Shqiptarët që pësuan në Gjorçe ende pa dëmshpërblim

Banorët shqiptarë të cilët ishin të dëmtuar nga protestat që u organizuan në lagjen Gjorçe Petrov ende janë në pritje të dëmshpërblimit edhe pse objektet e dëmtuara i kanë sanuar tani më vetë.

Edhe pse disa herë ata u ankuan në komunë, polici dhe gjykatë, kërkesa e tyre hasi në vesh të shurdhër.

Familja Emini e cila banon në rrugën kryesorë në Gjorçe Petrov, thotë se asnjë dëmshpërblim nuk është bërë, madje ankohen se me shumë mund kanë rregulluar dhe sanuar dëmet që i bënë maqedonasit gjatë protestave të organizuara pas vrasjes së Angel P.

“Askush nuk ka ardhur të bëj vlerësimin e dëmit, në fillim vetëm që erdhën policia dhe asgjë nuk u ndërmor. Jemi ende në pritje pasi që kemi angazhuar edhe një avokat që po ecën për lëndën tonë në gjykatë”, tha për Portalb, Kadrush Emini.

Ai shtoi se avokati i ka njoftuar se kjo procedurë do të zgjasë por i ka siguruar ata që do të dëmshpërblehen.

“Avokati na bën me dije se lënda është në proces e sipër dhe që do të dëmshpërblehemi mirëpo ky proces do të zgjasë. Kaloi mjaft kohë dhe ende nuk ka asnjë lajm, kurse objektet maqedonase të cilat dëmtohet gjatë protestave menjëherë dëmshpërblehen”, tha Emini.

Dëmi material që iu bë kësaj familje kap vlerën e afër 10 mijë eurove, të cilat ata i kanë siguruar vetë dhe kanë arritur të rregullojnë sado pak dyqanin e tyre.

“Avokati na premton shumë, shpresojmë që do të realizohet diçka sepse nuk kemi hesap gjithmonë që maqedonasit na sulmojnë ne t’i riparojmë dëmet vetë. Qytetarët duhet të jenë të mbrojtur me ligj”, shtoi Emini.

Edhe pse kohë më parë MPB paralajmëroi se mbi 60 persona janë ndaluar deri tani nga nën dyshimin e shkaktimit të incidenteve në lagjen Gjorçe Petrov, asnjë pagesë nuk iu është bërë të dëmtuarve shqiptarë.

“Ne kemi kryer punën tonë duke i kapur personat e dyshuar, kurse sa i përket pjesës tjetër, lidhur me dëmshpërblimet vendos gjykata”, thonë nga sektori për informim i MPB-së

 

Lajme të ngjashme

Back to top button