Vetëm 10 për qind janë shqiptarë në listën e ekspertëve ligjor

Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari ka prezantuar sot listën e ekspertëve ligjorë të licencuar dhe grumbulluar në një listë të vetme, siç parashohin ndryshimet e reja të Ligjit për ekspertizë. Vetëm 10% nga gjithsej 900 ekspertët që kryejnë ekspertizat gjyqësore në 60 lëmi të ndryshme, janë shqiptarë.  Jashari thekson se këtë kuotë të ulët do të tentojë ta përmirësojë në bashkëpunim me dy universitetet në gjuhën shqipe, UEJL dhe USHT.

“Numri i shqiptarëve në regjistrat e ekspertëve është diku rreth 10%, por dua të theksoj se duke marrë parasysh se ky numër nuk korrespondon me atë që e quajmë përfaqësim të drejtë, Ministri i Drejtësisë ka dorëzuar kërkesë tek rektorët e dy universiteteve, me të cilët kërkon që të informohen personat që i plotësojnë kushtet në bazë të Ligjit për Ekspertizë, që të mund të njëjtit të fitojnë licencë për ekspertë”, tha Adnan Jashari, Ministër i Drejtësisë.

Jashari ka inkurajuar shqiptarët që plotësojnë kushtet, të aplikojnë për ndonjërën prej dy llojeve të licencës.

“Procedura e fitimit të licencës për ekspertë është shumë e thjeshtëzuar. Kemi dy kategori ekspertësh, një kategori është që i plotëson kushtet pa pasur nevojë t’i nënshtrohen provimit, dhe kategoria tjetër që nuk janë doktorë, magjistra ose specialistë në fusha të caktuara, por mund të marrin licencë përmes dhënies së provimit për fitimin e licencës”, u shpreh Adnan Jashari, Ministër i Drejtësisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button