BDI do të shqyrtojë letrën e Gruevskit për regjistrimin, më pas do japë përgjigje

BDI ka komentuar letrën e kryeministrit Nikolla Gruevski drejtuar kreut të BDI-së Ali Ahmeti lidhur me regjistrimin. Jo zyrtarisht mësohet se letra përmban dy propozime për zbatimin e regjistrimit, por të njëjtat nuk bëhen publike për opinionin.

Megjithatë nga BDI njoftojnë se për përgjigjen rreth letrës, Gruevski  duhet të pres deri pas pushimeve verore.

Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi thotë se para disa ditësh kanë pranuar letrën nga kryetari i VMRO-s për çështjen e regjistrimit dhe të njëjtën e kanë prezantuar shkurtimisht në kryesinë qendrore.

“Është formuar një grup i cili do ta shqyrtoj përmbajtjen e letrës dhe do të jep edhe versionin se si duhet të duket procesi i regjistrimit në Republikën e Maqedonisë.

Sigurisht që versioni ynë do të bazohet në përvojat e mëhershme nga regjistrimi i vitit 2002, nga procesi i regjistrimit i cili dështoi në vitin 2011, por edhe nga përvojat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me procesin e regjistrimit”, ka thënë për Alsat-M, Ademi.

Sipas tij procesi i regjistrimit i cili filloi në vitin 2011 ishte proces i ndjeshëm, u tregua që për këtë nevojitet një konsultim më i gjerë jo vetëm i subjekteve politike por edhe i faktorëve të tjerë, nevojitet besim në të gjitha institucionet që do të kyçen në procesin e regjistrimit veçanërisht në Entin e statistikave ku pjesëmarrja e bashkësive etnike është tejet e ulët.

“Si parim i BDI-së nuk do të jetë vetëm implementimi i standardeve që i kërkon Eurostat për regjistrimin por edhe implementimin e specifikave të veçanta që kanë të bëjnë për Republikën e Maqedonisë për procesin e regjistrimit  dhe ngritjen e institucioneve në të cilat do të jenë pjesëmarrës të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve në RM-së, për të ngritur besimin në të njëjtat institucione që regjistrimi mund të jetë i besueshëm dhe mund të jetë real.

Sigurisht që gjithë këtij procesi duhet ti shtohet edhe komponentë e vëzhgimit nga komuniteti ndërkombëtarë, në këtë rast nga Eurostat dhe faktorët tjerë”, ka thënë Ademi.

Lajme të ngjashme

Back to top button