Reflektimet e Ramazanit në Dituri

Nuk ka dyshim se Ramazani është sezoni më i mirë dhe më i begatshëm për muslimanët. Ky muaj pothuajse përgjatë gjithë historisë u solli ndryshime dhe suksese muslimanëve. Begatitë e tij reflektojnë në çdo pore të jetës. Zakonisht Ramazani konsiderohet muaji i pendimit, përmirësimit dhe rikthimit të njeriut në rrugën e vërtetë. Shumë njerëz udhëzohen gjatë këtij muaji dhe e mbajnë mend për kohë të gjatë, të tjerët gjejnë shërim shpirtëror në të ashtu që t’i shlyejnë mëkatet e tyre që i kanë bërë më parë.

Por pa dyshim ky muaj i bereqetshëm ka mjaft ndikim edhe në aspektin e shkencës dhe diturisë. Zaten sa më larg mëkateve po aq më afër devotshmërisë, diturisë së vërtetë e të hairit. Në këtë kontekst edhe ne ia pamë hairin shumë këtij muaji të bekuar dhe falë të madhit Allah arritëm që edhe në këtë vit, pikërisht në këtë sezon të sukseseve, të botojmë dhe promovojmë edhe dy tituj të ri librash, Merjemja Gruaja më e Veçantë dhe Kiameti është Afër.
Në një atmosferë të mrekullueshme iftari, të rrethuar më fytyra prej nuri në mesin e të cilëve dashamirë, familjarë, hoxhallarë të shkolluar e veteranë, përfaqësues të politikës, kryetar e nën kryetar komunash, medieve, policisë, FSK-së, deputetë, profesorë universitarë e deri tek masa e thjeshtë – xhemati, të gjithë të bashkuar, nga të gjitha trojet shqiptare etnike, siç e kërkon vendi e zakoni në sofrën e iftarit e karakterizuan këtë promovim në Hotelin Victory. Vërtetë i jam falënderues Allahut të madhërishëm që më bëri të mundur, edhe kësaj radhe, të përjetojë këtë kënaqësi të arritjes se suksesit ngase pa ndihmën dhe përkrahjen e Tij nuk arrihet asgjë në këtë botë. E po ashtu u jam mirënjohës edhe kolegëve e bashkëpunëtorëve të mi të cilët dhanë mundin e pakursyer që gjithçka të ishte në vend të vet ashtu siç i ka hije.

Një mirënjohje të veçantë do të dëshiroja ti shpreh panelistëve të nderuar, të cilët me referimet e tyre ia shtuan edhe më shumë vlerën këtij promovimi. Natyrisht, për shkak të kohës së ngushtë i mbetëm borxh të pranishmëve që t’i dëgjojmë sugjerimet dhe komentet e tyre, por besoj se këto do të mund t’i pranojmë kohë pas kohe.
Në lidhje me librin Merjemja Gruaja më e Veçantë, panelistët vunë në spikamë kronologjinë historike të ngjarjeve që trajton libri nën dritën e ajeteve të Kuranit por njëherazi të ilustruara edhe me botëkuptimin e krishterë dhe pikëpamjen kritike të mbështetur në referenca të krishtera. Sipas tyre njerëzit mund të kenë shumë versione rreth ndonjë ngjarje të caktuar, por gjuha e argumentuar, e saktë dhe e mbështetur më fakte është ajo që e çon lexuesin drejtë së vërtetës. Ashtu siç nxorën në pah trajtimin që i bën islami femrës në përgjithësi duke marrë shembull Merjemen e bekuar. Ata shtuan se libri në fjalë në mënyrë koncize dallon të vërtetën nga e pavërteta duke i dhënë një fokus të veçantë shpifjeve përmes së cilave njerëzit me karakter të ulët mundoheshin ta etiketonin Merjemen në kohën e saj, gjë që edhe sot nuk ka ndryshuar ky avaz kur janë në pyetje femrat me të ndershme të shoqërisë.

Ata në vazhdim tërhoqën një paralele në mes Merjemes dhe birit të saj Isait, të cilët edhe pse u persekutuan dhe u torturuan pa të drejtë, për një periudhë historike, që të dy më vonë padrejtësisht u shenjtëruan dhe sot e kësaj dite konsiderohen si të tillë pa mbështetje historike, shkencore dhe logjike.

Ndërsa sa i përket librit Kiameti është afër, panelistët ofruan një përshkrim të jashtëzakonshëm të botëkuptimit perëndimor në lidhje me Kiametin. Ku shumë priftërinj, meshtarë e përfaqësues kishtarë të shumtë pretendonin me bindje se Kiameti do të ndodhë me këtë apo me atë datë. Sipas tyre shpesh herë deklaratat në lidhje me Kiametin kishin prapavijë komerciale apo të vënies së ndjenjave të njerëzve nën kontroll. Panelistët çmuan lart kontributin e këtij libri në zbardhjen e fakteve në lidhje me një ndodhi që të gjithë pajtohen se do të ndodhë por askush nuk e di se kur dhe si. Ata për me tepër pohuan se libri sjellë argumente të mjaftueshme fetare por edhe shkencore për të hedhur poshtë pretendimet e ndryshme kalendarike që po shkaktojnë huti në mesin e masave përfshirë edhe komunitetin tonë pan-shqiptarë.

Për fund, lus Zotin fuqiplotë që ta ketë pranuar këtë mund prej nesh sikur që lutëm që i Plotfuqishmi të na jap shëndet, fuqi dhe bereqet të vazhdojmë me aktivitet tona në të mirë të popullit e të vatanit ashtu që kur të dalim para Zotit të dalim faqebardhë. Amiin, dhe deri në javën tjetër Esselamu Alejkum ve Rahemtullah.

Lajme të ngjashme

Back to top button