Adem Demaçi: Mos me ngritni përmendore për së gjalli

Adem Demaçi e ka kundërshtuar idenë e shkrimtarit Sabri Novosella, i cili ka propozuar që veprimtarit të çështjes kombëtare t’i ndërtohet një përmendore për kontributin e tij për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.

Ndaj kësaj ka reaguar Demaçi, duke thënë se për së gjalli s’duhet të ngritën përmendore askujt.
“Për së gjalli s’ka nevojë të ngritën përmendore”, ka thënë Demaçi.

Fituesi i Çmimit Saharov për guximin për lirinë e fjalës i ka dërguar të fala Sabri Novosellës duke dhënë edhe arsyet se pse s’duhet të ndërtohen përmendore për njerëzit që ende jetojnë.

“Thuaj Sabri Novosellës – faleminderit shumë – për së gjalli nuk bën me i ngritë përmendore askujt. Se bën vaki vijnë e ta rrëzojnë e bëhemi gazi i dynjasë. Faleminderit që i paska rënë ndër mend atij”, ka thënë Demaçi në një prononcim për Express.

Ndryshe, sot, shkrimtari Sabri Novosella, ka shkruar një tekst autorial, në të cilën tregon për jetën dhe veprën e Demaçit.

Në fund të tekstit, Novosella jep propozimin për ngritjen e përmendores për njeriun i cili është simbol i rezistencës intelektuale ndaj Serbisë.

“Këtij Adem Demaçi duhet t’i ngritët përmendorja në Sheshin Adem Demaçi mu në hapësirën e rrethit para figurës VIKTORIA, ku kryqëzohen rrugët që çojnë në Tiranën shqiptare, në Shkupin shqiptar dhe në Nishin e dikurshëm shqiptar, që ka qenë dhe do të jetë i shqiptarëve”, ka propozuar Novosella.

Lajme të ngjashme

Back to top button