Ndryshimet e ligjit për marrëdhënie pune, shoqërohen me paqartësi dhe dilema

Kaos dhe një sërë dilemash hapin ndryshimet e reja ligjore sipas të cilave ata që punojnë me honorar ose me kontratë në vepër ose ata që krahas punës së rregullt kanë edhe të ardhura honorarësh, do duhet që për këto para të paguajnë kontributet për sigurimin shëndetësor dhe atë pensional. Nga qeveria thonë se ndryshimet bëhen me kërkesë të qytetarëve pasi punëdhënësit i keqpërdorin, dhe në vend të kontratave për punësim, për t’u shmangur kontributeve, u kanë ofruar punonjësve vetëm kontrata me honorar.

Çfarë ndodh nëse dikush me honorar në dy ose tre vende pune duhet të paguaj kontribute edhe për to?

“Ligji do të përcaktoj saktë çdo gjë”, u përgjigj  Nikolla Gruevski, kryetar i Qeverisë së RM-së

Megjithatë, një pjesë e ekonomistëve thonë se ndryshimet bëhen pasi arkat e fondit për sigurim pensional po varen gjithnjë e më shumë nga paratë që transferohen nga buxheti i shtetit, dhe kështu qeveria kërkon mënyra se si t’i amortizojë shpenzimet,transmeton Alsat.

“Praktika tregon se kompanitë, deri në momentin e miratimit të Ligjit për Rrogën Minimale kanë paguar edhe rroga dhe kontribute më të mëdha. Kjo mundësi është edhe pasojë për gjendjen gjithnjë e më të varfër të Fondit Pensional. Kjo masë do të duhet të kontribuojë në kthimin në gjendje të këtyre dy fondeve, por edhe në rritjen e përgjegjësisë”, tha Mile Boshkov, Konfederata e punëdhënësve.

Sot ndryshimet ligjore u shqyrtuan në Këshillin Ekonomiko-Social. Qeveria, sindikata dhe punëdhënësit ranë dakord se ndryshimet bëhen në interes të punëtorëve. Megjithatë ka pasur dhe vërejtje.

“Vërejtje pati mbi ato që biseduam; shmangien e tatimit të dyfishtë ose llogaritjen e dyfishtë të kontributeve dhe pagesën e tyre”, u shpreh Mile Boshkov, Konfederata e punëdhënësve.

Sipas sqarimeve, nëse ndonjë punëtor ka rrogë më të madhe se 6 rroga mesatare, ai do të lirohet nga pagesa e sigurimit për të ardhurat shtesë. Por, nëse ka rrogë më e vogël se 6 rroga mesatare, atëherë do duhet të paguaj sigurim për të ardhurat shtesë”. Me këtë ai do të përfitojë pension më të lartë, sqarojnë nga Ministria e Ekonomisë. Nga Ministria e Financave nuk u përgjigjën për numrin e madh të dilemave që u paraqiten me ndryshimet e ligjeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button