Objekti i ri i USHT-së, një zgjidhje afatgjate?

Hapësira e shkollës fillore “Kongresi i Manastirit”, e cila i është dhënë në përdorim Universitetit të Tetovës është ndarë tërësisht nga pjesa në të cilën mësojnë filloristët. Mirëpo,  si do të ndikon ky vendim në procesin mësimor të filloristëve ende nuk dihet. Vendimi i marrë pa asnjë analizë paraprake, aq më shumë nuk dihet nëse është zgjidhje afatgjate apo sërish do të endin studentët nga një cep në tjetrin.

Koordinatori i studimeve të disperzuara të USHT-së në Shkup, Fati Iseni bën të ditur se hapësirat e ndara për USHT-në plotësojnë kushtet për zhvillimin e ligjëratave.

“Klasat janë të mëdha, kemi vend për të gjithë studentët dhe mund të them se kushtet më të mira sesa në objektin e mëparshëm”, tha për Portalb, Iseni.

Ai shton se objekti është ndarë në dy pjesë, ku njëra i takon shkollës fillore dhe tjetra USHT-së.

“Objekti është i ndarë në dy pjesë dhe nuk bëhet përzierja e studentëve me filloresitët në objekt, ku po ashtu është ndarë edhe oborri i shkollës”, tha Iseni.

Se sa është e pranueshme që një universitet dhe një shkollë fillore të ndajë një objekt të njëjtë, Iseni sqaroi se kjo praktikë është edhe në vendet perëndimore, por se a është një zgjidhje afatgjate, këtë nuk e dinte.

“Fatkeqësisht nuk kam marrë pjesë në mbledhje ku është marrë vendimi dhe nuk e di se a është zgjidhje afatgjate apo afatshkurtër, megjithatë është një praktik që është prezent edhe në vendet e huaja, që nëse objekti është i madh të ndahet për dy institucione arsimore”, tha Iseni.

Sa i përket shkollës fillore dhe ngushtimit të hapësirës, drejtori Faik Xhoni për momentin nuk ndodhet në vend dhe nuk arriti të jap ndonjë sqarim se si do të ndikon ky vendim në procesin mësimor të filloristëve.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button