenjtë dërguar për mbarë muslimanët me rastin e Muajit të Bekuar të Ramazanit.  Në vazhdim, efendi Rexhepi foli për angazhimet e BFI-së për thellimin e bashkëjetesës si dhe për angazhimet e saj për një harmoni sa më të përkryer.

“Nuk ka fe qiellore që nuk e predikon të mirën, paqësoren, mirësinë e dashurinë. E keqja nuk vie nga feja, e keqja vie nga politika që mundohet të manipulojë në emër të fesë. Ne, si Institucion fetar islam kemi raporte të mira dhe bashkëpunim të ndershëm me të gjitha bashkësitë fetare të vendit, e në veçanti me Kishën Katolike në Maqedoni. Bashkësitë tona fetare, asnjëherë nuk janë trajtuar njësoj nga politika zyrtare e shtetit. Patjetër që e ndjejmë një diskriminim të thellë dhe një përkujdesje e përkushtim të madh të shtetit ndaj Kishës Ortodokse Maqedonase. Juridikisht, që të gjithë bashkësitë fetare në Maqedoni kemi pozicion të njëjtë dhe jemi kategori kushtetutare, por, në praktikë ndjehemi të nëpërkëmbur. Kohë më parë, me insistim të faktorit ndërkombëtar dhe për hir të bashkëjetesës dhe harmonisë ndër fetare ne krijuam një Këshill religjioz i cili do të udhëhiqej nga kryetari që do të ndërrohej në çdo vit e do të vinte prej secilës bashkësi fetare. Sapo filluan të ecin punët mirë e mbarë, ndërhyri politika zyrtare dhe nuk lejoi që Kisha Ortodokse të ishte në pozita të barabarta me komunitetet e tjera. Politika zyrtare e do Kishën Ortodokse mbi të gjitha bashkësitë e tjera fetare në vend. Ndaj, gjithnjë them që, për ndonjë problem eventual faji nuk duhet të kërkohet në mesin e bashkësive tona fetare por ekskluzivisht te politik bërësit e vendit,” tha, veç të tjerave efendi Rexhepi.

Në vazhdim Reisul Ulema ngriti edhe shqetësimin e popullatës muslimane të vendit rreth përpjekjeve permanente të shtetit që Maqedonisë t’ia japë karakterin dhe ngjyrimin ekskluzivisht ortodoks. “Maqedonia nuk mund të definohet ndryshe përveçse si shtet multietnik, mulltifetar e multikulturor dhe, përderisa do të dëmtohen këto shtylla të këtij definicioni, këtu vështirë se do të ketë qetësi e bashkëjetesë”, nënvizoi H. Sulejman ef. Rexhepi.

Monsinjor Pekorari duke shprehur kënaqësinë e ri takimit me Reisul Ulemanë evokoi bisedat e para të zhvilluara gjatë një takimi para dhjetë viteve. “E di angazhimin tuaj! Gjithnjë keni qenë për një trajtim të barabartë të të gjitha bashkësive fetare të vendit. Edhe atëherë na jeni lutur që Vatikani, personalisht Ati i Shenjtë, të angazhohet për përmirësimin e situatës ndërfetare që ekziston këtu. Ç’është e vërteta, nga atëherë e deri sot shihen përmirësimet por, Maqedonia duhet të dijë, si aspirante për t’u inkuadruar në BE se, në këtë komunitet evropian gjithnjë e më shumë po mbisundon sekularizmi dhe se në këtë komunitet mund të aderojnë vetëm vlerat njerëzore. Në Evropë nuk hyhet me forcën e fesë por me vlerat njerëzore që i posedon besimtari. Ne, si besimtarë të devotshëm, duhet t’i kultiuvojmë vlerat njerëzore dhe t’i përçojmë ato brez pas brezi.  Ne, si komunitet katolik e pranojmë se, në Maqedoni jemi komunitet shumë i vogël, por ama në Evropë e në botë jemi komunitet tepër i madh, ndaj dhe, do të ishte në interes të Maqedonisë si shtet që të ketë respekt ndaj të gjitha komuniteteve fetare, sepse ky respekt do të dëshmojë për seriozitetin e shtetit si dhe për gatishmërinë e politikës për bashkëjetesë në një megastrukturë politike të quajtur BE”, ka nënvizuar në fund të takimit, Monsinjor Pekorari.

Ndryshe, si mysafiri i lartë, ashtu edhe Reisul Ulema i BFI-së, u pajtuan për bashkëpunim sa më të thellë si dhe për takime më të shpeshta, gjithnjë në funksion të përmirësimit të bashkëjetesës dhe të krijimit të kushteve për një harmoni dhe barazi të plotë për të gjithë komunitetet e vendit, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare, kulturore.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button