ANALIZË: Ndryshimet kushtetuese dhe pasojat ndaj shtetit

Pse qeveria dëshiron të bëjë ndryshime të aktit më të lartë shtetëror, kushtetutës, që të rregullojë disa çështje ekonomike? A do të mundësojë vendimi për formimin e Zonave ndërkombëtare financiare nga Maqedonia “Off-shore” destinacion ose “parajsë tatimore” të sjellë investues? Cilat janë përparësitë, e cilat janë dobësitë e këtyre zonave financiare? Vendimi qeveritar për rregullimin kushtetues të Zonave financiare ndërkombëtare, sipas ekonomistëve hap një seri pyetjesh, në mesin e të cilave edhe atë se a do të veprojë në këtë rast Maqedonia në kundërshtim me rregullat evropiane? Sipas një pjese të analistëve, çdo zonë e lirë, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për zonë industriale ose financiare, zakonisht nënkupton përfitime vetëm për ata që do të jenë pjesë e tyre, por nga këndvështrimi juridik – kjo do të thotë edhe rregullativë paralele me atë ekzistuesen.

Maqedonia si Dubai dhe Qiproja….

Lehtësime tatimore, rregullativë speciale dhe e dedikuar ligjore që do të vlejë vetëm për “banorët” e Zonave financiare ndërkombëtare, ligje krejtësisht të reja dhe të përshtatura për punën bankare, tregtinë, qarkullimin pagesor. Benificionet që do t’i gëzojnë vetëm ata që do të jenë pjesë e kësaj zone. Kjo do të ishte korniza ligjore ku do të funksiononin zonat financiare, model ky të cilin qeveria vendosi ta rregullojë me kushtetutë. Ekspertët parashtrojnë një sërë dilemash.

Sipas profesorit universitar dhe ish-deputetit Izet Zeqiri, çështja e parë kontestuese është ajo se pse ky koncept rregullohet me aktin më të lartë në vend, kushtetutën.

“Është e paqartë se pse qeveria vendosi që me aktin më të lartë shtetëtor, kushtetutën, të rregullojë disa çështje ekonomike. Sipas meje, çështje kyçe është se pse, gjegjësisht, cili është qëllimi, që në vend se me ligj dhe me akte nënligjore, formimi i Zonave financiare ndërkombëtare dhe niveli i borxhit publik dhe deficitit buxhetor, të rregullohen me kushtetutë. Mendoj se që të rregullohen këto çështje ekonomike, tani nuk ka pengesa kushtetuese që kjo të bëhet me ligj. Bëhet fjalë për veprim populist, i cili mund të jetë në dëm të ndonjë qeverie të ardhshme“, sqaron profesor Zeqiri për Portalb.

Zonat financiare ndërkombëtare janë model i njohur në suaza botërore, por jo edhe në Evropë. Në fakt, zona të këtilla ka në Lindje, në Dubai, Tokio, Singapur. Qendra financiare kanë edhe metropolet kryesore botërore – Nju Jorku dhe Londra. Ky koncept i tërheqjes së institucioneve financiare, bankave, kompanive të sigurimit, është i njohur edhe në Qipro, Maltë dhe Ishujt Kajmane. Sipas analistëve vendorë, këtu hapet edhe dilema e dytë, se a do të veprojë Maqedonia në kundërshtim me rregullativën evropiane me hapjen e këtyre zonave.

“Zonat financiare ndërkombëtare do të ishin kopje e Zonave aktuale ekonomike, por me një intensitet shumë më të madh. Ai do të jetë një sistem ku nuk do të vlejnë ligjet dhe rregullat ekzistuese, gjegjësisht, do të ketë legjislacion krejtësisht tjetër për punën bankare, qarkullimin pagesor, marrëdhëniet e punës, financat. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për sistem “paralel”, mendoj se kjo do të jetë në kundërshtim me legjislacionin evropian dhe nëse Maqedonia fillon negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, atëherë një pjesë e madhe e këtyre modeleve do të duhet të anulohen, e tani dëshiron t’i fusë ato në kushtetutë” – thotë për Portalb njëri nga ish-ministrat për financa, profesori universitar, Nikolla Popovski.

Një pjesë e ekonomistëve thonë se modeli i “parajsës tatimore” nuk duhet të ndërlidhet me kapitalin joligjor dhe transaksionet e dyshimta, por se duhet të shihen përparësitë e konceptit të këtillë. Sipas propozuesit të ndryshimeve kushtetuese, formimi i Zonës ndërkombëtare financiare do të jetë në përputhje me rregullativën pozitive evropiane.

“Është paraparë që në hapësirë prej 10 deri në 20 hektarë të formohet zonë financiare ndërkombëtare, ku do të pasqyrohen ligjet e njërit nga vendet, siç janë SHBA-të, Anglia ose Gjermania, në pjesën e financave. Qëllimi është pozitiv, për shkak se kur bëhet fjalë për pasqyrimin e ligjeve nga Gjermania, SHBA-të ose Anglia, nuk mund të bëhet fjalë për diçka që është e lidhur me gjëra negative, siç kishte dyshime dhe frikësime. Kjo në mënyrë plotësuese duhet ta rrisë kredibilitetin e zonës financiare, për shkak se në mënyrë të plotë do të pasqyrohet rregullativa e këtyre ekonomive të mira, të cilat janë më tërheqëse për investitorët dhe do të jepen benificione plotësuese në pjesën e tatimeve dhe të ngjashme, për kompanitë që do të vendosin këtu t’i sjellin selitë e tyre”, deklaroi para do kohësh kryeministri Nikolla Gruevski.

Nuk kishte nevojë të prekej kushtetuta

Një pjesë e ekonomistëve mbeten në qëndrimin se që të realizohet ky plan, nuk nevojiten intervenime në kushtetutë.

“Nëse ndiqet logjika aktuale e qeverisë që me kushtetutë ta rregullojë formimin e Zonave financiare ndërkombëtare, atëherë pse në mënyrën e njëjtë nuk rregullohen edhe Zonat e lira ekonomike, të cilat pooashtu bëjnë pjesë në modelet për tërheqjen e kapitalit, parave dhe investimeve të huaja. Sipas meje, ndonjë masë ekonomike duhet të rregullohet vetëm me ligj, derisa për të nuk ka ndryshime kushtetuese”, thotë pë Portalb, profesori Zeqiri.

Përderisa për disa, formimi i zonave të lira ekonomike, në çdo kuptim të fjalës, është koncept që një ekonomie të vogël, siç është Maqedonia, do t’i sjellë investitorë, e me këtë edhe vende të reja pune, të tjerët mendojnë se favorizimi i nëpërmjet benificioneve çon në diskriminim.

“Edhe tani, në Zonat e lira ekonomike vlejnë rregulla dhe ligje të tjera me të cilat nuk janë përfshirë bizneset vendore. Atje nuk vlen tatimi aktual për TVSH, për fitim, për tokë ndërtimore. Praktikisht, ne kemi rregullativë të dyfishtë.Tani formohen zonat e lira ndërkombëtare financiare, pastaj ndoshta do të formojmë edhe zona të lira komunikuese, agrare, arsimore? Atëherë kush do të punojë edhe kush do ta respektojë rregullativën ekzistuese?”- pyet profesori Popovski.

Propozuesi i ndryshimeve kushtetuese konsideron se në zonat e reja financiare do të pasqyrohet legjislacioni evropian që do të kontribuojë për rritjen e kredibilitetit të zonave.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button