SHKUARJA E KAÇAK ZYBERIT

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

Vetëm të fillonte njëherë ngritja e tempullit (të Meshtroviçit) bukurinë arkitektonike të së cilit e pranojnë kritikët më seriozë artistikë të botës.

Velibor Joniçi. (“Tempulli i Meshtroviçit apo i Filipoviçit” – “Politika” e 8 korrikut).

Kaçakët. Jatakët. Pengjet.

            Kaçaku i dëgjuar Zyber Bislimi me pesëmbëdhjetë shokë nga mali theu qafën më 18 të muajit të kaluar. Vetëm pas dy ditësh u morën vesh të gjitha hollësitë e ndarjes interesante të tyre me armët dhe me vendasit. Po megjithatë nuk i botova se dikush tha mos është oportunizëm. Pastaj kur disa gazeta ia nisën të polemizojnë se a është në rregull që kaçakëve t’u jepen pasaporta dhe a nuk do të thotë se kështu kapitullon shteti1. Kështu u lirova nga detyrimi që ia dhashë vetes të hesht, prandaj mund t’i them z. Joniçit se ngritja e tempullit nuk është fare punë që s’pret. Ka për Kosovën dhe rreth Kosovës gjëra që duhet bërë me ngut. E që m’u kujtua mua se u kemi borxh trimave legjendarë të popullit, kjo është punë e asociacionit të natyrshëm. Mirëpo kur dikush do të bëjë shtëpi, më së pari kujdeset të bëhet zot i truallit, ku do të ndërtohet shtëpia. Ne prej tij e kemi tapinë, por s’e kemi forcën që pa pushkë të ndërtojmë. Së këndejmi del se z. Joniçi në pasusin e zënë në gojë nuk ka të drejtë. Me një përjashtim të vetëm nëse në bazë të lirisë krijuese trimat e Kosovës të kenë në koka plisa të bardhë. T’i bëjnë mbretërit e maleve të kenë mëshirë2.

Negociatat me Zyberin dhe me shokët e tij përfunduan me sukses. Në ditën e caktuar kaçakët erdhën në një zabel afër stacionit të Gërlicës, herët para dite. Aty i pritën miqtë nga Kaçaniku i Vjetër, familjet dhe pengjet, të cilët i kërkuan: një shkrues, kafexhiu Milan Neshiçi dhe një turk plak (në rajonin e Kaçanikut nuk ka pasur kurrë! Shën. i përkth.), tregtar.  Dita ishte e bukur dhe dielli i ngrohtë kosovar qëndronte lart me krenari mbi kurorat e ahishtave të Kaçanikut. Grupi piktoresk i kaçakëve të armatosur dhe gjithë ata njerëz përreth e krijonin një përshtypje të pazakonshme. Këmbëkryq dhe me një pushkë italiane në prehër rrinte në mes harambash Zyberi, disi jonatyrshëmi galduar për vitet që i ka. Ai ka aty diku 43 deri më 45 vjet, është zeshkan, me mustaqe të mëdha, i rruar mirë, pak i thinjur, me shikim të mprehtë, të zgjuar. Pallton e ka të qepur me një lëkurë, që mos t’ia prishë pushka teshat. Ai është hajdut me vite të tëra dhe për kokën e tij është shpallë një çmim prej 50.000 dinarësh. Pranë tij është vëllai i tij, më i vogël (34 vjeç), disi më shtathedhur dhe më i pashëm, i veshur pastër. Pastaj kaçak Lila, dyzet vjeçar, në fytyrë thua ti ia ka këputur kryet z. Mika Iliçit, drejtorit të hekurudhave shtetërore (le të më falë për këtë krahasim)3 . Ky është i ushqyer mirë.

– O Lilë, e pyet njëri, si je trashur kështu?

– Eh, lehtë është të trashesh kur të ushqen populli.

Lila është i lindur në Begracë. E ka vrarë vëllain e Dinës, kryetarit të komunës në Kaçanik të Vjetër. I vrari e ka plagosur në mbrojtje, kështu që i ka mbetur shenjë në dorën e majtë. E tregon dhe thotë:

– Këtë e kam kujtim nga vëllai i Dinës.

– Lila e ka marrë me vete gruan e tij të tetë, e cila bashkë me të ka qenë kaçak.

Dy alarme.

            Pjesën më të madhe të ditës kaçakët e kaluan duke kënduar. Ato janë këngë të rëndomta, të cilat i kanë thurur vetë. Në to lavdërohet trimëria e ndonjërit nga banditët e çetës. Mirëpo askush nuk e këndon veten. Kur e kryen, atëherë e fillon i lavdëruari që të revanshohet e ta madhërojë këngëtarin e mëparshëm:

A ka trim më të madh

                        Nga Lilë Begraca?

                        A ju kujtohet kur e vrau

                        Vëllain e Dinës nga Kaçaniku?

                        A e dini…4

            Dhe kështu me radhë përmenden të gjitha bëmat e tij: luftërat me xhandarë e me komisarë, situata të vështira nga të cilat ka dalë, hakmarrje.

Në zabel është mbledhur një llogore e tërë: të njohur, farefis, familje kaçakësh, që shkojnë me ta, çarçafë e pjesë të mbulojës e të shtrojës. Skaj zabelit një kaçak bën roje, për çdo rast. Se banditët ndonëse këndojnë shpirtin e kanë të shqetësuar: ku ta dish – e gjithë kjo mund të jetë kurth. Shkruesi vërtetë është me tesha civile dhe pa armë, këtu janë edhe dy pengje, po megjithatë… Kurse treni shkon vonë, në orën gjashtë të mbrëmjes.

