1979. Enver Hoxha: “Diplomacia hekurudhore” Durrës-Strugë

Teksa ende vazhdojnë diskutimet dhe projektet për lidhjen hekurudhore Shqipëri Maqedoni, 35 vjet më parë, teksa po përfundonte linja Përrenjas-Guri Kuq (Pogradec), 7 km larg kufirit, diktatori Enver Hoxha projektonte lidhjet ndërkombëtare midis dy republikave ish-jugosllave, atë të Malit të Zi dhe Maqedonisë.

“Jugosllavi… mund të kërkojë që vagonët e tij të kalojnë në Durrës, nga Durrësi në Përrenjas. Mund të kërkojë që të ndërtojmë edhe ne një linjë hekurudhore që të shkojë nga Lini nëpër bregun e liqenit deri në Strugë-Ohër, që, mund të thotë ai, “të furnizoj edhe unë Maqedoninë, sepse, duke kaluar nga Shqipëria, më kushton më lirë. Mua më intereson, – mund të vazhdojë ai, – t’i nis vagonët me mallra nga Ulqini e Tivari, ku i kam mallrat, nëpër Shqipëri dhe jo të bëj gjithë ato xhiro që po bëj sot për të shkuar në Maqedoni””, kështu hamendësonte Enver Hoxha në prill 1979, fill pas prishjes me kinezët.

Natyrisht, këto përbënin sekrete shtetërore atëherë, por i ka hedhur mendimet e tij në ditar, më 12 prill 1979, pasi kishte diskutuar me sekretariatin e KQ të PPSh-së.

Hoxha, që e shihte veten dhe Shqipërinë të izoluar shkruante se “çështje të tilla, si ajo e ndërtimit të hekurudhës që do të lidhë vendin tonë me Jugosllavinë, apo çështja e bonifikimit të fushës së Shkodrës që lidhet me Malin e Zi, janë probleme me rëndësi ekonomike”.

Është me interes historik, por edhe aktual të shihet sfondi i marrëdhënieve ekonomike në shkallë rajonale.

Madje, qysh në ato vite është diskutuar dhe për ndërtimin e një linje me Follrinën e Greqisë nëpërmjet Pogradecit / Korçës.

“Dyrrah”-u boton të plotë një shënim të gjatë të Enver Hoxhës, nxjerrë nga Ditar-i sekret. Mestitujt janë të redaksisë

DOKUMENTI

E enjte, 12 prill 1979

Çështje të tilla, si ajo e ndërtimit të hekurudhës që do të lidhë vendin tonë me Jugosllavinë, apo çështja e bonifikimit të fushës së Shkodrës që lidhet me Malin e Zi, janë probleme me rëndësi ekonomike për vendin tonë, por kanë edhe anët politike të tyre. Këto probleme i diskutova sot në takimin me shokët sekretarë të Komitetit Qendror.

Rasti Vietnam-Kinë

Në përgjithësi, në marrëdhëniet ndërkombëtare, ekzistojnë ligje e norma të tilla, sipas të cilave, kur dy shtete lidhen me hekurudhë, në kontratë pasqyrohen edhe detyrimet reciproke që marrin ata ndaj njëri-tjetrit, pavarësisht se mund të ndodhë si me Vietnamin, të cilit Kina ia preu hekurudhën, duke shkelur kështu hapur normat e ligjet ndërkombëtare. Në këtë mënyrë mund të veprojë edhe Jugosllavia me ne, por ama në bazë të këtyre normave e ligjeve ajo bëhet fajtore dhe dënohet. Mundet në këto raste fajtori edhe të mos paguajë, sidoqoftë të gjitha mbahen shënim, dokumentohen, me fjalë të tjera i mbetet asaj përgjegjësia.

Problemet

Përveç kësaj, me rëndësi janë edhe anët ekonomike të këtyre marrëdhënieve, siç janë problemet doganore, çështja e shpejtësisë së trenave, shfrytëzimi reciprok i vagonëve për transportimin e mallrave, domethënë do të transportohen këto me vagonët tanë, apo do të shkojnë deri në destinacion, siç bëhet zakonisht kudo etj. Pastaj varet cilën vijë do të ndjekin vagonët tanë, do të ndjekin vijën hekurudhore të Kroacisë, të bregut të detit jugosllav, apo atë të Beogradit e që këtej të shkojnë në Slloveni, pastaj më tutje.

Tarifat kanë, gjithashtu, rëndësi të madhe. Kështu, në qoftë se ne nuk kemi vagonët tanë, do të duhet t’i përballojmë vetë tarifat e transportit, pra të paguajmë edhe vagonët, edhe ngarkim-shkarkimin e tyre.

