Ligji kufizon kompetencat e Presidentit të Republikës

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin 64/2014 ‘Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Presidenti e argumenton vendimin e tij duke theksuar se “ky ligj, sjell ndryshime të cilat kanë pasoja kritike në ushtrimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit, si dhe në balancën e ndarjes së pushteteve midis Kuvendit, Presidentit, Kryeministrit, si dhe autoriteteve të tjerë të përcaktuara në ligj”. Sipas kreut të shtetit, ky ligj parashikon kalimin e kompetencave për miratimin e strukturës organizative dhe planit të përhapjes dhe vendosjes të Forcave të Armatosura nga Presidenti tek Kryeministri. Gjithashtu, Presidenti thekson se kufizimi i kompetencave të Presidentit të Republikës lidhur me emërimet, lirimet e ushtarakëve me grada madhore (gjeneralët) nuk është i justifikuar. “Kalimi i këtyre kompetencave tek Kryeministri nuk i shërben demokratizimit të procesit dhe është në kundërshtim me parimin e kontroll-balancës, duke marrë në konsideratë varësinë e Ministrit të Mbrojtjes nga Kryeministri”- thekson Presidenti. Kreu i shtetit konsideron se ndryshimet ligjore që sjell ky ligj, nuk janë aspak të justifikuara dhe shkelin parimin e sigurisë juridike në një shtet demokratik.

Lajme të ngjashme

Back to top button