Rreth orës katër ia behën dy xhandarë. Donin edhe ata vetë të udhëtonin për Kaçanik. Sa i pa roja, bërtiti:

– O Zybeeer!

– O-ho-ja!

– Xhandarët!

– Jo, ore!

-Паша зотн! (pasha Zotin!)

Kaçakët nisën të kërcejnë thuajse i ka shpuar dikush me gjilpërë dhe i rrokën armët. Gratë u zbehën, fshatarët u shqetësuan. U bë tollovi, në të cilën duhej vetëm një pushkë të kërciste që të ndodhte fatkeqësia. I vetmi shkruesi qe i mbledhur, i qetë.

– Pritni! Ndaluni! – bërtiti ai. Unë do të dal para xhandarëve.

Dhe, kështu veproi. Doli e u tha që atë natë mos të udhëtonin. Dhe, ata u kthyen. Po pas disa çasteve u paraqitën tri roje financiare, e u përsërit skena e njëjtë. Edhe ata i largoi shkruesi të mos shkonin me tren që mos t’i shqetësonin banditët me praninë e tyre.

Ndarja.

            Nja një çerek ore para se të vinte treni kaçakët u futën në ndërtesën e stacionit. Sipas marrëveshjes së bërë ata duhej t’i linin pushkët, e të udhëtojnë me revole e me bomba, e t’i dorëzojnë në kufi. Kështu u bë. Pesëmbëdhjetë pushkë Italie, me të cilat krenohen, se nuk nxjerrin flakë kur kërcasin dhe një karabinë të re serbe i lanë në një kënd, pasi i puthën, secili të veten. E merrnin pushkën në grykë, i palonin faqet e tyre për tytash dhe e përkundnin nga disa herë sikur të kishin pasur në krah ndonjë foshnje, e puthnin në tytë, në arkë e në kundak dhe e lëshonin. Pastaj kur largoheshin disa hapa pa i hequr sytë nga pushkët, pastaj u afrohen prapë armëve, i puthin dhe psherëtijnë gjatë, gjatë. Iu flasin diçka për shkak të ndarjes, mirëpo fjalët nuk merren vesh. Janë të qeta. Do të kishin qarë sikur të mos ishte turp kjo punë për trimat.

Gjithnjë e më shumë i pushton shqetësimi, sa më shumë afrohet çasti i nisjes. Merren ngrykë me fshatarët, me të njohurit dhe me miqtë. Mbarë Kaçaniku i Vjetër ka dalë t’i përcjellë. Nuk është vetëm kryetari i komunës, Dina: nuk mund ta harrojë të vëllain.

Gjatë asaj kohe shkruesi i zbraz pushkët e lëna dhe të zbrazëta “i kërcet”, mos ka mbetur ndonjë plumb brenda, helbete. Një plumb, ja i ndodhi, e kishte harruar. Pushka krisi, plumbi u kthye nga tavani, kaçakët i rrokën revolet. Mezi ia doli që t’ua mbushë mendjen se ishte një rastësi.

Në atë çast treni u ndal dhe që të gjashtëmbëdhjetë banditët nga komuna e Sllatinës, e Kaçanikut dhe e Kaçanikut të Vjetër u futën në një vagon të veçantë.

Dhe nga treni vazhdonin të shikonin në drejtim të sallës së pritjes ku iu kishin mbetur pushkët.

Rrjedha…

E vetëm atëherë kur të mbarojë puna me kaçakët dhe me jatakët materialë dhe intelektualë, kur vendbanimet tona kolone e mbështesin për muri edhe Llapin edhe Gallapin, kur të ndërtohen udhë të gjëra përmbi shtigjet e dikurshme, kur të kalojnë trenat nëpër Prizren, i cili po rrënohet në mënyrë mbretërore, kurse gjerë e gjatë Kosovës të nisin të duken plot bardhësi shkollat, mund të mendohet për tempullin. Vetëm atëherë shteti do të mundet të hedhë një miliardë dinarë për një përmendore. Se nëse parallogaria e para luftës i dilte, siç kam dëgjuar, pesëdhjetë milionë, tash sipas të gjitha gjasave është njëzetfishuar. Tempulli në këto rrethana do të kishte qenë kurorë e të gjitha përpjekjeve dhe do të kishte peshë historike, artistike e pedagogjike. Po zoti e di se kur do të bëhet dhe projekti i kujt do të pranohet. Ndoshta ndonjë projekt i ri i Meshtroviçit, sepse edhe pse është artist i një force të dëshmuar, ai ende e kërkon vetveten. Dikur këtë e bënte përmes tempujve asirianë, kurse tash merret me vepra të krishterimit, përmes katedralave gotike. E meqë me përpjekjet e tij u organizua ars croatica, të shpresojmë se një ditë do të kënaqet edhe në truallin kombëtar serb dhe nga atje do të ngrihet deri në mendimin origjinal jugosllav.

Vetëm atëherë do ta fitojmë ndoshta tempullin kosovar, i cili shikuar edhe prej së largu nuk do t’i ngjajë xhamisë (një dëshmi se si janë ndërtuar të ashtuquajturat përmendore “të lashta” serbe në Kosovë. Shën. i përkth.).


1 Bëhet fjalë për presionet që i bënte pushteti serb për shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve.

2 Tallet me kryengritësit shqiptarë.

4 Trillim


LEXO PJESËN PARAPRAKE: NË VARDAR TË SITNICËS DHE IBRIT

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button