Ka, më së fundi, çështje të tilla si ajo e ndërlidhjes dhe e shpejtësisë së qarkullimit të vagonëve, domethënë sa kohë mund e duhet të qëndrojnë ato në stacionet kufitare, sepse Jugosllavia, po të dojë, kur ke domate, fjala vjen, mund të të thotë të presësh se kam të miat për të transportuar, dhe kështu domatet tona të rrinë në stacion, derisa të venë domatet e tij në destinacion.

Ulqin / Tivar-Durrës-Maqedoni

Një çështje tjetër është edhe ajo e së drejtës reciproke e të dyja palëve. Kështu ai mund të thotë se derisa ti kërkon të drejtën të kalosh nëpër territorin jugosllav, kam edhe unë të drejtë të kërkoj të kaloj në territorin tënd. Jugosllavi, pra, për reciprocitet, mund të kërkojë që vagonët e tij të kalojnë në Durrës, nga Durrësi në Përrenjas. Mund të kërkojë që të ndërtojmë edhe ne një linjë hekurudhore që të shkojë nga Lini nëpër bregun e liqenit deri në Strugë-Ohër, që, mund të thotë ai, “të furnizoj edhe unë Maqedoninë, sepse, duke kaluar nga Shqipëria, më kushton më lirë. Mua më intereson, – mund të vazhdojë ai, – t’i nis vagonët me mallra nga Ulqini e Tivari, ku i kam mallrat, nëpër Shqipëri dhe jo të bëj gjithë ato xhiro që po bëj sot për të shkuar në Maqedoni”.

Me fjalë të tjera, gjithë puna është që jugosllavët të vëzhgojnë me këto mjete se ç’kemi ndërtuar ne brenda vendit dhe qysh jemi.

Reciprociteti

Për të gjitha këto gjëra u kam shkruar shokëve të Qeverisë, bile u kam thënë me kohë që në këtë punë shumë delikate e të rëndësishme duhet kujdes i veçantë, prandaj në bisedimet që do të bëhen për këtë problem, duhet të ngarkohen njerëz të përgatitur, sidomos, specialistë të komunikacionit. Këta t’i shohin mirë e me kujdes dispozitat ndërkombëtare lidhur me këto çështje, para se të nënshkruhet kontrata. Unë mendoj që reciprociteti duhet të mbahet parasysh, por të bëhen përpjekje e të arrihet që, sa të jetë e mundur, deri në njëfarë shkalle, kërkesat e jugosllavëve të ngushtohen. Për shembull, që jugosllavët të vijnë me vagonët e tyre deri në Durrës, këtë s’kemi si ua refuzojmë. Ne mund t’u themi që do ta bëjmë hekurudhën deri në Strugë [në korrik 1979 përfundoi linja Përrenjas-Guri Kuq, 28 km – “Dyrrah”-u], por do të shohim kur ta bëjmë. Po ja, mund ta bëni, – thonë ata, – se nuk është shumë e gjatë, vetëm 15 km, pse të mos e bëni edhe këtë, kur bëtë gjithë atë hekurudhë nga Laçi në Han të Hotit [më 11 janar 1985 u përurua linja Shkodër-Bajzë-Hani i Hotit kufi, 36 km; trafiku i rregullt ndërkombëtar me vagonë mallrash nga 6 gushti 1986 – “Dyrrah”-u].

Skavica

Kur e shtruam këtë problem në mbledhjen e Byrosë Politike, diskutuam dhe për hidrocentralin e Skavicës, meqenëse jugosllavët janë të interesuar edhe përpiqen të përfitojnë nga ky objekt, për ndërtimin e të cilit edhe ne, po edhe ata kanë interes. Jugosllavët do të kërkojnë me këtë rast edhe të drejtat e përfitimet nga sistemi i ujërave.

Cilat janë këto të drejta e përfitime? Ata do të kërkojnë me një fjalë shpërblim për territorin që do t’u përmbytet nga ky liqen. Në këtë drejtim ne nuk shpëtojmë dot pa paguar, prandaj duhet të balancojmë pagesat me fitimet, që të jemi të përgatitur kur të vijë puna për këtë çështje.

Aktualisht, në këto situata, kur titistëve fytyra u është bërë si sholla e këpucës dhe as që duan t’ia dinë fare nga lufta ideologjike që ne bëjmë kundër tyre, ata e kanë hallin te koniunkturat politike, mendojnë që Shqipërinë “ta bëjmë me vete”, që kjo të mos na rrezikojë me sovjetikët. I mendojnë ata këto gjëra si revizionistë që

janë. Ata ua kanë lëshuar portet sovjetikëve, po tani mendojnë: po sikur t’ua hapë edhe Shqipëria portet e saj, atëherë ç’bëhet? “Ne (jugosllavët) do të mbyllemi si në guaskë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button