Gostivari nesër testohet me Partizanin

Klubi i Futbollit Gostivari, të enjten në Mavrovë do ta zhvilloje ndeshjen e parë kontrolluese kundër klubit të mirënjohur Partizani nga Tirana. Trajneri i Gostivarit, Mensur Jakupi i cili po stërvit skuadrën tash e dhjetë ditë, thotë se janë zhvilluar përgatitje intensive gjatë këtyre ditëve me qëllim që ekipi ta gjejë formën dhe se tashmë të gjithë lojtarët janë gati për ndeshjen e parë kontrolluese.

“Kjo do të jetë më shumë një trening ndeshje për shkak se ende jemi në fazën përgatitore. Do kemi një ndeshje me Partizanin e Tiranës, një ndër ekipet më të mira të Shqipërisë dhe për ne do jetë një mundësi e mirë ti provojmë përafërsisht forcat tona, sa jemi të përgatitet fizikisht, ti provojmë edhe përforcimet e reja që kanë ardhur në ekipin tonë. Rezultati do jetë në plan të dytë në këtë ndeshje, para se gjithash do mundohemi të mos kemi lojtar të lënduar dhe të tregojmë një ndeshje të mirë”, thotë trajneri Jakupi, duke shtuar se vetë lojtarët me aftësitë e tyre e gjejnë pozitën në formacion.

“Dalë ngadalë lojtarët i tregojnë aftësitë e tyre dhe e gjejnë pozitën në formacion, përveç 2-3 dilemave përafërsisht dihet cili do jetë formacioni. Mirëpo shans do u jepet të gjithëve, planifikojmë që pjesën e parë ta luajmë me një formacion dhe pjesën e dytë ti ndërrojmë të gjithë futbollistët. Siç thash jemi në fazën përgatitore dhe do kemi kujdes të mos na vijnë edhe lëndimet. Besoj se të gjithë futbollistët minimum nga një gjysmë pjesë do të luajnë”, tha Mensur Jakupi, trajner i Klubit të Futbollit Gostivari.

Lidhur me fazën përgatitore të cilën ekipi i KF Gostivarit është duke e zhvilluar në Mavrovë, trajneri Mensur Jakupi tha se stërvitjet janë duke u zhvilluar shumë mirë, lojtarët e kanë përballuar ngarkesën dhe lëndime nuk ka, ndërsa nga ana e drejtuesve të klubit, ekipit i janë ofruar kushte të mira.

Lajme të ngjashme

Back to top button