Presionet e BDI-së nuk do të ndalin protestat

Pavarësisht se këshilli organizativ i protestave në Shkup, doli me disa kërkesa drejtuar organeve gjyqësore dhe qeveritare, përsëri nuk është vërejtur ndonjë reagim konkret nga ana e këtyre të fundit. Megjithatë, protestat nuk e kanë ndërmend të ndalen, edhe përkundër presionit të madh që po e bën Bashkimi Demokratik për Integrim, thonë për Portalb, familjarët e të burgosurve me burg të përjetshëm në rastin Monstra.

“Vazhdojmë se nuk ka mekanizma të tjera, edhe përkundër presioneve të ndryshme,” thekson për Portalb, drejtuesi i këshillit organizativ të protestave, Bedri Ajdari.

“Duhet ta dijë çdokush se protestat kanë qenë në kuadër të asaj qetësie, që i përmbush të gjitha normat demokratike; andaj ne e shfrytëzojmë këtë mjet demokratik për arritjen e qëllimeve tona, pasi fatkeqësisht nuk ka mekanizma tjera për bllokimin e rastit Monstra. Ne nuk mund t’i dimë datat e sakta të protestave, por padyshim që ata do vazhdojnë deri në arritjen e qëllimit tonë. “thotë Ajdari, shtëpinë e të cilit Portalb kohë më parë e vizitoi.

Ai bën thirrje të mos luhet me durimin e protestuesve duke theksuar se “Pika, pika mbushet pusi, dhe askush se dije çfarë do ndodhë në të ardhmen, edhe pse unë mundohem në mënyrë të drejtë dhe paqësore, të arrij qëllimin”

Shaqiri: PDSH  është dora e zgjatur e BDI

Për ish deputetin, Hisni Shaqiri, i cili ka qenë prezent nëpër protestat e Shkupit, tubimet kombëtare u dedikohen të gjitha rasteve të montuara, duke nisur nga Sopoti, Radishani, dhe së fundi Monstra.

“Fatkeqësisht kur vëren historikun e gjyqeve në Maqedoni, të duket se çdo shqiptar ka qenë i diskriminuar prej tyre. Thjesht, Monstra e ka mbush kupën e rasteve të këqijave në Maqedoni dhe se këto protesta do vazhdojnë “ thotë ai.

Shaqiri ia hedh fajet partive shqiptare në vend duke theksuar se politika dhjetëvjeçare e BDI-së e ka sjellë situatën këtu ku është, duke mos marrë hapa konkretë për rregullimin e saj.

“Edhe PDSH-ja, me mos ngritjen e zërit të saj kundër rasteve të tilla dhe me deklaratat e njëjta për rastin e protestave, duket se në një farë mënyre është dora e zgjatur e BDI-së” përfundoi ai për Portalb. 

Luçi: Partitë politike shqiptare janë në anën e gabuar

Daim Luçi, kryetar i Unionit Studentor, i cili organizon studentët në këto protesta thotë se presionet e BDI-së si dhe fakti që vendimi i gjyqit të Apelit mund të vonohet disa muaj dhe kjo gjithsesi ndikon në numrin e protestuesve, megjithatë i bindur shprehet se protestat do të vazhdojnë.

“Unioni Studentor Shqiptar që në fillim iu bashkëngjit thirrjes së familjarëve për protestat kundër procesit të montuar politik “Monstra”, dhe pa hezitim do të vazhdojmë të jemi pranë familjarëve derisa të ketë nevojë.” shprehet Luçi.

Në lidhje me presionet e ndryshme kundrejt protestuesve, ai  thotë:

“Presionet janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme. Në Tetovë, për disa protestues janë shqiptuar dënime burg me kusht nga dy e më tepër vite. Kemi të dhëna që edhe ndaj të arrestuarve është ushtruar dhunë, që edhe ishte arsyeja që Këshilli Organizativ të ngrejë zërin mbi këtë dukuri. Ndërsa presionin që këto ditë partia shqiptare në pushtet e ka ushtruar ndaj qytetarëve të Shkupit që të mos dilet në protesta, paraqet një veprim i paarsyeshëm. Sinqerisht këtë presion nuk e kuptoj, pasi që këto protesta ne i kemi paramenduar të jenë protesta shqiptare kundër dhunës së qeverisë maqedonase, dhe kemi pritur që udhëheqësit e partive shqiptare, të jenë në anën e popullit dhe kurrsesi në anën e gabuar. “ përfundoi Daim Luçi për redaksinë e Portalb.mk

Protestat e fundit në Shkup, drejtuar gjyqit që dënoi 6 shqiptarët me burg të përjetshëm për akuzën e vrasjes së pesëfishtë në Smilkovcë, shpesh kanë përfunduar me dhunë, duke shtyrë edhe dy shtetet shqiptare, Kosovën dhe Shqipërinë të reagojnë mbi qeverinë e Maqedonisë, me ç’rast erdhën deri te Nota Verbale mes njëri-tjetrit.

Fitim Dika, Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Presjonet sa shtohen aq me mire me shume njerez do te mblidhen ne protesta dita dites sepse friga ju futet atyre prandej bejn presjon kolltuku ju leviz boll ma e keni sjell popllin barkun me dor te mbaje pa buk kan me ngel edhe pak prej budallakinave tuaja

Back to top button