USHT pushon disperzimet, përqëndrohet vetëm në Tetovë

Universiteti Shtetëror i Tetovës nuk do të disperzojë pjesën dërmuese të programeve të saja studimore në Shkup, Strugë, Dibër, Kërçovë dhe Tetovë. Përjashtim bëjnë vetëm pak programe në Kërçovë, Shkup dhe Kumanovë, si dhe disa programe të fakulteteve amë në Tetovë, të cilat do të pushojnë pa qenë paraprakisht të disperzuara.

Në grupin e këtyre të fundit bëjnë pjesë disa profile të artit dramatik si TV dhe Regji Filmi, Kamerë dhe Montazh, apo edhe drejtimi Kriminalistik, Siguri dhe Defektolog i Fakultetit Juridik në Tetovë. Ndërkaq, lista e programeve studimore të disperzuara që nuk do të hapen këtë vit është tepër e gjatë, sidomos në Shkup. Konkretisht, për vitin 2014/2015, në kryeqytet USHT nuk do të regjistrojë studentë në drejtimet: Sociologji, Kimi-Fizikë, Matematikë, Informatikë, Ekologji, Histori, Gjuhë Gjermane dhe Administrim-Biznesi. Qytet si Dibra dhe Struga do të mbesin pa asnjë program të disperzuar për vitin e ardhshëm akademik. Kjo do të thotë se atje nuk do të regjistrohet asnjë student i ri në muajin gusht, kur edhe nis gara për indeks në të gjitha universitetet e Maqedonisë.

Të enjten ishte e vështirë të merrej vesh saktësisht nëse vendimi për të pushuar rreth 90 për qind të programeve studimore të USHT-së është i Universitetit apo i Ministrisë së Arsimit, pasi kompetentët nuk japin deklarata shumë të qarta.

-Nuk e di saktësisht nëse për të gjitha ato programe që ishin të diesperzuara kemi propozuar ne të pauzojnë apo ne si USHT kemi kërkuar të ketë vende për regjistrim të studentëve, por nuk janë lejuar nga Qeveria e cila edhe cakton në fund kuotën e vendeve nëpër universitete. Propozimet janë bërë shumë herë në muajin shkurt dhe nuk më kujtohet saktësisht. Pastaj nuk e kam as Konkursin afër vetes dhe propozimet që kemi bërë ne, deklaron Fehari Ramadani, prorektor për çështje arsimore në USHT. Më kujtohet, për shembull, se në propozimet tona kishim kërkuar të disperzohet Fakulteti i Administrim-Biznesit, me seli në Kumanovë, plotëson më tej ai. Mirëpo, Qeveria respektivisht MASH-i, diçka ka lejuar dhe diçka jo, thotë prorektori Ramadani. Ndërkaq, për programet e disperzuara në Shkup dhe qytete të tjera, që sikurse qëndron në Konkursin e publikuar, do të pauzojnë për vitin 2014/2015, thotë se nuk mund të kujtohet nëse USHT ka propozuar të pushojnë apo këtë e ka vendosur MASH-i.

Nga ana tjetër, në MASH kërkojnë që të mos e mbajnë për vete komplet përgjegjësinë e vendimit për të pushuar rreth 90 për qind të studimeve të disperzuara të USHT-së.

-Propozim-Konkursi për regjistrimin e studentëve në USHT ka ardhur nga universiteti, respektivisht nga Rektorati dhe mbi bazë të kërkesave që janë bërë, qëndron edhe ajo që është në Konkurs, shprehet Agim Rushiti, përgjegjës në Sektorin për arsim të lartë në MASH. Për shkaqe të njëjta si ato të prorektorit të USHT-së, Rushiti i MASH-it shmangë të deklarojë prerazi nëse USHT nuk ka bërë kërkesë për regjistrimin e studentëve në programet e disperzuara, apo nëse Universiteti ka kërkuar regjistrimin për studimet e disperzuara, por kjo është pamundësuar nga Ministria. Pra, edhe përgjegjësi Rushiti thotë se nuk e ka përpara propozim-konkursin.

-Tani nuk e kam përpara propozimin dhe nuk mund të them me saktësi për çdo program. Kujtoj që USHT diku kërkon të pushojë programe të disperzuara dhe diku tjetër ti shtojë. Përveç kësaj, ka pasur edhe plotësim të Konkursit. Kishte propozim nga ana e USHT-së për të plotësuar Konkursin dhe vetëm para tre ditëve propozimi për plotësimin e konkursit u miratua në Qeveri, respektivisht Qeveria ka miratuar kuotë të re për regjistrimin studentëve në USHT, shprehet ai. Në Konkursin e publikuar të mërkurën, për USHT-në janë caktuar të regjistrohen 5310 studentë, prej të cilëve 2690 me kuotën shtetërore, 2235 me vetëfinancim dhe 395 me korrespondencë.

Po sipas këtij Konkursi, në Shkup do të pushojë regjistrimi i studentëve për tetë programe të disperzuara të USHT-së, në Dibër për pesë programe, në Strugë dhe Kërçovë për nga dy programe si dhe në Kumanovë dhe Tetovë për nga një program. /koha

Lajme të ngjashme

Back to top button