Edhe struganët do ti disiplinojnë policët e inspektorët serb

Nuk kaloi as një javë e plotë nga fillimi i patrullimeve të përbashkëta të pjesëtarëve të policisë së Maqedonisë dhe pjesëtarëve të policisë së Serbisë në Ohër, që është rezultat i Marrëveshjes ndërmjet dy ministrive të punëve të brendshme të dy vendeve, me qëllim të rritjes së shkallës së sigurisë në Ohër, këmbimin e informacioneve dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive të brendshme, të nënshkruar më 30 nëntor të vitit 2011, patrulla të përbashkëta janë vërejtur këtë fundjavë edhe në Strugë.

Ky informacion është bërë i ditur nga dëshmitarët okular të cilët kanë vërejtur patrullimet e përbashkëta nëpër shëtitoren e Strugës, duke pohuar se kanë vërejtur uniforma ndryshe nga ato të policisë së Maqedonisë dhe të paarmatosur, që nënkupton se bëhet fjalë për pjesëtarët e policisë së Serbisë. Ndërkaq, ky informacion, nga SPB nuk është konfirmuar e as mohuar për praninë – shpërndarjen e pjesëtarëve të policisë serbe edhe në Strugë.

Siç është bërë e ditur më herët përmes komunikatës së SPB-së në Ohër, gjatë zbatimit të detyrave të policisë në teren, policët serb do tu japin mbështetje pjesëtarëve të policisë së Maqedonisë në aktivitetet që kanë të bëjnë me rendin, qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve, kontrollimin e objekteve hotelierike dhe do të jenë mbështetje për shtetasit e Serbisë që pushojnë në bregun e Liqenit të Ohrit gjatë sezonit turistik.

Gjatë patrullimeve, -sipas SPB-së në Ohër-, policët serb nuk do të jenë të pajisur me armë dhe mjete tjera për kryerjen e detyrës së policit dhe nuk do ti ketë autorizimit që ka policia vendase. Këto aktivitete të përbashkëta patrulluese të policisë së përzier, do të zhvillohen deri ne fund të muajit gusht në dy turne (ndërrime), në përbërje të policëve me uniforma policore dhe një pjesëtar i shërbimit- inspektor- i policisë së krimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. /ina

Lajme të ngjashme

Back to top button