Përplasje mes Ramës dhe deputetëve të LSI

Një mbledhje urgjente dhe e pazakontë e kryeministrit Rama me deputetët e Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, i ka paraprirë punës së këtij komisioni gjatë ditës së sotme. Edi Rama duket se është zgjuar shumë herët sot dhe i shqetësuar ka thirrur në takim në orën 8 të mëngjesit deputetët e PS dhe ata të LSI, për t’u kërkuar miratimin e dy projektiligjeve tepër delikatë që janë përgatitur nga ministria e Brendshme. Bëhet fjalë për projektligjin për shkrirjen e Gardës së Republikës dhe atë të krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Sipas televizionit ABC News, kjo mbledhje urgjente ka qenë tepër e tensionuar dhe një pjesë e deputetëve, kryesisht ata të LSI,e kanë kundërshtuar kryeministrin Rama, duke theksuar se ai nuk mund t’i detyrojë të dalin jashtë bindjeve të tyre. Një deputet i LSI tha për Lapsi.al se ata i druhen se këto ndryshime shkojnë në fuqizimin e autoritetit të kryeministrit dhe veçanërisht mënyra se si është parashikuar funksionimi i Byosë së hetimit mund të keqpërdoret politikisht. Të hënën, deputeti Spartak Braho braktisi Komisionin e Ligjeve ku diskutohej drafti për Policinë, me arsyetimin se nuk mund të merrte përsipër të votonte diçka që i turpëron e i nxin faqen. “Kështu siç është konceptuar Byroja Kombëtare e Hetimit, është një vërë në ujë. Ne jemi juristë, nuk tallemi as me veten, as me popullin, nuk mund të na përdorë ne kushdoqoftë në interes të karrierës së tij profesionale, agjendës së tij politike”, tha Braho.

Për shkak të përplasjeve të forta, Komisioni parlamentar i Sigurisë e shtyu mbledhjen e sotme që ishte parashikuar të mbahej në orën 12. Mosmarrëveshjet mes deputetëve dhe kryeministrit janë evidente dhe nuk dihet nëse ky i fundit do t’i ndryshojë projektligjet apo do t’i shkojë deri në fund presionit ndaj deputetëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button