Ibrahimi: Komiteti element dekorativ, nuk mbron interesat e shqiptarëve

Deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi është shprehur skeptik rreth punës së Komitetit për marrëdhënie ndëretnike ku në krye të saj u zgjodh Ejup Rustemi nga BDI.

“Ky trup ose ky Komitet është vetëm element dekorativ, manipulimi i qeverisë para opinionit, sidomos para shqiptarëve. Këtu përfaqësuesit shqiptarë nuk mbrojnë interesat e komuniteteve, nuk mbrojnë interesin e komunitetit shqiptarë, por mbrojnë interesat e shumicës parlamentare, interesat qeveritare”, tha Ibrahimi i PDSH-së.

Ndërkohë, Ejup Rustemi është zotuar se Komiteti, nën kryesimin e tij dhe bashkë me anëtarët e tjerë do të përmbush detyrën kushtetuese për të cilën edhe është themeluar.

“Besoj që të gjithë së bashku do t’ia arrijmë që të kemi debate konstruktive dhe të sjellim vendime ashtu siç duhet dhe t’ia dorëzojmë parlamentit i cili ka detyrë obligative që ti shqyrtoj të gjitha mendimet e Komitetit për marrëdhënie ndëretnike”, ka thënë Rustemi.

Komiteti numëron gjithsej 19 anëtarë, prej të cilëve 7 maqedonas, 7 shqiptarë dhe 5 nga bashkësitë e tjera më të vogla etnike.

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button