Rama dhe Tahiri: Kemi 15 për qind më pak vrasje në 300 ditët e qeverisë

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kanë qenë dje në ceremoninë e fillimit të shkollës së policisë, ndërsa thanë se në këtë periudhë ka një ulje të vrasjeve në masën prej 15 për qind. “Në vetëm 300 ditë të qeverisjes është ulur me 15% numri i vrasjes dhe i krimeve të rënda kundër personit, është një shifër si ta marrësh. Hov i rëndësishëm përpara, por ambicia jonë është për ende shumë më tepër, këto 300 ditë na mjaftojmë se nëse në këto kushte bëmë një ulje kaq domethënëse me siguri edhe falë forcave të reja që po i bashkohen Policisë së Shtetit dhe falë moralit të rigjetur të Policisë së Shtetit ne do të mund të bëjmë në vijim shumë më tepër, sepse ndërkohë falë jush që jeni këtu po rrisim dy cilësi kryesore pa të cilat struktura e Policisë së Shtetit s’mund të jetë ajo që duam: Po ulim moshën, pra pasi ju të përfshiheni në Policinë e Shtetit do të kemi një Polici të Shtetit më të re. Po rrisim mesataren e të arsimuarve në Policinë e Shtetit. Dy cilësi që i kemi më të ulëtat”, tha Rama. Ai vijoi se ka shumë për të pastruar, shumë për të ndryshuar dhe jo pak për të respektuar dhe kuptuar. “Duke nisur në radhën më të parë nga ata që nën uniformën e Policisë së Shtetit dhanë jetën e tyre dhe lënë pas nëna, xhaxhallarë, gra dhe fëmijë, motra, vëllezër dhe të afër, që sot vazhdojnë t’i kujtojnë me lot në sy. I takon secilit prej jush që filloni këtë Akademi, që mos të harroni të gjithë ata që në gjithë këto vite kanë derdhur gjak se kanë mbajtur të pastër emrin dhe nderin e kësaj uniforme”, shtoi Kryeministri Rama. Para 500 aspirantëve për punonjës policie, Kryeministri shprehu mbështetjen si morale ashtu edhe financiare që do t’u jepet me daljen në terren, por kjo, vetëm nëse sipas tij ia dalin të provojnë aftësitë e tyre përmes testeve të përjavshme dhe përballë pedagogëve të specializuar.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm tha se nuk ka më që në Policinë e Shtetit të hysh sipas mandateve qeverisëse. “Ata që largohen për më shumë se dy vjet nuk mund të kthehen më, se s’mund ta bëjnë këtë punë si trampolinë për detyra të tjera. Lufta kundër krimit s’mund të bëhet me mediokritet, por me forcën e mendjes, ndaj duhet të studioni shumë për të bërë diferencën ndërmjet jush dhe atyre që do gjeni në radhët e Policisë së Shtetit. Ka punonjës që s’nderojnë asnjë prej nesh se nuk i lë shëndoshja, nuk shohin dot as këpucën e tyre. Do të ketë teste të reja fizike për të krijuar modelin e një njeriu të rregullt dhe të aftë për t’u përballur me çdo sfidë”, tha ministri, ndërsa shtoi se “në këtë moment harrojini partitë, miqtë dhe çdo mënyrë të jashtëligjshme, besojini vetes suaj se vetëm rezultatet në detyrë mund t’u garantojnë karrierë të suksesshme. Pa luftuar korrupsionin brenda jush është e pamundur të luftoni korrupsionin më gjerë”.

Ndërkohë, në lidhje me pagën, kreu i qeverisë tha se rritëm pagat e Policisë së Shtetit me 25% si asnjëherë më parë.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button