KH: Për një vit 175 raste të krimit, pjesa më e madhe në baza etnike

Komiteti i Helsinkit, vetëm për një vit ka regjistruar 175 raste të krimit të nxitur nga urrejtja. Në 128 raste, ose në 62 % të tyre, bëhet fjalë për incidente ndëretnike. Sipas kësaj organizate, vargu i ndodhive me motive etnike dëshmon se në Maqedoni toleranca mes komuniteteve mungon. Rajonet  me më shumë incidente të tilla janë lagjet Aerodrom, Çair dhe Qendër të Shkupit, me rreth 72% të rasteve.

“Sot dolëm me të dhëna se në platformën e Komitetit të Helsinkit janë regjistruar 175 raste dhe incidente të nxitura nga urrejtja. Madje 128 prej tyre kanë motive etnike…Rastet e fundit të lidhura me rastin Monstra edhe një herë e vërtetuan se si janë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Viktimat e këtyre rasteve, shumica janë pjesëtare të dy grupeve më të mëdha etnike, asaj maqedonase dhe shqiptare dhe në të shumtën e rasteve janë të mitur.. I bëj thirrje shtetit që të marrë masa për ta frenuar dhunën e tillë në të ardhshmen”, tha Uranija Pirovska , Drejtore e Komitetit të Helsinkit.

Vetëm gjatë 2 muajve të fundit, janë regjistruar 28 raste të urrejtjes etnike por edhe politike. Shumica e incidenteve kanë ndodhur nëpër autobusë, terrene sportive dhe shtabe partish gjatë periudhës parazgjedhore.

“Vitin e kaluar u regjistruan shumë pak incidente, vetëm 3 për shkak të përkatësisë politike edhe pse kishim zgjedhje lokale. Por këtë vit, gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe atyre presidenciale kemi vërejtur një rritje të menjëhershme të rasteve të nxitura nga urrejtja…Shqetësues është fakti se këtë vit kemi regjistruar më shumë raste të dhunës së nxitur nga urrejtja në terrenet sportive”, u shpreh Voisllav Stojanovski, Komiteti i Helsinkit.

Nga Komiteti i Helsinkit kritikojnë shtetin për mos regjistrimin e rasteve të nxitura nga urrejtja dhe mos dënimin e tyre me qëllim parandalimi. Publikimi i Komitetit të Helsinkit ka përfshirë të dhëna të mbledhura prej muajit shkurt të vitit të kaluar e deri më sot, por të bazuar vetëm në të dhëna nga mediat, regjistrimet e policisë dhe denoncimeve të qytetarëve. Të dhënat e tilla u publikuan sot nga Komiteti, me rastin e ditës Evropiane të viktimave nga krimi i nxitur nga urrejtja.

Lajme të ngjashme

Back to top button