Ditar Ramazani-23, 24

Ditar Ramazani-23

Besimtarët gjenden në kërkim të Natës së Kadrit. Natë e fshehur në dhjetë netëshin e fundit të muajit Ramazan. Natë më e vlefshme se një mijë muaj. Natë e begatshme për jetën e besimtarit mysliman.

Ti po e kërkon begatinë më të madhe në këto dhjetë net, ndërsa brenda ditës po harron ta kërkosh begatinë që fshihet në pesë namazet ditore. Begati e cila nuk ka shpërblim tjetër pos Xhennetit. Si është e mundur që menjëherë pasi të kaloj muaji Ramazan, të kaloj edhe falja e namazit për ty. Si e mendon jetën tënde pa faljen e namazit?

Si në Ramazan, si jashtë Ramazanit, besimtarët falin pesë kohët e namazit pa përtesë. Ata nuk fusin hile në rrugët e tyre që i çojnë për në Xhennet. Në realitet hilet i kanë të ndaluara. Si mund ta mendosh veten edhe besimtar mysliman edhe njeri që përdor shumë hile? Këto dy gjëra gjithmonë janë në kundërshtim dhe do të janë deri në Ditën e Llogarisë. Përderisa nuk pastrojmë vetveten prej hileve, të mos presim sukses.

Ramazani si muaj i ndryshimit kërkon nga ti që të heqësh dorë prej veseve të këqija. E jo ti ushqesh ato vese me vese ende më të këqija se më parë. Dëgjon fjalë jo të hijshme prej njerëzve që janë përcaktuar edhe me profesion si njerëz të fesë, pastaj shpreson në ndryshime pozitive.

Fatkeqësisht këto gjëra duhet që ti gëlltisim, por ndonjëherë njeriu shpërthen në vetvete e del e gëlltitura në shesh. Ta përmendin sevapin, njerëzit të cilët nuk e agjërojnë Ramazanin. Të japin interpretime të ndryshme fetare, njerëzit të cilët nuk falin asnjë namaz në jetën e tyre. Po kjo pozitë dhe ky pushtet këtyre njerëzve i jepet shkaku i vetëpëlqimit tonë.

Jo rastësisht Pejgamberi Muhammed alejhi selam kur u kthye nga një betejë, tha se po kthehemi nga beteja e vogël për në betejën e madhe. Beteja e madhe është lufta me vetveten, me nefsin tonë. Nëse arrijmë që ta kontrollojmë si duhet, kemi bërë mrekulli.

Kjo luftë është e vazhdueshme, dhe pa armëpushim. Djalli në çdo moment tenton që ta ndryshoj kahen tënde dhe të orientoj drejtë ferrit. Prandaj është luftë e madhe, me pasoja shumë të mëdha. I lumi ai që del fitimtar nga kjo luftë.

Ka njerëz të ndryshëm të cilët vazhdimisht akuzojnë të tjerët, ndërsa harrojnë që ta drejtojnë gishtin e akuzës kah vetvetja. Presin ndryshime pozitive prej të tjerëve, pa bërë ata asnjë hap pozitiv. Presin mrekullia prej të tjerëve në kohën kur vet janë duke penguar çdo proces pozitiv në shoqëri. Këto njerëz nuk janë të vetëdijshëm se çka janë duke vepruar.

Besimtari ideal është ai që jeton me zemër të pastër duke mos pasur urrejtje për asnjë njeri në botë. Ai kur bie të flejë, ia fal të gjithë njerëzve gabimet që i kanë bërë gjatë ditës, ndërsa kur zgjohet, niset me qëllimin e ndihmesës së njerëzve të krejt botës. Ky besimtar është modeli që duhet të synojmë ta arrijmë.

Fitimtar janë ato njerëz, të cilët arrijnë ta kontrollojnë vetveten në momente të hidhërimit. Ah çfarë shoqërie ideale do të dukej ajo shoqëri me njerëz të tillë.

Ditar Ramazani-24

Mirëqenia shoqëria është ajo që të lidh edhe ty me të. Pa mirëqenie shoqërie nuk ka as rehati shpirtërore. Të gjitha proceset demokratike në botë kanë nisur me pikësynim ndryshimin e kësaj mirëqenieje në dobi të popujve të tyre.

Nuk është e mundur që të jetosh ti i pasur në një shoqëri ku shtresat sociale përbëjnë grupin shoqëror më të madh. Nënvetëdija jote nuk të lëshon pe për të kuptuar dhe perceptuar rrethanat e pasurimit tënd.

Mirëqenia shoqërore është e vlefshme deri në nivel të adhurimit në Islam. Ndoshta edhe mund të kuptohet edhe si adhurim nga ana e shumë haditheve të Pejgamberit Muhammed alejhi selam.

Nëse përkujdesesh për kafshatën e gojës për familjen tënde, t`i adhuron Allahun xh.sh. Ndërsa nëse i le të varfër dhe i shndërron në shtresë sociale edhe pse ke pasur mundësi që të mos i shndërrosh në shtresë sociale, ti bën një mëkat ndaj Allahut xh.sh. Këtë gjë besimtarët duhet ta kuptojmë para shumë gjërave tjera.

Por, mbi të gjitha mirëqenia shoqërore nuk është qëllim në vetvete, po një pikë e cila duhet synuar. Pikë në të cilën të gjitha krijesat në këtë botë punojnë pa ndalim. Pikë e cila e urren dembelizmin dhe fjalët boshe.

Të ishin besimtarët të vetëdijshëm për këtë pikë, sot edhe shumë gjëra tjera do të ishin në rregull. Për shembull, të përkujdeseshin për mirëqenien shoqërore  aq sa kujdesen për kalimin e kohës kot, sot nuk do të kishte mundësi t`i diskriminoj në aspektin fetar e kombëtar askush.

Ai që përkujdeset për mirëqenien shoqërore është zotëri edhe tek miku edhe tek armiku. Allahu e do njeriun dhe popullin punëtor.

Të parët tanë të mirë osmanlinj, arritën aty ku arritën vetëm në saje të mundit dhe punës. Sikur të ishin të dembeluar, Allahu nuk do t`i jepte suksese të tilla. Popujt që kanë rregulluar oborrin e tyre fillimisht, shumë lehtë vendosin edhe për fatet e popujve tjerë që janë neglizhentë ndaj vetvetes.

Forca e punës është shpërndarëse në mbarë botën. Kjo forcë nuk izolohet e as që shuhet. Armiku i vetëm i saj është dembelizmi dhe vetëpëlqimi.

Nga drita e punës përfitojnë edhe ato që gjenden në terrin e dembelizmit. Prej dritës së punës rrjedhin donacionet dhe mirësia, ndërsa prej territ të dembelizmit rrjedh varfëria. Njeriu nga një shtresë normale shndërrohet në një shtresë të varfër e sociale.

Besimtari nuk guxon që të gjendet gjithmonë në shtresën sociale. Ai duhet të bëj çmos që të ndryshoj gjendjen e tij, përndryshe ka probleme me të besuarit në Allahun.

Kur përmendi këtë raport e kam qëllimin për besimtarët pa të meta psiko fizike. Pasiqë njerëzit me të meta psiko fizike janë barrë e shoqërisë në tërësi. Për to duhet që të përkujdesen tërë njerëzit pa dallim kombi e feje.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button